Sivjet, 25 milionë euro subvencione në bujqësi

Ekonomia September 13, 2017 - 08:21

Hiç më pak se 25 milionë euro është paraparë që të shpenzohen sivjet vetëm për subvencione në sektorin e bujqësisë.

Ekrem Gjokaj, drejtor i Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Statistikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, ka treguar se vetëm për vitin 2017 janë paraparë për subvencione 25 milionë euro.

“Shuma e ndarë për vitin 2017 për subvencione është 25 milionë euro. Në periudhën 2012-2017 shuma totale e ndarë për subvencione është 108 milionë euro. Ndërsa nga viti në vit shuma e ndarë për subvencione ka shënuar rritje të vazhdueshme, e kjo si rezultat i mbështetjes së sektorëve të rinj, por edhe rritjes në sektorit e mbështetur më parë është rritur numri i kulturave bujqësore, i bagëtive, gjithashtu edhe numri i të punësuarve në sektorin e bujqësisë”, ka thënë Gjokaj për gazetën “Zëri”.

Ndërsa lidhur me sektorët të cilat do të përfitojnë nga këto grante, Gjokaj ka treguar se përafërsisht do të jenë të njëjta si në vitin e kaluar.

“Nuk mund ta kemi një përgjigje të saktë, sepse nuk kemi prerje të buxhetit, pasi që për çdo ditë jemi duke kryer pagesa tek fermerët përfitues, e njëjta përgjigje vlen edhe për numrin e përfituesve, edhe për kulturat e mbjella, por pak a shumë do të jetë i përafërt dhe i ngjashëm si në vitin 2016.

Gjatë vitit 2016 për lopë qumështore për subvencione kanë aplikuar 7.981, ndërsa kanë fituar 7.650, ku shuma totale e pagesës ka qenë 4.609.990 euro. Për dele dhe dhi kanë aplikuar 1.325, kanë fituar 1.273 aplikues, ndërsa vlera totale ka qenë 1.933.245 euro. Për bletë kanë aplikuar 2.378, kanë fituar 2.353, ndërsa vlera totale ka qenë 2.158.770 euro të tjera”, ka thënë ai, transmeton zeri.info.

Në anën tjetër eksperti i bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se çdo lloj garanti stimulues që jepet nga Ministria e Bujqësisë është për t’u përshëndetur, por nuk duhet të devijohet rruga e tyre dhe këto mjete të keqpërdorën nga individë të caktuar.

“Çfarëdo lloj grantesh stimulative që japin Qeveria për mbështetje të fermerëve janë për t’u përshëndetur, sepse ndihmojnë zhvillimin e bujqësisë, por nëse këto subvencione shkojnë në destinacion joadekuat dhe keqpërdoren përmes partive politike ose përmes formave të caktuara dhe nuk ndikojnë në rritjen ekonomike, atëherë nuk ia vlen që të flitet për të”, ka thënë ai, transmeton zeri.info.

Madje ai tutje ka shtuar se si rezultat i keqpërdorimeve të këtyre fondeve vendi ynë po vazhdon ende në masë të madhe të importojë produkte të huaja. “Jemi dëshmitarë dhe dëgjojmë, por edhe lexojmë përmes medieve se ka keqpërdorime të shumta përmes këtyre granteve. Mendoj që duhet të ndryshojë qasja në bujqësi dhe që çdo qeveri që vjen nesër në vendin tonë duhet që këtë dikaster ta marrë më seriozisht në mënyrë që të ngrihet shkalla e efikasitetit në bujqësi. Në të kundërtën, nëse vazhdon të këtë manipulime dhe keqpërdorime në baza partiake dhe regjionale, atëherë shkalla e importit në vend, pavarësisht grandeve, do të vazhdojë të jetë edhe më e madhe, sepse subvencionet nuk po tregojnë rezultat”, ka përfunduar Rusinovci./Zeri.