Ministria e Financave dhe Komuna e Kamenicës, kritika njëra-tjetrës

Ekonomia September 14, 2017 - 08:30

Ministria e Financave e kritikon Komunën e Kamenicës për punësime jashtë planifikimeve buxhetore, ndërsa Komuna e Kamenicës mohon një gjë të tillë, duke i quajtur deklarata politike, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ministria e Financave kritikon Komunën e Kamenicës për punësimet jashtë planifikimeve buxhetore, duke shkaktuar kështu problem buxhetor dhe dështime për sa i përket investimeve kapitale në këtë Komunë.

Ndërkaq, në anën tjetër, udhëheqja e Komunës së Kamenicës i hedh poshtë këto kritika, duke thënë se nuk ka punësime të reja. Madje, i quan deklarata politike kritikat që vijnë nga Ministria e Financave. 

Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Financave, Agim Krasniqi, në një intervistë para disa ditësh për gazetën Zërikishte kritikuar Komunën e Kamenicës për punësime të reja në arsim jashtë planifikimeve buxhetore.

Sipas Krasniqit, si pasojë e këtyre punësimeve Komuna e Kamenicës ka mungesë të buxhetit për investime. Në anën tjetër, zyrtarët në Komunën e Kamenicës i hedhin poshtë këto akuza nga Ministria e Financave.

Në Ministri të Financave thonë se ka disa komuna të cilat kanë bërë punësime mbi norma dhe tash nuk kanë mjete buxhetore për t’i mbuluar pagat.

LEXO EDHE: Shqipëria do të zbardhë shkakun e vdekjeve në QKUK

Agim Krasniqi, i cili disa ditë më parë ishte ministër në detyrë në Ministri të Financave, duke folur për këtë dukuri, ka përmendur në veçanti Komunën e Kamenicës, duke drejtuar kritika në adresë të saj.

“Një rast i tillë është Komuna e Kamenicës, ku tash pothuajse nuk kanë fare buxhet për investime, pasi që duhet t’i paguajnë të punësuarit që janë bërë jashtë planifikimeve buxhetore”, tha Agim Krasniqi, duke theksuar se punësimet janë bërë në fushën e arsimit të kësaj Komune.

Por, këto kritika të Ministrisë së Financave i ka hedhur poshtë kryetari i Kamenicës, Begzad Sinani.

Ky i fundit thotë se për çdo punësim të ri në Komunën tonë kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Financave.

 “Për çdo punësim në sektorin e Arsimit, Administratës dhe Shëndetësisë ne kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Buxhetit dhe Financave, Departamenti i Thesarit, për marrjen e aprovimit të buxhetit nga drejtori dhe analistët financiarë të sektorit të Financave për inicimin e procedurave të rekrutimit për vendet e lira të punës në Komunën e Kamenicës”, tha Begzat Sinani.

Sipas tij, të gjitha punësimet janë në kuadër të planifikimit buxhetor dhe se asnjë punësim nuk është bërë pa e marrë aprovimin për inicimin e procedurave të konkurrimit nga niveli kompetent qendror.

Sinani kritikat e Ministrisë së Financave dhe të Agim Krasniqit, ish-ushtruesit të detyrës së ministrit, i quan politike.

“Deklaratat e ish U.D të ministrit për Buxhet dhe Financa, z. Krasniqi, janë deklarata politike dhe ne si ekzekutiv më së paku duhet të merremi me këto deklarata politike”, shtoi ai.

Edhe Drejtoria për Arsim në Komunën e Kamenicës thotë që nuk ka pasur punësime të reja në arsim. Sipas tyre, edhe nëse ndonjë punëtor i arsimit del në pension pozita e tij zëvendësohet me ndonjë punëtor tjetër nga brenda fushës.

“Në Komunën e Kamenicës numri i të punësuarve në arsim nuk është rritur për asnjë pozitë, as për pushim të lehonisë nuk kemi pranuar punëtorë, por i kemi zëvendësuar me punëtorët që i kemi. Përndryshe, edhe kur na pensionohen punëtorët në shumicën e rasteve nuk marrim punëtorë të rinj. Pagesat e punëtorëve bëhen me planifikimet e rregullta që i bëjmë për çdo vit”, tha Agim Shkodra, drejtor i Arsimit në Komunën e Kamenicës.

Problem i madh në këtë Komunë është numri i vogël i nxënësve në disa shkolla fillore nëpër viset malore afër brezit kufitar. Nga shpërnguljet masive në këto fshatra një shkollë, e cila kishte mbetur vetëm me një nxënës, ishte mbyllur.

“Neve numri i nxënësve për çdo vit po na bie, në një shkollë fillore të mesme të ultë, në një klasë, kemi pasur 28 nxënës dhe tani, pas 3 vjetëve, kemi vetëm 4 nxënës, ndërsa mësuesi, drejtori dhe punëtori ndihmës janë të njëjtë. Komuna e Kamenicës është një komunë në brezin kufitar, shumica e shkollave janë në viset malore, ku kemi shpërngulje masive, kemi klasë me 2-3 nxënës, por ka edhe raste ku në shkolla ka pasur vetëm një nxënës dhe shkolla është mbyllur për shkak të nxënësve”, shtoi ai.