KEDS kërkon të lirohet nga tatimi në veri

Ekonomia September 05, 2017 - 11:57

 

KEDS-it duket se nuk po i mjaftojnë nga 8 milionë euro që paguajnë çdo vit shqiptarët dhe komunitetet tjera për komunat serbe në veri.

Gazeta Fjala ka mësuar se kompania me kapital turk, po kërkon nga Administrata Tatimore e Kosovës të lirohet edhe nga tatimi.

Sipas të dhënave që disponon Gazeta, janë mbi 3.5 milionë euro të cilat KEDS kërkon t’i kthehen nga buxheti i shtetit me arsyetimin se janë ngarkuar me tatim për energjinë të cilën e kanë faturuar por nuk është paguar nga konsumatorët në veri të Kosovës.

“Janë duke kërkuar një marrëveshje që të mos paguajnë tatim derisa t’i inkasojnë mjetet nga konsumatorët në veri”, ka treguar një zyrtar i ATK-së.

Në KEDS nuk kanë pranuar të japin informacione lidhur me këtë kërkesë, ndërsa mësohet se marrëveshja po kërkohet pasi kompania e distribucionit të energjisë elektrike ka refuzuar ti paguaj ti paguaj mjetet në emër të tatimit dhe rasti ka përfunduar në gjykatë.

Ndërkaq, merret vesh se gjykata e shkallës së parë i ka dhënë të drejtë ATK-së që të bllokoj llogaritë e KEDS-it për të tërhequr borxhin e pa paguar.

Jashari: Rryma në veri është paguar

Në anën tjetër Avokati I Popullit, Hilmi Jashari pati konfirmuar se shuma totale që kanë shpenzuar komunat serbe në veri është paguar tërësisht nga konsumatorët e komunave tjera dhe se KEDS-it sipas tij nuk i kanë borxh konsumatorët në këtë pjesë.

Nga hetimet e nisura në fillim të muajit prill të këtij viti fillimisht mbi dyshimet për shkelje të të drejtave të njeriut, ka nxjerrë ndoshta skandalin më të madh, mbi atë se shqiptarët dhe komunitetet tjera janë duke paguar faturat e energjisë elektrike edhe për komunat serbe në veri.

Jashari, ka thënë se shuma që qytetarët e Kosovës paguajnë për serbet e komunave veriore, është tetë milion euro për çdo vit, ku sipas tij kjo ka ndodhur me vetëdijen e institucioneve përgjegjëse të Kosovës.

“Kemi marrë një përgjigje prej Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe më pas kemi realizuar një takim me zyrtarë e ZRRE-s ku kemi kërkuar shpjegime shtesë për situatën e krijuar. Ndërkohë kemi përcjell tri letra menjëherë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe është pranuar nga ZRRE-ja se kosovarëve u janë shtuar në faturën e tyre, 4.5 për qind e shumës, e cila është paguar për pjesën veriore të Kosovës. Është bërë një interpretim se gjoja se ky 4.5 për qind njihet si humbje komerciale sipas interpretimit që jep zyra komerciale e ZRRE-së”, pati thënë ai.

Kjo sipas tij bie ndesh sa i përket ligjit për të drejtat e konsumatorit dhe ligjit të marrëdhënieve dhe detyrimeve dhe me një varg ligjesh tjera që definitiv kanë kërcënuar në formën çfarë është bërë sipas vlerësimit tonë preliminar.

KEDS mashtroi qytetarët

KEDS ishte gjetur duke mashtruar qytetarët edhe me reduktimet e energjisë elektrike.

Në fillim të vitit mashtrimet me ndërprerjen e energjisë elektrike i kanë kushtuar 45 mijë euro KEDS-it. Zyra e rregullatorit të Energjisë e ka gjobitur të premten këtë kompani pasi nën arsyetimin e mirëmbajtjes së rrjetit kishte aplikuar reduktime të energjisë elektrike tek konsumatorët.

KEDS mbanë licencën e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), i cili është gjetur nga ZRRE se ka bërë një mashtrim për një periudhë kohore duke lënë në terr qytetarët për orë të tëra, pati raportuar Gazeta Fjala.

“Në këtë mbledhje Bordi ka shqyrtuar komentet e OSSH në lidhje me njoftimin për shkelje, të datës 6 mars 2017, përmes të cilit OSSH është njoftuar me shkeljet e konstatuara nga monitorimi i ndërprerjeve të planifikuara me qëllim të mirëmbajtjes së rrjetit”, thuhet në njoftimin e ZRRE.

Bordi ka konstatuar se OSSH nuk ka arritur të dëshmojë se të gjeturat nga monitorimi i ZRRE nuk janë të sakta dhe ka vendosur që duke u bazuar në Rregullën për Masat Administrative dhe Gjobat të shqiptojë dënim me gjobë në vlerë prej dyzet e pesë mijë euro.

Me kërkesë të kryetarit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa ZRRE-ja pati detyruar KEDS-in t’i ndal reduktimet me arsyetimin e mirëmbajtjes së rrjetit, për të hetuar se çfarë kishte ndodhur.

ZRRE-ja në hetimin preliminar ka vërtetuar se procesi i ndërprerjeve është përcjell me parregullsi. Ka pasur mirëmbajtje të rrjetit që nuk janë realizuar kurrë, ndërsa është ndërprerë energjia elektrike dhe qytetarët kanë mbetur në terr.

Ka pasur ndërprerje të shpeshta të daljeve të njëjta brenda muajit, përkundër që rrjeti ishte krejt në rregull./Gazeta Fjala/.