Shkarkohet kryeshefi i KOSTT-it Mustafë Hasani

Ekonomia August 31, 2017 - 08:35

Bordi i Drejtorëve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka shkarkuar nga detyra kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje Mustafë Hasanin. Të kontaktuar nga gazeta “Zëri” KOSTT-i konfirmon shkarkimin, por nuk jep detaje më të hollësishme. Ndërkaq Hasani nuk preferon të flasë, por tregon se për rastin e shkarkimit të tij i është drejtuar gjykatës

Mustafë Hasani është shkarkuar nga pozita e kryeshefit në ndërmarrjen publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe në vend të tij në detyrën e ushtruesit të detyrës është emëruar zëvendëskryeshefi i deritanishëm Kadri Kadriu. 

Zyrtarisht zyrtarë të KOSTT-it konfirmojnë shkarkimin e Hasanit, por nuk japin detaje më të hollësishme se për çfarë arsye është marrë një vendim i tillë. E në anën tjetër vetë Hasani thotë se vendimi për shkarkim është i jashtëligjshëm, me ç’rast edhe i është drejtuar Gjykatës.

Gazeta Zëri përmes postës elektronike ka kërkuar nga KOSTT-i arsyen e shkarkimit, por nuk ka arritur të marrë atë.

Zana Bajrami-Rama, zyrtare për medie në këtë ndërmarrje publike, thotë se Bordi i Drejtorëve të KOSTT-it në takimin e mbajtur më 18 gusht 2017, në vazhdën e përmbushjes së mandatit ligjor të mbikëqyrjes ka vendosur të bëjë ndryshime të kuadrit.

“Bordi i Drejtorëve në bazë të kompetencave dhe të përgjegjësive në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, ka marrë vendim që të lirojë nga detyra kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-iy, Mustafë Hasanin. Ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it deri në një vendim tjetër është emëruar zv.kryeshefi aktual për operim Kadri Kadriu”, ka thënë Bajrami-Rama për gazetënZëri.

E në anën tjetër vetë Hasani thotë se shkarkimi i tij nga pozita e kryeshefit në këtë ndërmarrje është i jashtëligjshëm.

Po ashtu gazeta “Zëri” ka kërkuar nga Hasani më shumë informacione rreth arsyes së shkarkimit, por as ky nuk ka pranuar të flasë.

“Për çdo gjë rreth kësaj pyetni Bordin. Unë nuk e kam pranuar shkarkimin, kam bërë kundërshtimin tim dhe tash rasti është në gjykatë”, ka thënë përmes telefonit Hasani për gazetën “Zëri”.

Ai më tutje nuk e ka pohuar, por as nuk e ka mohuar se shkarkimi i tij mund të jetë me motive politike.

Mustafë Hasani në këtë pozitë ishte emëruar më 15 dhjetor të vitit 2015.

Ai ka qenë drejtor i përgjithshëm në Administratën Tatimore të Kosovës, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, drejtor i Bordit të Trafikut Urban dhe së fundmi para se të emërohej në këtë pozitë ai ka qenë drejtor i Departamentit Qendror për Partneritet Publiko-Privat në Ministrinë e Financave.