Mosrishikimi i buxhetit me pasoja brenda institucioneve

Ekonomia September 09, 2017 - 08:46

Qeveria e Kosovës mund të ballafaqohet me kriza të të hyrave buxhetore deri në fund të vitit, krejt kjo si pasojë e joseriozitetit të institucioneve dhe zhvillimeve politike të kohëve të fundit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Në fillim të vitit, kur u miratua buxheti i Kosovës në Parlament, Qeveria kishte paraparë një shumë prej 87 milionë eurosh të hyra nga AKP-ja prej privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat i kishte paraparë për investime kapitale.

Ligji në fuqi dhe procedurat e parapara me ligjin në fuqi të AKP-së nuk e mundësonin këtë bartje të mjeteve nga AKP-ja në buxhet të shtetit, por Qeveria kishte planifikuar ndryshimin e ligjit të AKP-së me qëllim që t’i hapet rrugë shfrytëzimit të këtyre mjeteve edhe para se të kryhet procesi i likuidimit i ndërmarrjeve shoqërore.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” ministri në largim i Financave, Agim Krasniqi, thotë se mosrealizimi i këtij plani do të ketë pasoja në buxhetin e shtetit.

Zëri: Z. ministër, nga qershori i këtij viti Kosova ndodhet në bllokadë institucionale. Gjatë kësaj periudhe sa është dëmtuar shteti në aspektin politik dhe në atë ekonomik?

Agim Krasniqi: Kur flasim për bllokadë institucionale unë besoj që nuk kemi bllokadë institucionale për arsye se Qeveria dhe resurset qeveritare janë duke funksionuar. Por Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionuar. Bllokada e bërë nga Kuvendi është duke reflektuar dhe reflektohet në disa procese, por edhe nga mungesa e Qeverisë me kapacitet të plotë patjetër që po ka pasoja. Njëra nga pasojat e këtyre zhvillimeve është edhe fakti se ne kemi planifikuar diku rreth 87 milionë euro të hyra nga AKP-ja. Por, paraprakisht nevojitet ndryshim i Ligjit të AKP-së, gjë e cila nuk është bërë. Kjo e hyrë në buxhet nuk do të realizohet dhe do të ketë ndikim patjetër në buxhetin e këtij viti.

Zëri: Çfarë pasojash e presin ekonominë e vendit si pasojë e mosrishikimit të buxhetit

Agim Krasniqi: Mosrishikimi i buxhetit mundet t’u sjellë probleme organizatave buxhetore për rregullime të brendshme. Rishikimi i buxhetit më shumë do ta rriste efikasitetin. Po të ndodhte rishikimi, do të ndodhte edhe pjesa e të hyrave të reja të rregullta të planifikuara nga ATK-ja, mundësia që projektet e reja të planifikuara të fillojnë të realizohen do të ishte më e madhe.

Zëri: Duke u bazuar në kërkesat buxhetore të institucioneve apo të organizatave buxhetore, a keni të dhëna, a është shtuar numri i punëtorëve nëpër ministri dhe në institucione tjera?

Agim Krasniqi: Departamenti i buxhetit thotë që për çdo punësim të ri duhet të ketë mbulesë financiare. Nëse një punësim i ri ka mundësi të mbulohet financiarisht, ai edhe mund të ndodhë. Ne sigurojmë të punësuarit e rregullt që menaxhohen përmes listës së pagave se pagat e tyre do t’i marrin deri në fund të vitit nga buxheti i shtetit.

Zëri: A keni kërkesa për buxhet shtesë sa u përket pagave nëpër institucione, nëse po, për sa punëtorë më shumë bëhet fjalë?

Agim Krasniqi: Nga raportet që i marr çdo ditë, po e ritheksoj se nuk kemi problem me pagesa të rregullta të pagave. Asnjë projekt i cili ka kontratë për këtë vit nuk mundet me pas problem për financim. Mundet të ketë ndonjë vonesë eventuale, por realizimi do të bëhet.

Zëri: Na veçoni ndonjë institucion apo ndonjë komunë ku është theksuar më shumë kërkesa për buxhet apo për rialokime buxhetore?

Agim Krasniqi: Ka disa komuna të cilat kanë bërë punësime mbi norma dhe tash nuk kanë mjete buxhetore t’i mbulojnë ato paga. Një gjë e tillë ka ndodhur me Komunën e Kamenicës, të cilët tash pothuajse nuk kanë fare buxhet për investime pasi që duhet t’i paguajnë të punësuarit që janë bërë në arsim.

Zëri: A mund të përfundojë buxheti i shtetit në suficit ndonëse është projektuar me deficit?

Agim Krasniqi: Bilanci bankar tani është mbi 400 milionë euro. Edhe pse pritet që shpenzimet të rriten gjatë 3-mujorit të fundit nuk do të ketë krizë financiare. Unë jam shumë i sigurt që bilanci do të jetë mbi 200 milionë euro deri në fund të vitit. As këtë vit e as vitin tjetër nuk do të kemi krizë financiare. E mira do të ishte që projektet e mëdha të realizohen më shpejt.

Zëri: Sipas rrjedhës së deritashme, sa pritet të ketë rritje ekonomia e Kosovës për këtë vit?

Agim Krasniqi: Nëse merren parasysh raportet e ATK-së dhe të Doganës së Kosovës, edhe këtë vit do të kemi rritje ekonomike 3,8 deri në 4 për qind. Ndërsa po të ishte realizuar projekti i Brezovicës dhe së paku të fillonte projekti i Kosovës së re do të kishte rritje më të madhe ekonomike.

Zëri: Sa janë humbjet prej FMN-së si pasojë e mungesës së institucioneve?

Agim Krasniqi: Raportet me FMN-në janë të mira. Unë personalisht kam pasur takim me ta dhe në vazhdimësi do të kemi kontakte me FMN-në. Kosova është anëtare e FMN-së.

Ne nuk kemi mundur ta përfundojmë rishikimin e katërt. Pavarësisht mospërmbylljes së raportit ne kemi rregulluar pjesën legjislative dhe ne do t’i respektojmë obligimet që do dalin mbi bazën e Ligjit për Menaxhim të Financave Publike dhe të Përgjegjësive dhe besoj që do të kemi aftësi që në program të ri, kushdo qoftë Qeveria e re që do të vijë, të negociojë dhe besoj nuk do te ketë probleme në raportet me FMN-në.

Ministritë përkatëse, përgjegjëse për problemin me hekurudha

Zëri: Investimet e huaja po bien në vazhdimësi, a po ndikon për një gjë të tillë shkalla e lartë e korrupsionit?

Agim Krasniqi: Kur flasin për investimet e huaja direkte, ndonjëherë ka pasur më shumë investime e ndonjëherë më pak, por ato janë të varura nga stabiliteti ekonomik dhe nga ai politik. Prioriteti kryesor i Ministrisë që unë e udhëheq për buxhetin e vitit 2018 do të jetë sektori i drejtësisë, duke përfshirë Prokurorinë dhe gjyqësorin.

Është e kotë të bëjmë thirrje për investitorët e jashtëm pa e përmirësuar ligjin dhe luftimin e korrupsionit.

Zëri: A ka ndonjë risi sa i përket problematikës së hekurudhave?

Agim Krasniqi: Ne ndajmë buxhetin për çdo ministri me aq sa kemi mundësi, pastaj është përgjegjësi e atyre ministrive sesi do t’i ndërmarrin këto obligime në sektorët që i kanë nën menaxhim.

Edhe pse “Trainkos” është një rast më specifik sesa ndërmarrjet tjera, definitivisht duhet të mësohemi që ndërmarrjet publike të bëhen ekonomikisht të pavarura. Këto ndërmarrje duhet të zhvillohen krahas rritjes dhe fuqisë së tyre ekonomike dhe nuk duhet të marrin staf shtesë dhe të kërkojnë pastaj buxhet shtesë.

Zëri: Çka po ndodh me autostradën, a i keni bartur dhe sa mjete i keni bartur në konton e kompanisë “Bechtel&Enka”?

Agim Krasniqi: Nuk e di saktë, por e di që obligimet që kanë ardhur deri në muajin e kaluar kanë përfunduar. Buxheti që ka qenë i paraparë prej granteve gati është shpenzuar. Rreth 180 milionë euro mundemi t’i ndajmë këtë vit për autostradë, pjesa tjetër do të ndahet vitin e ardhshëm.

Zëri: Çka po ndodh me naftëtarët, deri kur kanë afat për fiskalizim?

Agim Krasniqi: Për naftëtarët dhe për kompanitë tjera afatet kanë qenë dhe janë vazhduar disa herë dhe do të ishte mirë që sa ma parë ta përfundojnë këtë proces.

Zëri: Një çështje tjetër që po na intereson ka të bëjë edhe me telefoninë mobile “Vala”. A keni projektuar për këtë vit që të sillen të hyra në buxhet të shtetit nga fitimet e “Valës”. Sa janë planet dhe çfarë pritet, a ka gjasa të ketë të hyra në buxhet nga “Vala”?

Agim Krasniqi: Prej të hyrave nga operatori telefonik “Vala” kemi planifikuar një devidentë në buxhet të rregullt prej 5 milionë eurosh. Por kjo e hyrë nuk është realizuar deri më tani.