Ekonomia

Haradinaj: Pallati i Rinisë t’i rikthehet Komunës

Haradinaj: Pallati i Rinisë t’i rikthehet Komunës
16 tetor 2017 • 18 : 31

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësues të Bordit Menaxhues dhe Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Pronave (AKP) të udhëhequr nga Petrit Gashi, kryesues i Bordit, me të cilët bisedoi për sfidat e menaxhimit të kompanive që janë interes strategjik i vendit.

Në këtë kontekst, kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga udhëheqja e AKP-së që të nisin procedurat adekuate konform ligjeve në fuqi, që fati i Pallatit të Rinisë në Prishtinë të marrë epilog, përkatësisht që t’u kthehet qytetarëve të Prishtinës, të cilët gjatë viteve ‘70 të shekullit të kaluar kanë paguar vetkontribut për ndërtimin e tij.

Sipas njoftimit nga Qeveria, kryeministri Haradinaj kërkoi nga Bordi i AKP-së që të fillojë procedurat ligjore të cilat mundësojnë që për një kohë optimale me Pallatin e Rinisë të menaxhojë Komuna e Prishtinës.

Përveç kësaj, në takim janë shtjelluar dhe janë diskutuar edhe tema shumë të rëndësishme, siç është çështja e Fabrikës së Gypave në Ferizaj, ku palët u dakorduan që gjetja e zgjidhjeve të kënaqshme për të gjithë është jetike për Kosovën.

Përfaqësuesit e AKP-së kanë bërë të ditur se sot ia kanë dorëzuar kryeministrit Studimin e Fizibilitetit (versionin në gjuhën shqipe) për konsolidimin e Trepçës, si kompani ligjore afariste e mëvetësishme. 

© zëri.info