Lajm i mirë, ja kur pritet të ketë rritje rrogash në sektorin publik

Ekonomia September 21, 2017 - 23:38

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka paraparë që nga muaji janar i vitit të ardhshëm të bëhet rritja e pagave në sektorin publik.

Kjo sipas ministrit do të bëhet duke u bazuar në rritjen buxhetore.

Zyra për Informim e ministrit Hamza, në një përgjigje për “Indeksonline” ka thënë se buxheti do të rritet deri në mbi 2 miliardë dhe kjo do të ndodhë falë rritjes ekonomike.

“Rritje të pagave për shërbyesit publik do të jetë pjesë e Buxhetit të vitit 2018. Rritja e pagave do të jetë në përputhje me rritjen ekonomike, në përputhje me mundësitë reale buxhetore, si dhe brenda infrastrukturës legale. Buxheti i vitit 2018 do të jetë mbi 2 miliardë euro, do të jetë buxhet i qëndrueshëm, i cili buxhet do të jetë i bazuar në të hyrat e rregullta të buxhetit, si rezultat i rritjes ekonomike dhe si rezultat i zvogëlimit të informalitetit”, bëhet e ditur në përgjigjen e Zyrës për Informim.

Kujtojmë se paga minimale në Kosovë është 150 euro për të punësuarit nën moshën 35 vjeç, ndërsa mbi këtë moshë, paga minimale kap 170 euro.
Kjo pagë nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011.