Lluka: KEK-u i mbulon shpenzimet e shpronësimeve në Hade dhe Shipitullë, mjetet i ka derdh në BQK

Ekonomia September 18, 2017 - 16:25

 

Ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka folur për programin dhe prioritetet e mandatit të tij.

Në intervistën e parë për media si ministër, Lluka ka folur për detajet e marrëveshjes të arritur ndërmjet Qeverisë dhe banorëve të fshatrave Hade dhe Shipitullë të Komunës së Obiliqit.

Ai ka thënë se nëse shpronësimet do të kryheshin më herët, kostoja do të ishte shumë më e lirë sesa sot. Sipas tij, në ato fshatra ka shumë objekte të ndërtuara pa leje.

“Në fillim, kostoja totale e shpronësimeve ka qenë 4.5 milionë euro, por për shkak të ndërtimeve ilegale ka shkuar në 15.5 milionë euro. Koston e shpronësimeve do ta bartë KEK-u. Kjo ndërmarrje ka alokuar shumë e nevojshme në një llogari në BQK-së”, ka bërë të ditur ai.

Ministri ka treguar disa detaje nga plani i tij.

“Plani besoj që do të kalojë në Qeveri. Fokus e kemi sektorin energjisë elektrike me termocentralin e ‘Kosova e Re’ dhe energjinë e ripërtëritshme; sektorin e IT-së me fondin për ndërmarrësi; si dhe fusha e minierave dhe mineraleve – me fokus të veçantë ‘Trepçën”, tha ai.

Lluka shprehet se në shumë ndërmarrje publike ka keqmenaxhim, kurse për ‘Trepçën’ shprehet se duhet t’i funksionalizimit bordi dhe të menaxhmenti.

’Trepça’ do të funksionojë me një bord të vetëm, si në jug po ashtu edhe në veri”, tha ai.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka bërë të ditur se do të krijohet i ashtuquajturi Agjencioni i Participimeve, i cili do të merret me rritjen e aseteve publike – me theks të veçantë të pronave që janë në privatizim.

Kur është fjala te ‘Kosova e Re’, ai ka thënë se do të tentojnë që “t’i rishikojnë disa pika, para se marrëveshja të jete gati për nënshkrim”.

Lluka ka folur edhe për Telekomin e Kosovës, për të cilin thotë se nuk është koha për ta privatizuar.