1.5 miliard euro kredi për biznese

Ekonomia October 17, 2017 - 15:44

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se shuma e kredive për ndërmarrjet në vendin tonë ka arritur në 1.52 miliard euro nga 2.3 miliardë euro sa është shuma totale e të gjitha kredive që kanë lëshuar bankat komerciale, të cilat operojnë në Kosovë

 

Rënia e vazhdueshme e normave të interesit në kredi ka reflektuar direkt edhe në rritjen e  kredive, sidomos të atyre për biznes.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se 2.4 miliard euro është shuma e përgjithshme e kredive të aprovuara nga bankat komerciale në Kosovë, 1.52 miliard euro janë kredi për ndërmarrjet derisa 865.5 milionë euro janë kredi për ekonomitë familjare.

Visar Paçarada, udhëheqës i Departamentit për Klientë Biznesi në “ProCredit Bank”, thotë se kjo bankë në vazhdimësi ka ulur normat e interesit në kredi, ku, sipas tij, mesatarja e normës së interesit për kreditë e reja të biznesit për investime sillet nga 5-6 për qind, varësisht prej shumës së kredisë, kohëzgjatjes, si dhe planit investiv.

Sipas tij, në portofolin e shumëllojshëm të kredive të lëshuara nga banka “ProCredit”, dominojnë kreditë për biznese, ku përbëjnë 70% të portofolit kreditor, kurse 30% kredi dedikuar klientëve privatë.
 “Përqendrimi i bankës ‘ProCredit’ në financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme reflekton misionin e bankës ‘ProCredit’ për të stimuluar zhvillimin ekonomik, si dhe rëndësinë që kanë këto biznese në ekonominë e vendit tonë, duke përfshirë krijimin e vendeve të punës”, ka potencuar ai.

Edhe në raportin e dytë të vlerësimit tremujor të ekonomisë së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se kreditë ndaj ndërmarrjeve përshpejtuan ritmin e rritjes në periudhën raportuese.

“Kreditë e reja të lëshuara për ndërmarrje shënuan rritje të theksuar gjatë kësaj periudhe 29,5 për qind kundrejt rënies vjetore me të cilën u karakterizuan në vitin paraprak me 17,4 për qind. Rritja e theksuar e kredive të reja për ndërmarrje ishte kryesisht rezultat i rritjes së kredive të reja investuese dhe joinvestuese, kryesisht të destinuara për sektorin e industrisë dhe të shërbimeve”, thuhet në raportin e dytë tremujor të vlerësimit të ekonomisë së hartuar nga BQK-ja.

Struktura e kredive të ndërmarrjeve sipas veprimtarive ekonomike edhe më tutje vazhdon të mbetet e dominuar nga kreditë e destinuara për sektorin e tregtisë.

Në raportin e BQK-së më tutje thuhet se rritje vjetore të kreditimit shënuan veçanërisht sektori i ndërtimtarisë, i prodhimtarisë dhe i tregtisë, që së bashku përfaqësojnë 71, 8 për qind të gjithsejtë kreditimit për ndërmarrjet. Kurse, me rënie u karakterizuan sektori i shërbimeve financiare, i energjetikës dhe i bujqësisë, që së bashku përfaqësojnë rreth 9,0 për qind të gjithsejtë kreditimit të industrisë.

“Kreditë e reja ndaj ndërmarrjeve, që në vitin e kaluar u karakterizuan me rënie, në gjysmën e parë të vitit 2017 shënuan rritje të theksuar. Kontributin kryesor në rritjen e kredive të reja ndaj ndërmarrjeve kishin kreditë me karakter joinvestues me 46,0 për qind, duke u pasuar nga kreditë investuese me 15,3 për qind.

Sipas sektorëve ekonomikë, kreditë e reja ndaj sektorit të industrisë dhe të shërbimeve shënuan rritje të theksuar vjetore prej 46,1 përkatësisht 21,4 për qind deri në qershor të 2017-s. Kurse, kreditë e reja ndaj sektorit të bujqësisë për të dytin vit me radhë vazhduan trendin rënës”, thuhet në raport.

Sipas vlerësimit të BQK-së, rritja e aktivitetit të sektorit bankar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 u mbështetet nga zgjerimi i portofolit kreditor, në prani të përmirësimit të ofertës kreditore.

Sa i përket strukturës së sektorëve ekonomikë, ajo vazhdoi të mbetet e ngjashme me periudhat paraprake. Rritje vjetore të theksuar të kreditimit gjatë kësaj periudhe kishin sektori i ndërtimtarisë, i prodhimtarisë dhe i tregtisë.