Thaçi shkon në Uashington për nënshkrimin e marrëveshjes që i sjell Kosovës 49 milionë dollarë

Ekonomia September 10, 2017 - 18:30

Presidenti i së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashku me koordinatorin nacional për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë, Petrit Selimi.

Thaçi të martën në emër të Republikës së Kosovës, do të nënshkruaj marrëveshjen mes Kosovës dhe MCC-së, në prani të shumë kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë, të cilët e kanë mbështetur Kosovën tash e sa dekada.

Kjo marrëveshje prej 49 milionë dollarëve amerikan do të fokusohet në dy fusha: Sundimi i Ligjit dhe Efiçenca në Energji, përmes projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme që do të implementohen përgjatë 4 viteve.

Është kjo ceremonia e parë në historinë e MCC-së, që nënshkruan një marrëveshje të tillë në Kongres.

Kosova është parakualifikuar për programe të MCC-së, në nëntor të vitit 2015, me qëllim identifikimin  e fushave të mundshme të investimeve transformative për rritje ekonomike, zvogëlim të varfërisë si dhe për krijimin e  vendeve të reja të punës në Kosovë.