Komunat zvarrisin vlerësimin e dëmeve nga zjarret

Ekonomia September 16, 2017 - 08:23

Në Mitrovicë, Vushtrri dhe në Drenas zjarret e korrikut dhe të gushtit kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha të pyjeve, të arave dhe të kullosave, madje në Vushtrri dhe në Mitrovicë edhe objektet shkollore dhe hoteliere. Ndonëse dëmet vlerësohen të jenë milionëshe komunat ende nuk kanë dalë me raportet e vlerësimit, në bazë të të cilave MBPZHR-ja do ta bëjë kompensimin, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Temperaturat tropikale që kanë dominuar në korrik dhe në gusht të këtij viti në gjithë vendin kanë shkrumbuar sipërfaqe të tëra të pyjeve, kullosave dhe arave të komunave Mitrovicë, Vushtrri dhe Drenas.

Madje janë djegur edhe objekte shkollore (në Mitrovicë) dhe objekte hoteliere (në Vushtrri). Por, megjithëse dëmet vlerësohen të jenë milionëshe, Komuna e Mitrovicës, ajo e Vushtrrisë dhe Komuna e Drenasit ende nuk kanë vlerësuar dëmet.

Zyrtarët komunalë të këtyre komunave i kanë thënëZërit, të premten, se kanë formuar komisionet që vlerësojnë dëmet nga fatkeqësitë natyrore, por që ato ende nuk kanë bërë vlerësimin e dëmeve.

Mitrovica e Jugut dhe Mitrovica e Veriut janë përballur me disa vatra zjarresh, që përveç se kishin përfshirë mbi 100 hektarë të pyjeve, kullosave dhe arave, kishin rrezikuar edhe shtëpitë, sidomos në rajonin e Rekës së Keqe dhe në “Cernushë” në veri të Mitrovicës, si dhe në vetë qytetin e Mitrovicës, në lagjen “Bair”.

LEXO EDHE: Për 6 muaj, 76 milionë euro investime në patundshmëri

 Një zjarr që kishte shpërthyer në një shtëpi në lagjen “Bair” kishte depërtuar edhe në shkollën “Musa Hoti”. Objekti i shkollës, sipas zyrtarëve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës ka pësuar dëme të mëdha. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Musa Dragaj, ka thënë se Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve ende nuk e ka përfunduar punën.

“Komisioni është i formuar për vlerësimin e dëmeve në rastet emergjente. Sigurisht që dëmet kanë qenë të mëdha, por Komuna ende nuk ka bërë ndonjë vlerësim”, ka thënë Dragaj, duke veçuar dëmet që janë shkaktuar në shkollën “Musa Hoti” në “Bair”. Vlerësohet se dëmet e shkaktuara nga zjarri në këtë shkollë sillen rreth 1 milion euro. Dragaj thotë se vlerësimi i dëmeve do të bëhet në bashkëpunim me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, ndërsa raporti do t’i dorëzohet Ministrisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural të Republikës së Kosovës, i cili do t’i kompensojë dëmet.

Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve nuk e ka përfunduar punën as në komunën e Vushtrrisë, ndonëse në këtë komunë dëmet nga zjarret vlerësohen të jenë më të mëdha se në Mitrovicë. 

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Vushtrrisë, Nezir Klinaku, i ka thënë “Zërit” të premten se në rajonin e kësaj Komune kanë qenë aktive 68 vatra zjarresh, të cilat janë shuar falë intervenimit të zjarrfikësve të Vushtrrisë dhe të atyre të komunave Skenderaj e Vushtrri. Ai ka veçuar zjarret që kanë rrezikuar edhe shtëpitë në fshatrat Taraxhë, ku janë djegur pishat, pastaj në Pasomë, Tërllabuq, Skromë, Kurillovë, Gojbulë, Nevolan e Beçuk. Ai tha se sipërfaqe të tëra të pyjeve dhe të kullosave në këto fshatra janë përfshirë nga zjarret. Autorët që kanë shkaktuar zjarret nuk dihen dhe nuk janë zbuluar, ndonëse Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht Këshilli i Drejtorëve i kësaj komune, u ka kërkuar organeve të sigurisë, në veçanti Policisë së Kosovës, që t’i gjejnë zjarrvënësit, pavarësisht nëse zjarret i kanë shkaktuar me qëllim apo pa vetëdije.

“Komisioni që është i formuar për këso rastesh nuk ka përfunduar punën. Besohet se dëmet janë të mëdha, por dihet tashmë se Komuna e Vushtrrisë nuk ka buxhet për t’i kompensuar dëmet. Raporti do t’i dorëzohet ministrisë përkatëse, e cila në bazë të vlerësimit do ta bëjë edhe kompensimin e dëmeve”, ka thënë Klinaku.

Ndonëse drejtori Klinaku nuk ka potencuar, një zjarr i madh ka shpërthyer në gusht në objektin e hotelit “Kalaja” në Vushtrri. Zjarrfikësit nuk kishin arritur të bëjnë shumë punë për ta shuar zjarrin, e për pasojë dy katet e larta të këtij hoteli ishin djegur krejtësisht. Në fatkeqësi ka edhe fat pasi që asnjë nga mysafirët që ndodheshin në 30 dhomat e mbushura të hotelit nuk është lënduar. Dëmet që janë shkaktuar nga zjarri janë vlerësuar në mbi 1 milion euro. Kompensimin e dëmit nga zjarri që kishte shpërthyer në hotelin “Kalaja” në Vushtrri pretendohet se duhet ta bëjë KEDS-i për shkak se është konstatuar se zjarri ka shpërthyer për shkak të tensionit të ulët të rrjetit elektrik.

Në anën tjetër, në Komunën e Drenasit zjarret e korrikut dhe të gushtit kanë shkrumbuar sipërfaqe të mëdha të pyjeve dhe të kullosave në Godanc, që janë shtrirë deri tek “Guri i Plakës”, në kufi me fshatin Grabovc të Fushë Kosovës. Drejtoresha për Shërbime Publike në Komunën e Drenasit, Lumnie Krapi, tha se Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve nga fatkeqësitë natyrore ka dalë në të gjitha ato vende që nga qytetarët është raportuar për dëme materiale dhe ka vlerësuar se zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha. Ajo tha gjithashtu se Raporti i vlerësimit të dëmeve ende nuk ka përfunduar. Ajo ka rekomanduar që të dhënat të kërkohen tek Njësia e Zjarrfikësve në Drenas, pasi që, sipas drejtoreshës Krapi, ata duhet ta kenë të gatshëm raportin.

Por, pos nga zjarret, Komuna e Vushtrrisë dhe ajo e Drenasit janë goditur edhe nga erërat e forta dhe furtuna që kishte përfshirë këto dy komuna një javë më parë. Nezir Klinaku, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Vushtrrisë, i tha “Zërit” se shiu me intensitet të lartë dhe era e fortë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale nëpër objekte të ndryshme banimi dhe në rrjetin elektrik.

“Nga dëmet e shkaktuara shumë fshatra e lagje të qytetit kanë mbetur pa energji elektrike, kurse Njësia e Zjarrfikësve është dashur të intervenojnë në disa raste për mënjanimin e shtyllave elektrike. Deri më tani janë raportuar tri raste kur era e fortë ka dëmtuar tërësisht pullazet e shtëpive dhe 15 raste të tjera ku në masë të madhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në shtëpi banimi. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe Njësia e zjarrfikësve, kanë evakuuar një familje, e cila ka qenë e rrezikuar nga rrjeti i dëmtuar elektrik. Dëme të mëdha janë regjistruar edhe në bujqësi, sepse shumë fermerë tashmë kanë mbetur pa serra dhe të mbjella”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se Komisioni gjithashtu do t’i vlerësojë dëmet nga stuhia dhe era e fortë.  

Në Drenas, ndërkaq, era e fortë dhe stuhia kanë dëmtuar ekonomitë familjare, shtëpi banimi, stalla, biznese dhe industri, ndërsa është dëmtuar edhe mbuloja e stadiumit “Rexhep Rexhepi”.
“Komisioni ka dalë në terren dhe është duke vlerësuar dëmet që janë shkaktuar nga stuhia që ka goditur komunën e Drenasit. Raporti i vlerësimit të dëmeve, sikurse në rastin e dëmeve nga zjarret, do t’i dorëzohet MBPZHR-së, e cila edhe do t’i kompensojë dëmet”, ka thënë drejtoresha e Shërbimeve Publike, Lumturie Krapi.