Fermerët në krizë,1 kilogram patate po e shesin për 15 centë

Ekonomia September 15, 2017 - 08:51

Në komunën e Vushtrrisë, e njohur në Kosovë dhe në rajon për kultivimin e patates, janë mbjellë 1.468 hektarë tokë, kryesisht në Pestovë, por edhe në fshatrat tjera, nga të cilët janë nxjerrë rreth 50 mijë tonë. Sfidë ka qenë edhe çmimi i ulët i shitjes, 0.15-0.17 euro për një kilogram, që është çmim shumë i ulët për fermerët, shkruan sot, gazeta Zeri.

Rreth 50 mijë tonë patate janë nxjerrë në këtë vit nga arat e komunës së Vushtrrisë, e njohur në rajon për kultivimin e saj. Rendimentet e sivjetme, pavarësisht thatësisë që ka mbretëruar, kanë qenë të larta dhe fermerët janë shprehur të kënaqur.  Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik dhe Bujqësi në komunën e Vushtrrisë, Arta Haxhaj, i tha “Zërit” të hënën se në gjithë rajonin e komunës ka pasur të mbjella me patate 1.468 hektarë tokë. Sipas saj, për një hektar tokë të mbjella me patate janë nxjerrë prej 30 deri në 35 tonë. Duke u bazuar në të dhënat që ka dhënë ajo, sivjet nga arat e komunës së Vushtrrisë janë nxjerrë rreth 50 mijë tonë patate. “Patatja është kulturë në listën e subvencionimit të MBPZHR-së dhe për 1 hektar fermeri ka marrë subvencion 300 euro. Në komunën e Vushtrrisë sipërfaqe të mbjella dhe të subvencionuara me patate janë 1467.23 hektarë. Komuna e Vushtrrisë posedon tokë bujqësore të pëlleshme, gjë që mundëson kultivimin e suksesshëm të patates. Prodhimi i patates në Vushtrri është traditë, ndërsa patatet e Vushtrrisë për nga cilësia kanë qenë kaherë të njohura jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë. Komuna e Vushtrrisë ka një numër relativisht të madh të fermerëve që merren me kultivimin e saj dhe përpos që prodhojnë për tregun e brendshëm prodhojnë edhe për tregun e jashtëm, gjegjësisht për eksport. Fermerët vushtrrias kanë përvojë të shkëlqyer në prodhimin e patates, gjë që arrijnë rendimente të kënaqshme. Po ashtu për nga cilësia patatja e Vushtrrisë është ndër më të kërkuarat në tregun vendor dhe të jashtëm”, ka thënë drejtoresha Haxhaj, e cila ka përsëritur se këtë vit fermerët e Vushtrrisë kanë mbjellë me patate 1.468 hektarë tokë bujqësore.

 Një kilogram patate kushton 15 centë

Ajo shtoi se ka kultivues të cilët kanë mbjellë edhe 20 hektarë tokë me patate, ndërsa sqaroi se ka kompani të cilat jo vetëm që i mbjellin, por edhe i përpunojnë me qindra hektarë toke me patate. Drejtoresha Haxhaj përmendi në këtë rast kompanitë: “Vipa Pestova”, “Agro Vini” dhe “Unikonsum”.  “Vendet në të cilat eksportohet patatja e Vushtrrisë janë kryesisht Shqipëria, Mali i Zi e herë-herë edhe Serbia. Si sfidë kryesore e fermerëve është çmimi i lartë i farave të importuara (rreth 0.80 euro për një kilogram), i plehrave, si dhe i lëndëve tjera: herbicidet, pesticidet, gjë që rrit ndjeshëm koston e prodhimit. Sfidë ka qenë edhe çmimi i ulët i shitjes, 0.15-0.17 euro për një kilogram, që është çmim shumë i ulët për fermerët. Gjithashtu problem për fermerët është edhe fakti se nuk ka kompani që bën kontraktimin e prodhimit në fazën e mbjelljes”, tha ajo.  Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik dhe e Bujqësisë, Arta Haxhaj, si sfidë tjetër për kultivuesit e patates ka potencuar shkatërrimin e bedenave (bankinave) të lumit Silnica, për ç’arsye gjatë reshjeve pranverore të shiut lumi del nga shtrati dhe përmbyt sipërfaqe të tëra të mbjella me patate.  “Komuna nuk ka mjete që ta sanojë gjendjen e bedenave të lumit për arsye se ka kosto të lartë gjë që tani apeloj tek institucionet qendrore të ndërhyjnë në rregullimin e bedenave,  sepse pothuajse për çdo vit po bëhen dëme të mëdha në kulturën e patates.

Ndihmohen 1612 fermerë

Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik dhe Bujqësi në komunën e Vushtrrisë, Arta Haxhaj, ka precizuar se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Republikës së Kosovës ka subvencionuar fermerët me gjithsej 1.576.630 euro.  “Synimi për përmirësimin e klimës për të bërë biznes në komunë është realizuar pothuajse në tërësi, sepse nuk ekzistojnë kurrfarë barrierash administrative dhe të taksave për të filluar biznesin në komunën tonë për ndërmarrësit që të jenë të suksesshëm në treg. Tani bizneset regjistrohen pa pagesë vetëm me letërnjoftim dhe brenda afatit të shkurtër kohor, një ditë për biznese individuale dhe tri ditë për biznese të shoqërive aksionare. Ambienti i të bërit biznes na shtyn të bëjmë reforma të ndryshme të përmirësimit që është kusht edhe për një zhvillimin më të mirë ekonomik. Gjatë këtij viti kemi ndihmuar sidomos bizneset fillestare dhe bizneset prodhuese rreth aplikimit në shfrytëzimin e donacioneve të ndryshme, të cilat i kanë dhuruar shoqatat e ndryshme joqeveritare, donacione të Ministrisë së Bujqësisë e të tjerë. Vlen të përmendet se nga grandet që i ka ofruar shoqata ‘Help’ kanë fituar 43 biznese, të cilat tani zhvillojnë me sukses veprimtarinë e tyre, si dhe 47 biznese këtë vit”, ka sqaruar ajo. Drejtoresha Haxhaj theksoi se Komuna ka hartuar Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal, ku prioritet i është dhënë zhvillimit të bujqësisë.  “Kemi ndihmuar 1612 fermerë për aplikim në subvencione të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Me projektet e Komunës dhe donatorë kemi subvencionuar mbi 90 fermerë me serra, me mekanizëm bujqësor (makina për mbjelljen e grurit, misrit, makina për silazh), fidanë të mollës, arra, mjedra, dredhëza”, ka precizuar Haxhaj, e cila e ka vlerësuar Drejtorinë e saj si një ndër më të suksesshmet në Komunën e Vushtrrisë.  Për fund, drejtoresha për Zhvillim Ekonomik dhe Bujqësi në Komunën e Vushtrrisë, Arta Haxhaj, konstatoi se në vitin 2017 buxheti për bujqësinë është 432 mijë euro, i cili bashkë me donacionet arrin në rreth 1 milion euro.