'Korrupsioni, i përhapur në të gjitha nivelet e pushtetit'

Ekonomia October 08, 2017 - 20:43

Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip ëHavolli, ka thënë se ka ngecje sa i përket luftimit të korrupsionit në vend, dhe se kjo paraqet problem sa i përket edhe çështjes liberalizimit të vizave.

“Sa i përket korrupsionit janë të përfshirë të gjitha nivelet, duke filluar nga niveli lokal deri te niveli i lartë. Domethënë të gjitha profilet janë të përfshirë në korrupsion, qoftë nga e kaluara që kam pasur informacione, qoftë tash nga pozita e drejtorit që jam tash”, ka thënë Havolli në RTV Dukagjini.

Sipas drejtorit të Agjencisë kundër korrupsionit, këto ngecje me korrupsionin janë nga viti në vit, dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të tjerë po kërkojnë të luftohet korrupsioni në nivele të profileve të larta.

“Të gjithë zyrtarët e lartë të BE-së kërkojnë luftimin e korrupsionit të nivele e profileve më të larta dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme dhe kërkojnë që prioritet të jetë luftimi i korrupsionit në nivelet më të larta”, ka deklaruar Havolli, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, korrupsioni mbetet sfidë për institucionet që kanë përgjegjësi për luftimin e saj dhe se kjo duhet të merret seriozisht nga të gjitha palët sepse edhe në raportet ndërkombëtare për Kosovën problematika e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sfidë.