Spitali i Prishtinës, vetëm premtim parazgjedhor

Ekonomia September 22, 2017 - 08:14

Arben Vitia, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, ka thënë se për vitin 2018 janë ndarë 60 mijë euro për inicimin e procedurave rreth ndërtimit të spitalit të Prishtinës. Por opozita në këtë Komunë këtë po e sheh si projekt elektoral të lëvizjes “Vetëvendosje”. Po ashtu edhe gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve të kaluara ishte premtuar ndërtimi i spitalit, por deri më tash ka mbetur vetëm si ide, shkruan sot, gazeta Zeri.

Komuna e Prishtinës, e cila drejtohet nga Shpend Ahmeti, po planifikon gjatë vitit që vjen t’i nisë procedurat për ndërtimin e spitalit të Prishtinës. Në anën tjetër përfaqësues të opozitës në Komunën e Prishtinës këtë po e shohin si marketing politik të kryetarit Ahmeti.

Arben Vitia, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, thotë se ndërtimi i spitalit të Prishtinës nuk është premtim elektoral, por projekt që do të realizohet.

Ai ka shtuar se deri më tash nuk kanë mundur të bëjnë asgjë në këtë drejtim për shkak të mungesës së ligjit, por që më miratimin e tij në vitin 2018 edhe projekti për ndërtimin e spitalit do të fillojë.

“Nuk është premtim para fushatës, por ne nuk kemi mundur deri më tash të bëjmë asgjë, pasi në mungesë të Ligjit për Prishtinën një spital i tillë do të ishte nën menaxhimin e SHSKUK-së. Si rrjedhojë, deri më tash nuk kemi mundur që ne me mjetet tona të ndërtojmë një spital të tillë dhe të financojmë në të, ndërsa të na menaxhohet nga SHSKUK-ja. Andaj, ne kemi pritur që të kalojë Ligji për Prishtinën, i cili ka ngecur për shkak të situatës aktuale në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Vitia për gazetën “Zëri”.

Ai më tutje shpreson se gjatë vitit që vjen do të miratohet Ligji për Prishtinën dhe më pastaj do të nisin procedurat për ndërtimin e spitalit të Prishtinës. Ai më tutje ka thënë se ky nuk është projekt vetëm i Shpend Ahmetit dhe i lëvizjes “Vetëvendosje”, por është projekt i gjithë qytetarëve, ndërsa shtoi se në buxhetin e ndarë për vitin 2018 për këtë spital kanë ndarë një shumë prej 60 mijë eurosh.

“Ky nuk do të jetë projekt vetëm i Shpend Ahmetit dhe i ‘Vetëvendosjes’, por i gjithë qytetarëve, pasi që do të këtë debate me të gjithë në mënyrë që të japin mendimin e tyre rreth ndërtimit. Një spital i qytetit gjithashtu do të lehtësojë edhe punën e QKUK-së, e cila për shkak të mungesës së një spitali në qendër po ka mbingarkesë të pacientëve. Në buxhetin e ndarë për vitin 2018 kemi ndarë rreth 60 mijë euro për përgatitjen dhe për procedurat, të cilat do t’i paraprijnë ndërtimit të spitalit, i cili shpresojmë që ndërtimi i tij të fillojë në vitin 2019”, ka thënë ai.

 Qelaj: Projekti ka qenë yni

Lirak Qelaj, kandidat nga PDK-ja për kryetar të Prishtinës, njëherësh edhe deputet në Asamblenë Komunale, thotë se ka qenë pikërisht drejtori Vitia i cili ka kundërshtuar vazhdimisht një projekt të tillë kur ai si deputet e ka shtruar disa herë në debate gjatë këtij mandati. “Kjo është deklaratë e bërë para fushatës dhe ky projekt ka qenë yni në zgjedhjet e kaluara, por fatkeqësisht nuk kaloi atëherë kandidati ynë. Unë kam kërkuar vazhdimisht që Prishtina ta ketë spitalin e vet, por pikërisht ky drejtor e ka protestuar me një arsyetim banal se nuk mund të ndërtojë një spital ku stafin do ta zgjedhë Ministria e Shëndetësisë. Ndërkaq, tash ai pas katër vjetësh flet për këtë punë, kjo është fushatë dhe asgjë më shumë. Nuk ka lidhje Ligji për Prishtinën pasi qytetet e tjera nuk kanë ligje, por kanë spitale. Ata nuk kanë pasur vizion për këtë ndërtim. Këta nuk kanë dashur të merren me këtë punë asnjëherë, por tash para fushatës po mundohen të flasin për këtë çështje, të cilën më herët nuk kanë dashur, për arsyetime banale”, ka thënë Qelaj.

Gashi: Projekt për marketing politik

Edhe deputeti i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, Agim Gashi, mendon se kjo deklaratë e drejtorit të Shëndetësisë nuk është asgjë më shumë së një marketing para fushatës zgjedhore. Sipas tij, përveçqë nuk është ndarë as parcela për këtë objekt, problem tjetër është edhe mosmiratimi i Ligjit për Prishtinën. “Kjo është marketing para fushatës për arsye se nuk mund të hartohet objekti i tij pa u përcaktuar lokacioni se ku do të ndërtohet dhe kjo përfundimisht është vetëm marketing elektoral. Duke pasur për bazë se Prishtina nuk ka as ligj të veten ka edhe disa probleme të tjera. Ende nuk është miratuar as buxheti, pasi nuk ka ardhur në Kuvend. Për ndërtimin e një spitali të tillë është diskutuar që nga vitit 2007, por për arsye të mosmiratimit të Ligjit për Prishtinën ky projekt nuk ka mundur të realizohet deri më tash”, ka thënë Gashi.