OSHP-ja po e shkel ligjin

Ekonomia September 14, 2017 - 08:38

Ruajtja e integritetit institucional, shkelja e afateve kohore për trajtimin e ankesave dhe mungesa e konsistencës në vendimmarrje janë vetëm disa nga shkeljet, të cilat organizata joqeveritare “Demokracia Plus” i ka gjetur gjatë monitorimit katërmujor në Organin Shqyrtues të Prokurimit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Mungesa e konsistencës në vendimmarrje, shkelja e afateve kohore për trajtimin e ankesave, seancat e mbyllura dhe mënyra e punësimit të ekspertëve në konkursin e fundit kanë qenë vetëm disa nga shkeljet që i ka bërë Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP) në katër muajt e fundit. Këto të gjetura i bëri publike organizata joqeveritare “Demokracia Plus”, e cila prezantoi hulumtimin “Nyja e Prokurimit Publik”.

Isuf Zejna, hulumtues i kësaj organizate, tha se problem kryesor i OSHP-së vazhdon të mbetet ruajtja e integritetit institucional.

“Si rezultat i keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe mosrespektimit të ligjit dy anëtarët më të vjetër të OSHP-së, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu, janë të akuzuar për ‘Korrupsion’ nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ndërsa anëtari i tretë është Zeqir Fetoshi, udhëheqës i Divizionit për Shqyrtim të Ankesave. Shkeljet e fakteve kohore nga OSHP-ja për trajtimin e ankesave, përzgjedhja e lëndëve dhe përfundimi i tyre me kohë bazohen tërësisht në vullnetin e OSHP-së, pasi që nuk ka mekanizëm të përzgjedhjes së lëndëve, i cili do të parandalonte qasjen subjektive. Interpretimi i Ligjit të Prokurimit në mënyra të ndryshme për çështje të njëjta, pranimi i ekspertëve të cilët kanë qenë të dënuar për ‘Mashtrim’ me votë në konkursin e fundit janë vetëm disa nga shkeljet, të cilat i kemi gjetur nga monitorimi katërmujor në këtë organ”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Ministria e Financave dhe Komuna e Kamenicës, kritika njëra-tjetrës

Ndërsa Sara Zhubi, ka prezantuar 10 rekomandimet që i janë bërë OSHP-së. Përmes këtyre rekomandimeve Zhubi thotë se besojnë që do të rritet integriteti i tij, shkruan tutje "Zëri".

“Fillimisht ne rekomandojmë që OSHP-ja të gjitha seancat e shqyrtimit dhe të vendimmarrjes t’i ketë të hapura për publikun, në mënyrë që të mundë të monitorohet vendimmarrja. Gjithashtu votimi i anëtarëve të panelit të jetë pjesë e bashkangjitur me vendimin dhe në rastet kur këta anëtarë votojnë kundër ndonjë çështjeje të jepet arsyetimi se pse ata kanë vepruar në një mënyrë të tillë. E rëndësishme është edhe çështja e konfliktit të interesit, e cila është mjaft e pranishme në OSHP dhe që duhet të merren masa për parandalimin e saj, të mos angazhojë asnjë ekspert, i cili ka kryer vepra penale, si dhe të rritet bashkëpunimi i OSHP-së me Prokurorinë”, ka thënë ajo.

Më tutje kjo organizatë bëri të ditur se Organi Shqyrtues i Prokurimit ka 40 ekspertë të jashtëm, shumica e të cilëve nuk angazhohen. Kjo është hera e dytë që “Demokracia Plus” del me raport për punën e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. /ZËRI/