Për 7 muaj 420 milionë euro nga diaspora

Ekonomia October 12, 2017 - 08:20

Gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti në formë të remitancave në Kosovë kanë hyrë hiç më pak se 420 milionë euro dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi 40 milionë euro më shumë remitanca.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë muajit korrik në formë të remitancave në vendin tonë kanë ardhur 60 milionë euro dhe nga kjo shumë 13.6 milionë euro kanë ardhur përmes bankave komerciale, 24.6 milionë euro përmes agjencive për transferim të parave, si dhe 21.72 milionë euro përmes rrugëve të tjera, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gjatë muajit qershor sipas të dhënave të BQK-së shihet se në vendin tonë në formë të dërgesave kanë ardhur 71.1 milionë euro dhe nga kjo shumë 10.1 milionë euro janë dërgesa përmes bankave, 35.2 milionë euro janë transferime përmes agjencive, si dhe 25.7 milionë euro janë mjete që kanë ardhur përmes rrugëve të tjera.

Gjatë muajit maj në Kosovë kanë ardhur në formë të remitancave 67.6 milionë euro, në muajin prill kanë ardhur 57.9 milionë euro, në muajin mars kanë ardhur 64.7 milionë euro, gjatë muajit shkurt kanë ardhur 50.7 milionë euro, si dhe gjatë muajit janar në Kosovë në formë të dërgesave kanë ardhur 48 milionë euro.

Ashtu sikurse në vitet e kaluara edhe sivjet shihet se pjesa dërrmuese e dërgesave në vendin tonë ka ardhur nga Gjermania.

Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së shihet se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti nga ky shtet në vendin tonë në formë të dërgesave kanë ardhur hiç më pak se 78.4 milionë euro.

Pas Gjermanisë më së shumti remitanca kemi nga Zvicra dhe nga ky shtet në vendin tonë kanë ardhur rreth 45 milionë euro.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se nga Italia në Kosovë në formë të dërgesave kanë ardhur rreth 5 milionë euro, nga Austria rreth 7.5 milionë euro, nga Belgjika kanë ardhur rreth 5.3 milionë euro, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ardhur rreth 14 milionë euro në formë të dërgesave, nga Suedia 6.6 milionë euro, nga Franca 7.7 milionë euro, nga Norvegjia 3.8 milionë euro.

Më tutje në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës shihet se nga Kanadaja në vendin tonë sivjet kanë ardhur 3 milionë euro, nga Anglia 6.1 milionë euro, nga Danimarka 800 mijë euro, nga Finlanda 1.5 milion euro, nga Holanda 1.2 milion euro, nga Sllovenia 900 mijë euro, si dhe pjesa tjetër nga shtetet e ndryshme të botës.