Ministri i Financave jep një lajm shumë të mirë për pagat

Ekonomia September 22, 2017 - 11:30

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka premtuar se do të ketë rritje të pagave për shërbyesit civilë të cilët paguhen nga buxheti i shtetit.

Sipas tij, gjatë mandatit të kaluar qeverisës nuk ka pasur planifikim të mirë të shpenzimeve.

Madje, siç ka thënë ai, edhe buxheti i planifikuar prej 2 miliardë eurove për vitin 2017, nuk ka qenë i mirë planifikuar pasi që me rishikim të buxhetit kjo shumë do të ulët në 1.8 milion euro.

Ministri Bedri Hamza i cili menaxhon me kuletën e shtetit ka thënë se i është dashur që t’i gjejnë rreth 100 milionë euro për t’i mbuluar mungesat buxhetore.

“Bilanci bankar kur e kam pranuar detyrën e ministrit të Financave ka qenë 467 milionë euro, por ky bilanc nuk krahasohet në këtë mënyrë. Këto para nuk janë rezultat i ndonjë mbi përformance, por ka ardhur për shkak të mos planifikimit të mirë dhe situatës së krijuar në vend pas zgjedhjeve”, tha ai.

Hamza për Telegrafin ka thënë se rishikimi i buxhetit në aspektin teknik dhe profesional është kryer.

“Flasim këtu për një shumë prej rreth 100 milionë eurove që është dashur t’i mobilizojmë. Prej tyre, rreth 27 milionë për kategoritë e dala nga lufta, rreth 50 milionë shtesë për Autostradën Prishtinë–Hani i Elezit, vendimet gjyqësore, çështja e pasaportave, zgjedhjet lokale. Buxheti nuk ka mundësi të realizohet ashtu siç është planifikuar në shumë prej 2 miliardë eurove, por me rishikim buxhetin për këtë vit do ta kemi 1.8 miliard euro”Por sipas tij, edhe me rishikim nuk është bërë zgjidhja e plotë për autostradën Arbër Xhaferi.

“Nevojiten 70 milionë euro, ne kemi arritur t’i mobilizojmë 50 milionë euro, pas 1 tetorit priten të rialokohen edhe 20 milionë euro pasi kjo lejohet edhe me ligjin e buxhetit”.

Ai edhe një herë e ka rikonfirmuar se do të ketë rritje të pagave, por e cila do të bazohet sipas rritjes ekonomike.

“Rritja e pagave do të jetë në përputhje me rritjen ekonomike nominale dhe mbi bazë të kësaj do të krijohet dhe buxheti për vitin 2018. Fokusi i ynë do të jetë mbështetja për sektorin privat. Do të fillojmë me masa të cilat do të prodhojnë rezultate”, thekson ministri Hamza.