Për 6 muaj, 76 milionë euro investime në patundshmëri

Ekonomia September 16, 2017 - 08:19

Nga 139 milionë euro sa ka arritur vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte në Kosovë në gjysmën e parë të këtij viti rreth 76 milionë euro janë investuar në patundshmëri, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Investimet e huaja në Kosovë nuk pritet të shënojnë rritje as edhe këtë vit.

Nëse krahasojmë investimet e huaja prej vitit 2007 e deri më tani shohim që viti 2007 ishte viti që ka sjellë më së shumti investime të huaja në Kosovë, me plot 440.7 milionë euro.

Kjo shifër nuk arriti të kalohej edhe pas 10 vjetëve.

Niveli më i ulët i investimeve të huaja në Kosovë ishte gjatë vitin 2014, me vetëm 151.2 milionë euro, shkruan tutje "Zëri".

Në vitin 2008 në Kosovë ishin 369.9 milionë euro investime të huaja, në vitin 2009 investimet arritën shifrën e 287.4 milionë euro, në vitin 2010 rreth 370 milionë euro, në vitin 2011 investimet kishin arritur shifrën e 384.4 milionë eurove.

LEXO EDHE: Përfundon autopsia e tre pacientëve që vdiqën në QKUK

Gjatë vitit 2012 totali i investimeve ishte 229.1 milionë euro, në vitin 2013 kishte 280.2 milionë euro investime, në vitin 2014 rreth 151.2 milionë euro, në vitin 2015 kishte 308.8 milionë euro investime dhe në vitin 2016 shifra e investimeve ishte rreth 216 milionë euro

Gjermania, shteti që investoi më së shumti në Kosovë gjatë vitit 2017

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 investimet e huaja arritën shifrën e 139.2 milionë eurove. Gjermania ishte shteti që gjatë kësaj kohe ka investuar më së shumti në Kosovë, me 29.7 milionë euro, e pasuar nga Zvicra, me rreth 22.8 milionë euro investime. Austria investoi me 20.4 milionë euro, SHBA-ja me 11.9 milionë euro dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me 11.2 milionë euro.

Listës së investitorëve të huaj i shtohen edhe Britania e Madhe, me 10.8 milionë euro, Shqipëria me 8.8 milionë euro, Turqia me 8.3 milionë euro, Italia me 2.5 milionë euro dhe investimet nga shtetet tjera rreth 12.8 milionë euro. Nëse analizojmë investimet e huaja në Kosovë gjatë periudhës janar-qershor, sipas aktivitetit ekonomik, 75.4 milionë euro u investuan në patundshmëri, në qiradhënie dhe në aktivitetet biznesore. Në shërbime financiare investimet arritën shifrën e 37.6 milionë eurove. Në miniera 6.6 milionë euro, në shërbimet tregtare kishte 6.7 milionë euro investime dhe në ndërtim vlera e investimeve arriti shifrën e 14.4 milionë eurove.

Pa përmirësim të sundimit të ligjit s’ka investime

Sipas Odës Ekonomike të Kosovës në Kosovë më shumë flitet për investimet e huaja sesa që bëhet diçka për ato. Safet Gerxhaliu, kryetar i OEK-ut, theksoi se për rritjen e investimeve duhet të ketë përmirësim të sundimit të ligjit.

“Dy mekanizmat kyç që do ta përmirësojnë imazhin e Kosovës dhe do t’i rrisin investimet e huaja janë promovimi i sundimit të ligjit dhe të promovohet më tepër ekspertiza shkencore. Në një vend që nuk ka sundim të rendit dhe të ligjit është topike të mendohet për investimet e huaja. Edhe bizneset ekzistuese mund të largohen nëse nuk do të ketë përmirësime në këto mekanizma”, tha Safet Gerxhaliu. Sipas tij, ngërçi institucional ka pasur efekte negative në ekonominë e vendit. Ai thotë që nëse dëshirojmë të kemi investime të huaja në Kosovë duhet ta përmirësojmë imazhin e Kosovës dhe të mësojmë nga praktikat dhe përvojat e vendeve të rajonit e më gjerë.

“Ne besojmë që obligimi kryesor i Qeverisë aktuale është avancimi i proceseve politike, forcimi i diplomacisë ekonomike dhe një agresivitet në përmirësimin e imazhit të Kosovës. Ne duhet të mësojmë nga përvojat dhe praktikat e vendet të rajonit dhe më gjerë, të cilat janë shumë më agresive në tërheqjen e investimeve të huaja. Maqedonia, edhe pse me probleme politike, etnike dhe me probleme identiteti, ka rritje eksporti 10 herë më të madhe se Kosova”, shtoi ai. Sa u përket investimeve të huaja, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 ai tha se kjo shifër është shumë më e ulët se në vendet e rajonit dhe shumica e këtyre investimeve bëhen nga diaspora.

“Është e vërtetë që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kemi pasur 139.2 milionë euro investime të huaja. Në krahasim me vendet e rajonit dhe me vitin paraprak kjo shifër është shumë e ultë dhe pjesa dërmuese e këtyre investime janë nga diaspora. Kur jemi te diaspora, ne kemi obligim moral të bëjmë më tepër, ta kemi një pako fiskale ose ta kemi një qasje institucionale më profesionale ndaj tyre”, tha Safet Gerxhaliu.

Të pakënaqur me ambientin biznesor

 “Mungesa e stabilitetit politik dhe sidomos mungesa e ofertës për të investuar kanë qenë dy faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rënien e investimeve të huaja. Biznesi në Kosovë është i pakënaqur me ambientin e të bërit biznes, i cili do të mundë të ishte edhe shtytësi kryesor për investime tjera që do të vinin nga jashtë. Kemi disa raste kur bizneset kanë pasur plane për investime disamilionëshe, por problemet me energji elektrike, mungesa infrastrukture apo burokracia e panevojshme për licenca kanë shtyrë që këta investitorë t’i tërheqin investimet e tyre”, tha Ismet Mulaj nga Oda e Afaristëve të Kosovës.

Ai theksoi se ky vit pritet të jetë ndër vitet më të këqija, sepse ka humbur besimi në Qeverinë e Kosovës që mund të bëjë reforma strukturore ekonomike. Mungesa e investimeve në miniera, industri dhe në prodhimtari janë si rezultat i mungesës së ofertës konkrete dhe ambientit fiskal për të investuar. “Nuk ka investime në miniera, sepse mungon oferta konkrete, si dhe po abuzohet me licencat që po jepen nga KPMM-ja.

Këto licenca po uzurpohen dhe ato po shiten në tregun e zi. Sektori minerar mund të jetë njëri prej sektorëve me interes për biznesin ndërkombëtar dhe vendor. Ndërsa për investimet në industri dhe në prodhimtari Kosova nuk ka ofertë konkrete dhe ambient fiskal për të investuar. Mungesa e energjisë elektrike, performanca e keqe e gjyqësorit si dhe politikat fiskale janë disa faktorë që po ndikojnë në zhvillimin e industrisë dhe të prodhimit. Sipas z. Mulaj, tarifat për ndërtim të objektit për prodhim janë të njëjta sikur objektit për tregti.

“Tarifat për ndërtim objekti për prodhim janë te njëjta sikur objekti për tregti. Kjo dëshmon më së miri se çka bëjmë ne për prodhimin. Biznesi prodhues një gjë kërkon: “barazimin me taksa me importuesin”, shtoi ai.

 

 

Grafika 1:

IHD-të sipas shteteve

Gjermania - 29.7 milionë euro
Zvicra - 22.8 milionë euro
Austria - 20.4 milionë euro
SHBA-ja - 11.9 milionë euro
Emiratet Arabe - 11.2 milionë euro
Britania e Madhe - 10.8 milionë euro
Shqipëria -  8.8 milionë euro
Turqia - 8.3 milionë euro
Italia - 2.5 milionë euro

 

 

Grafika 2:

IHD-të sipas sektorëve

 

1. Patundshmëri - 75.4 milionë euro

2. Shërbime financiare - 37.6 milionë euro

3. Miniera - 6.6 milionë euro

4. Tregti - 6.7 milionë euro

5. Ndërtimtari - 14.4 milionë euro