Mikrofinancat, kredi me normë interesi deri në 31,16%

Ekonomia October 05, 2017 - 08:06

Normë interesi deri në 31,16 për qind janë duke aplikuar aktualisht institucionet mikrofinanciare që operojnë në vendin tonë.

Agjencia për Financim në Kosovë (AFK) është institucion mikrofinanciar jobankar i themeluar nga programi “Mercy Corps” për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në uebfaqen e këtij institucioni mikrofinanciar thuhet se misioni i AFK-së është përmirësimi i kushteve të jetesës në Kosovë, duke ofruar një qasje ndaj shërbimeve të qëndrueshme financiare për mikrondërmarrje dhe ndërmarrje të vogla.

Mirëpo normat e interesit që aplikon AFK-ja e pamundësojnë një gjë të tillë, shkruan tutje "Zëri".

“Për kredi për biznes nga 50 deri në 25 mijë euro norma efektive e interesit është nga 17,94 deri në 31,16 për qind, për kredi për renovim norma efektive e interesit është 28,6 deri në 31,16 për qind, për kredi për agrikulturë norma efektive e interesit është nga 19,44 deri në 29,21 %”, janë këto të dhëna të prezantuara në uebfaqen e këtij institucioni mikrofinanciar që operon në vendin tonë.

LEXO EDHE: Votohet marrëveshja, Kosova përfiton 71 milionë euro

Por, norma të ngjashme si kjo aplikojnë edhe shumë institucione tjera mikrofinanciare që janë duke operuar në Kosovë.

Në raportin e fundit të stabilitetit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se norma mesatare e interesit në kreditë e sektorit mikrofinanciar në qershor 2017 u rrit lehtësisht në 22,1 për qind.

Aty më tutje thuhet se norma e interesit për kreditë ndaj ekonomive familjare u rrit për 0,9 për qind, ndërsa norma e interesit për kreditë ndaj ndërmarrjeve u karakterizua me rënie prej 0.2 për qind.

“Sektori mikrofinanciar realizoi profit në vlerë prej 3.9 milionë eurosh deri në qershor 2017, krahasuar me profitin në vlerë prej 1.6 milion eurosh në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rritja më e lartë e të hyrave (kryesisht e atyre nga interesi), krahas rritjes më të ulët të shpenzimeve, ndikoi në profit më të lartë të realizuar në këtë periudhë. Si rezultat i performancës pozitive financiare gjatë tremujorit të parë të vitit 2017 treguesit e profitabilitetit shënuan përmirësim. Niveli i kredive joperformuese në raport me gjithsej kreditë deri në qershor 2017 u zvogëlua për 1.9 pikë përqindje kundrejt vitit paraprak, duke rënë në 2,5 për qind, nivel ky më i ulëti në vitet e fundit”, thuhet në raportin e stabilitetit financiar të BQK-së.

Aty më tutje thuhet se sektori mikrofinanciar u karakterizua me përshpejtim të rritjes së pasurive deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017”.

Gjithsej kreditë vazhduan të shënojnë rritje, përderisa norma mesatare e interesit ndërroi drejtimin e trendit rënës dhe u rrit lehtësisht.

Sektori shënoi rritje të theksuar të profitit, përderisa edhe cilësia e portofolit kreditor u përmirësua dukshëm”, thuhet në raportin e BQK-së.