Shpenzimet për derivate u rritën për 1.1 milion euro

Ekonomia September 23, 2017 - 08:20
Duke u bazuar në të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave (MF) shihet se gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti shpenzimet për derivate janë rritur për 1.1 milion euro. Deri në fund të muajit qershor për këtë qëllim janë shpenzuar mbi 9 milionë euro, apo 14% më shumë sesa gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak, shkruan sot Gazeta

Përdorimi i veturave zyrtare edhe jashtë orarit të punës ka rritur dukshëm shpenzimet për derivate gjatë gjysmës së parë të vitit 2017.

Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti shpenzimet për derivate në vend janë rritur për 1.1 milion euro në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Deri në fund të muajit qershor për këtë qëllim janë shpenzuar mbi 9 milionë euro, apo 14% më shumë sesa gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak, shkruan tutje "Zëri".

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti shpenzimet për 11% janë rritur edhe në kategorinë buxhetore të identifikuara si shpenzime të shërbimeve.

LEXO EDHE: Mungojnë tekstet mësimore, i blejnë vetë prindërit

Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti për këtë qëllim janë shpenzuar hiç më pak se 19.95 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak janë shpenzuar 17.93 milionë euro.

Shpenzimet për 21 për qind gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, janë rritur edhe në kategorinë buxhetore blerje të tjera për mallra e shërbime.

Sivjet për këtë qëllim, sipas të dhënave të MF-së, janë shpenzuar 28 milionë euro, derisa në 6-mujorin e parë të vitit 2016 janë shpenzuar 23 milionë euro. Shpenzimet për 1 për qind po ashtu janë rritur edhe për udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2017 për këtë kategori buxhetore janë shpenzuar 4.85 milionë euro, e derisa në periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas janë shpenzuar 4.82 milionë euro.

Shpenzimet e telekomunikimit

Gjithnjë duke u bazuar në raportin gjashtëmujor të buxhetit të këtij viti shihet se për shpenzimet e telekomunikimit për 6 muaj në Kosovë institucionet kanë shpenzuar 2 milionë euro, apo rreth 130 mijë euro më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Për ndërtim të rrugëve, sipas të dhënave zyrtare të MF-së, gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti shihet se janë shpenzuar 122 milionë euro, apo 43 për qind më shumë sesa në vitin që lamë pas, e ku për këtë qëllim ishin shpenzuar 85.5 milionë euro, e derisa gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2015 për ndërtim të rrugëve ishin shpenzuar 60 milionë euro.

Në raport me vitin paraprak shpenzimet për 52 për qind janë rritur për pagesat për veteranët e luftës.

Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti për këtë qëllim janë shpenzuar 30.66 milionë euro, derisa në 6-mujorin e vitit paraprak janë shpenzuar 20.24 milionë euro.

Zhvillimi i sektorit të bujqësisë edhe më tutje thuhet se është prioritet i institucioneve të shtetit, por në realitet po ndodh e kundërta, buxheti për bujqësi sivjet thuajse nuk është prekur fare.

Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti subvencione për bujqësi janë ndarë rreth 400 mijë euro, derisa gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak janë shpenzuar më shumë se 6 milionë euro, e në vitin 2015 për këtë qëllim janë shpenzuar më shumë se 25 milionë euro.