ZRRE-ja refuzon të heqë nga faturat energjinë që shpenzojnë serbët

Ekonomia October 13, 2017 - 08:34

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, përmes të cilit kërkohet që të shtyhet ekzekutimi i vendimit që energjia elektrike e cila shpenzohet nga qytetarët serbë në veri të Kosovës t’u shpërndahet të gjithë qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën, shkruan sot, gazeta Zeri.

Më 7 prill të këtij viti gazeta “Zëri”, duke u mbështetur në fakte, kishte raportuar se më shumë se 8 milionë euro energji elektrike e cila shpenzohet nga serbët në veri të Kosovës edhe më tutje vazhdon të shpërndahet nëpër fatura të qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën.

Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë del se nga përfundimi i luftës e deri më tash serbët në veri kanë shpenzuar energji elektrike prej më shumë se 100 milionë eurosh, e cila është shpërndarë nëpër faturat e qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se ZRRE-ja ka apeluar vendimin e Gjykatës në një shkallë të dytë, duke refuzuar kështu që qytetarëve t’ua zbresë nga  faturat pjesën e energjisë që e shpenzojnë serbët në veri të Kosovës.

“ZRRE-ja e ka apeluar vendimin e Gjykatës Themelore. Aktualisht ZRRE-ja nuk ka bord, kështu që asnjë vendim nuk mund të merret në këtë institucion”, ka bërë të ditur burimi i gazetës.

Edhe zyrtarisht zyrtarë të ZRRE-së po e konfirmojnë se nuk janë duke e zbatuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Në përputhje me ligjet dhe me rregullat në fuqi kompetencat për aprovimin e të hyrave maksimale të lejuara të operatorëve që ofrojnë shërbimet e tyre për konsumatorët e rregulluar i ka vetëm Bordi i ZRRE-së, i cili aktualisht nuk është funksional për shkak të mungesës së kuorumit. Pas pranimit të vendimit nga Gjykata, ZRRE-ja do ta trajtojë këtë çështje, megjithatë nuk do të mundë të merret ndonjë vendim pa u kompletuar Bordi, i cili siç u tha është organi i vetëm vendimmarrës në ZRRE”, ka thënë Adelina Murtezaj, zyrtare për medie në këtë institucion.

Por në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile në vend thonë se institucionet e shtetit duhet t’i zbatojnë vendimet gjyqësore.

"Të gjithë personat juridikë dhe fizikë obligohen t’i zbatojnë vendimet gjyqësore. Askush nuk mund të bëjë kompromise dhe t’i japë të drejtë vetes të përcaktojë afate se kur dëshiron t’i zbatojë vendimet gjyqësore. Të gjitha obligimet për zbatimin e vendimeve gjyqësore i përcakton Gjykata dhe moszbatimi i vendimeve gjyqësore përbën vepër të veçantë penale" , tha për “Zërin” Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.