Ekonomia

Kamatat në kredi, ndër më të ulëtat në rajon

Kamatat në kredi, ndër më të ulëtat në rajon
17 tetor 2017 • 10 : 45

Brenda periudhës 5-vjeçare kamatat në kredi, që jepen nga bankat komerciale në Kosovë, janë përgjysmuar.

Nga 12,7% sa ishin në vitin 2012 kanë rënë në një mesatare prej 6,3-përqindësh në gjysmën e parë të këtij viti.

Kjo e bën Kosovën ndër vendet me kreditë më të lira në rajon

Kamatat në kredi në Kosovë janë ndër më të ulëtat në rajon.

Kështu thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK-së), ku bëhet e ditur se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë normat më të larta në kredi, përderisa normat e tilla janë të ngjashme në Kosovë, Serbi dhe në Maqedoni. Sipas BQK-së, normat mesatare të interesit në kredi në Kosovë, duke u bazuar në raportin e qershorit 2017, janë 6,3 për qind, përderisa në Shqipëri arrijnë në 7,2 për qind, në Mal të Zi 7,1 për qind. Në Maqedoni norma mesatare e interesit në kredi është 6,2 për qind, derisa në Serbi 6,1 për qind. Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, ka bërë të ditur se normat e interesit në kredi në Kosovë në korrik të vitit 2012 ishin 12,7 për qind, derisa në të njëjtën periudhë të vitit 2017 kanë rënë në 6,3 për qind, duke u përgjysmuar kështu brenda periudhës 5-vjeçare.

ULJE E VAZHDUESHME E NORMAVE TË INTERESIT NË KREDI

Image

 

Visar Paçarada, udhëheqës i Departamentit për Klientë Biznesi në “ProCredit Bank”, thotë se kjo bankë në vazhdimësi ka ulur normat e interesit në kredi, ku, sipas tij, mesatarja e normës së interesit për kreditë e reja të biznesit për investime sillet nga 5-6 për qind, varësisht prej shumës së kredisë, kohëzgjatjes, si dhe planit investiv Paçarada ka pohuar se normat e interesit në kredi në Kosovë dallojnë fare pak me vendet e rajonit, ku kreditë e biznesit janë të përafërta.

Sipas tij, vlera e portofolit të kredive në gjysmën e parë të këtij viti në “ProCredit Bank” ka arritur në 465 milionë euro, përderisa shuma e përgjithshme e depozitave është 660 milionë euro.

“Banka ‘ProCredit’ që nga fillimi i operimit në mënyrë të vazhdueshme ka performuar me portofol kualitativ në kredidhënie, gjithashtu edhe rritje stabile në depozita”, ka bërë të ditur ai. Në portofolin e shumëllojshëm të kredive të lëshuara nga banka “ProCredit” dominojnë kreditë për biznese, ku përbëjnë 70% të portofolit kreditor, kurse 30% kredi të dedikuara për klientë privatë.

“Përqendrimi i bankës ‘ProCredit’ në financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme reflekton misionin e bankës ‘ProCredit’ për ta stimuluar rritjen ekonomike, si dhe rëndësinë që kanë këto biznese në ekonominë e vendit tonë, duke përfshirë krijimin e vendeve të punës”, ka potencuar ai. “ProCredit Bank” është e fokusuar në financimin e bizneseve vendore për të bërë investime afatgjate, duke ofruar lehtësira, siç është kohëzgjatja e kredisë deri në 12 vjet dhe grace periudhë deri në 12 muaj.

BANKAT, 2.4 MILIARDË EURO KREDI

Image

 

Zyrtarë nga BQK-ja kanë bërë të ditur se shuma e përgjithshme e kredive të aprovuara për klientët nga bankat komerciale në Kosovë ka arritur në rreth 2.4 miliardë euro, prej të cilave 865.5 milionë euro janë kredi për ekonomitë familjare dhe 1.52 miliard euro për ndërmarrjet.

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se në të kaluarën në Kosovë normat e interesit në kredi ishin dyshifrore, në raste të caktuara në nivel prej rreth 14%, ndërsa aktualisht normat e tilla kanë rënë në nivel të vendeve të tjera.

“Duke u bazuar në të dhënat për korrik për vitin 2017, norma efektive e interesit ishte 6,39%, që përfshin bizneset dhe ekonomitë familjare, përderisa normat e interesit vetëm për biznese është nën 6% (5,87%). Në raste të caktuara, për kreditë hipotekare norma e interesit sillet nga 4% deri 5%”, ka bërë të ditur Mehmeti. Sipas tij, duke marrë parasysh trendin e vazhdueshëm të uljes së normave të interesit, si dhe konkurrencën gjithnjë në rritje të sektorit bankar, vlerësohet se bankat do të vazhdojnë të reflektojnë në uljen e mëtutjeshme të normave të interesit, edhe pse normat ekzistuese janë përgjithësisht të njëjta me ato të vendeve të tjera. Ai ka shtuar se duke u bazuar në projeksionet financiare për vitin 2017, norma vjetore e rritjes së kredive parashikohet të jetë 13,8%, përderisa niveli ekzistues, sipas të thënave të gushtit 2017, tregon rritje vjetore prej 10%.

“Duke marrë parasysh historikisht që pjesa e dytë e vitit paraqet rritje më të fortë se pjesa e parë, vlerësojmë se rritja e planifikuar e kredive në nivelin 13,8% do të jetë plotësisht e realizueshme”, ka thënë ai.

Ndërkaq profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, thotë se rënia e normave të interesit në kredi, sidomos gjatë viteve të fundit, ka qenë një lajm pozitiv për ekonominë e Kosovës.

Sipas tij, duhet të shikohet në praktikë se rënia e normave të interesit ka reflektuar në rritjen e kredive, sidomos të atyre për zhvillim të bizneseve.

“Në raport me vendet e rajonit Kosova nuk qëndron keq në këtë drejtim. Por edhe këtu është një dallim se ata kreditë i kanë në valutë vendëse e ne i kemi në euro. Ne si institut ‘Riinvest’ jemi duke e bërë një studim në këtë drejtim” ka thënë Mustafa.

Ai më tutje thotë se ka hapësirë të mëtutjeshme që të bien normat e interesit në kredi.

Image

 

 

© zëri.info