Ekonomia

Ambasadori britanik Ian Cliff: Trepça është e Kosovës!

Ambasadori britanik Ian Cliff: Trepça është e Kosovës!
24 janar 2015 • 13 : 29

“Trepça e suksesshme mund të krijojë një mjedis ekonomik që mund të lulëzojë. Ajo që është në territor të Kosovës është aset i Kosovës. Kjo nuk duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë, por duhet të zgjidhet brenda Kosovës. E di që nuk do të jetë e lehtë, por mendoj se kjo duhet të jetë mënyra më e mirë që të zgjidhet kjo çështje”, tha Ambasadori britanik Ian Cliff në Universitetin AAB.

“Harrojeni që ka qenë investim britanik në vitet e njëzeta dhe të tridhjeta, një shekull më parë. Nuk ka pretendime nga ana e jonë, por ne e shohim Trepçën si motor për zhvillimin e Kosovës. Ekspertë nga Britania, Norvegjia dhe Gjermania e kanë shikuar Trepçën dhe kanë vlerësuar se mund ta bëni Trepçën ndërmarrje të suksesshme, sepse mund të nxirren përqindje të mëdha të metaleve”, ka thënë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, në një ligjëratë para studentëve të Universitetit AAB.

Siapas tij, problemi qëndron në atë se ka nevojë për një pastrim mjedisor për ta ngritur në standarde evropiane.

“Nuk mund ta keni atë se si ka qenë në kohën e Titos. Nuk mendoj se Trepça duhet te jetë në duart e Agjencisë së Privatizimit. Ju duhet të lidhni pjesën veriore dhe jugore të saj, dhe të tërhiqni ndonjë partner strategjik nga Evropa apo diku tjetër”.

Ambasadori Cliff tha se ka shumë iluzione në lidhje me Trepçën dhe se i duhen së paku pesë deri në dhjetë vjet një kompanie që të krijojë një profil me standarde evropiane.

Në pyetjen se nëse liria e Kosovës ka ardh si rezultat i gjakut boshnjak dhe kroat, dhe idesë së Ibrahim Rugovës për ta shmangur luftën në atë kohë, në fillim të viteve 1990, ambasadori Cliff u përgjigj, që kjo është një çështje delikate që ta thotë para medieve, por ai tha se është e sigurt që situata do të kishte qenë shumë më e ndryshme dhe me gjasë do të kishte marrë më shumë viktima në Kosovë.

Duke folur për perspektivën e Kosovës, ambasadori Cliff tha se në aspektin afatgjatë, Kosova do të jetë pjesë e BE-së, NATO-s.

Në këtë ligjëratë, ambasadori Cliff foli edhe për rrugën e gjatë të komb-ndërtimit anglez dhe u fokusua në pikat kyçe të këtij procesi, duke thënë se i kombit anglez ka qenë më i lehtë se sa i kombeve të tjera falë gjeografisë. Për këtë temë, paraprakisht foli edhe profesori i lëndës N. Spahiu.

Gjithështu, ambasadori britanik foli edhe për Konferencën e Londërs pas shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë më 1912, ku konfirmoi se kjo konferencë ka qenë ajo që e ka themeluar shtetin shqiptar, dhe se kur është bërë kjo janë marrë parasysh shumë interesa.

Këto teza ishin disa prej më interesanteve për të cilat foli ambasadori Ian Cliff gjatë ligjëratës në Universitetin AAB, në lëndën “Politika e jashtme” të prof. dr. Nexhmedin Spahiu, ku u trajtua politika e jashtme britanike.

Në fund të ligjëratës u zhvillua edhe  më tej një debat ku studentët e  AAB-së parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj ambasadori britanik Cliff.

 

© zëri.info