Edhe “Kosova e Re” drejt dështimit

Ekonomia October 19, 2017 - 08:18

Projekti për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re” po shkon drejt dështimit për shkak të kërkesave joreale që në vazhdimësi ka kompania “Contour Global”. Por në anën tjetër, zyrtarisht zyrtarë të Qeverisë së Kosovës po e mohojnë një gjë të tillë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Projekti për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re” po shkon drejt dështimit, pasi kompania “Contour Global”, e përzgjedhur si kompania fituese për ndërtimin e këtij termocentrali, në vazhdimësi ka kërkesa financiare për institucionet e Kosovës.

Institucionet e vendit po ngurrojnë të nënshkruajnë kontratën me kompaninë në fjalë pasi që sipas parashikimeve një megavat orë energji elektrike në termocentralin e ri do të prodhohej me mbi 80 euro nga më pak se 30 euro sa është aktualisht.

LEXO EDHE: Përfshirja e SHBA-së në dialog, garanci për zbatimin e marrëveshjeve

“Në kohën kur do të aktivizohet termocentrali i ri energjia elektrike do të shtrenjtohet së paku për 40 euro. Qeveria e Kosovës po ngurron që ta nënshkruajë kontratën”, kanë bërë të ditur burime të besueshme të gazetës "Zëri" brenda Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu sipas këtyre burimeve kompania në fjalë ka kërkuar mbështetje nga Qeveria e Kosovës që t’i mbulojë të gjitha shpenzimet operative deri në fillimin e punimeve e të cilat kanë një kosto prej rreth 20 milionë eurosh.

“Po ashtu kjo kompani ka edhe shumë kërkesa të tjera për Qeverinë e Kosovës”, ka bërë të ditur burimi në fjalë.

Por në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik po e mohojnë një gjë të tillë.

Sipas tyre, projekti është në fazën përfundimtare.

“Projekti për termocentralin ‘Kosova e Re’ ka arritur një fazë pothuajse përfundimtare. Presim që marrëveshjet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe investitorit amerikan ‘Contour Global’ të nënshkruhen brenda këtij viti. Me këtë do të mbyllej faza e parë e projektit. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjeve komerciale investitori do ta shpallë një tender ndërkombëtar për Inxhinierim, Prokurim dhe Ndërtim (IPN), i cili nën monitorimin e Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve kyç të projektit do ta bëjë përzgjedhjen e kompanisë ndërtuese. Njëkohësisht është punuar në përgatitje të finalizimit të fazës së dytë të projektit  'Mbyllja financiare'. Këto procedura pritet të kryhen gjatë vitit të ardhshëm dhe orientimisht ndërtimi mund të fillojë nga fundi i vitit të ardhshëm ose fillimi i vitit pasues”, thuhet në përgjigjen e MZH-së.

Aty më tutje thuhet se në të njëjtën kohë janë duke u zhvilluar edhe të gjitha studimet e nevojshme që dalin si kusht për ndërtimin dhe financimin e termocentralit.

Sipas tyre, termocentrali “Kosova e Re” pritet të fillojë prodhimin në vitin 2022 me një kapacitet prej 500MW, e ndërtuar me teknologjinë më të re, ku do të përmbushen të gjitha direktivat evropiane për emetimet e gazrave, e cila mundëson që efiçienca e TC-së të jetë minimum 40%.

“Projekti për termocentralin ‘Kosova e Re’ është projekti më i madh i Republikës së Kosovës që nga paslufta, ku me realizimin e tij arrihet synimi kryesor energjetik i vendit, siguria e furnizimit me energji elektrike, duke qenë se TC ‘Kosova e Re’ konsiderohet si zëvendësim i kapaciteteve të TC ‘Kosovës A’”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së.