Zyra Kombëtare e Auditimit, më e besuara ndër institucionet e auditimit në vendet e rajonit

Ekonomia October 12, 2017 - 18:35

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, është vlerësuar nga 47% e qytetarëve si institucion të cilit i besojnë qoftë plotësisht apo pjesërisht. Ky është niveli më i lartë i besueshmërisë krahasuar me institucionet supreme të auditimit të vendeve të Ballkanit.

Këto të dhëna janë publikuar të enjten nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal i cili ka publikuar Barometrin e Ballkanit për vitin 2017, në të cilin ofrohen të dhëna nga hulumtimi i opinionit të publikut dhe bizneseve në shtetet e Ballkanit.

Një nga indikatorët për Barometrin e Ballkanit 2017 ishte edhe vlerësimi i besueshmërisë në institucionet publike dhe përceptimi i publikut për pavarësinë e tyre.

“Ky vlerësim është një indikator i rëndësishëm në angazhimin e vazhdueshëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit në përmbushjen e mandatit të saj kushtetues e ligjor dhe të vizionit të saj për të përmirësuar transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien e administratës publike”thuhet në njoftimin e publikuar në ueb faqe të ZRRE-së, raporton zëri.info / Zëri