Mitrovica Veriore shmang procedurat e Prokurimit

Ekonomia August 23, 2017 - 08:30

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Mitrovica Veriore ka shmangur procedurat e hapura të Prokurimit. ZKA-ja ka gjetur se nga shqyrtimi i nëntë kontratave për mirëmbajtjen e kanalizimeve dhe ndërrimit të gypit të kanalizimit në vlerë 25.240 euro është identifikuar se Prokurimi është zhvilluar sipas procedurave me vlera minimale apo me kuotim çmimesh, pa procedurë të hapur për punë të ngjashme. Sipas Auditorit, në këto rrethana Komuna ka mundur të ketë kontratë-kornizë për mirëmbajtjen e infrastrukturës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Zyra e Prokurimit e komunës veriore të Mitrovicës ka shmangur procedurat e hapura të prokurimit, duke ndarë kështu tenderët në pjesë më të vogla.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se nga shqyrtimi i nëntë kontratave për mirëmbajtjen e kanalizimeve dhe ndërrimit të gypave të kanalizimit, në vlerë 25.240 euro, është identifikuar se Prokurimi është zhvilluar sipas procedurave me vlera minimale apo me kuotim çmimesh, pa procedurë të hapur për punë të ngjashme.

Sipas Auditorit, në këto rrethana Komuna ka mundur të ketë kontratë-kornizë për mirëmbajtjen e infrastrukturës.

Më tutje në raportin e ZKA-së thuhet se nga shqyrtimi i kontratave të Prokurimit kemi identifikuar aplikim të shpeshtë të procedurave të kuotimit të çmimeve dhe blerjeve minimale nën 1000 € për kontrata të ngjashme, shkruan tutje "Zëri".

Në veçanti kontrollet menaxheriale nuk kanë funksionuar në mënyrë efektive për ta siguruar përdorimin e procedurave të duhura të prokurimit për rastet në vijim: Blerja e kompjuterëve dhe pajisjeve për kompjuterë në vlerë të përgjithshme prej 55.684 eurosh ishte ndarë në dy (2) kontrata të mesme. Për pajisje mjekësore Komuna kishte kryer gjashtë (6) blerje me vlera minimale në vlerë të përgjithshme prej 5.960 eurosh. Të gjitha këto blerje ishin kryer në dhjetor dhe kuotime çmimesh dhe pesë (5) blerje me vlera minimale nën 1000 euro”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, përdorimi i procedurës me vlera minimale apo me kuotime çmimesh për shpenzime që mund të realizohen me procedurë të hapur shton rrezikun e përfitimit të ulët të vlerës për para, zvogëlon konkurrencën dhe do të ndikojë në mosarritjen e objektivave të caktuara.

Sipas Auditorit, kryetari duhet t’i forcojë kontrollet me qëllim të vlerësimit më efikas të Prokurimit gjatë vitit që të shmanget ndarja e tenderëve të natyrës së njëjtë dhe të arrihen çmime më të mira, si dhe punë/mallra më kualitative, duke zvogëluar njëkohësisht shpenzimet përcjellëse për proceset e tenderëve.

Hyrje në obligime pa zotimin e mjeteve

Po ashtu ZKA-ja ka gjetur shkelje, ku Komuna ka hyrë në obligime financiare pa zotim të mjeteve.

Sipas ZKA-së, tek kontrata-kornizë njëvjeçare “Furnizimi me pajisje mjekësore për nevojat e institucioneve shëndetësore në Mitrovicën Veriore”, e nënshkruar më 27.07.2016, janë planifikuar furnizimet në vlerë prej 88.500 eurosh.

Megjithatë, bazuar në këtë, Komuna ka bërë një furnizim të njëhershëm prej 105.100 eurosh, duke shfrytëzuar mundësinë e tolerancës për kontrata-kornizë prej 30% të vlerës.

Në anën tjetër, për vlerën shtesë (16,600 euro) nuk kishte zotim të mjeteve.

Njëkohësisht vendimin për porosinë shtesë e kishte marrë menaxheri i projektit dhe jo zyrtari i autoritetit kontraktues që e ka nënshkruar kontratën, i cili është personi përgjegjës për ndryshime në kushte të kontratës, siç kërkohet me Udhëzuesin Operativ për Prokurimin Publik.

“Mangësitë e përmendura kanë ndikim në realizimin e furnizimeve të tilla. Mospërcaktimi në detaje se çka dhe sa do të furnizohet dhe hyrja në obligime pa zotim të mjeteve mund ta vendosë Komunën në pozitë të vështirë buxhetore. Projekte të tilla mund të rezultojnë me vlerë të dobët për paranë. Kryetari duhet të sigurojë se është ndërmarrë një rishikim për gjetjet e auditimit për këto raste, ku proceset nuk janë aplikuar në mënyrë efektive për të përcaktuar se pse kanë ndodhur dështimet dhe pse nuk është aplikuar mbikëqyrja e përshtatshme. Kryetari duhet ta ketë parasysh vlerën për paranë, sidomos për projekte të kushtueshme kapitale. Më tutje, kryetari duhet të ndërmarrë masa për eliminimin e këtyre dobësive, në mënyrë që në të ardhmen kontrata të tilla të mos lejohen”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

70.847 euro për subvencione

Po ashtu parregullsi janë hasur edhe në rastin e ndarjes së subvencioneve. ZKA-ja ka  konfirmuar se Komuna ende nuk e ka nxjerrë një rregullore e cila i përcakton kriteret dhe procedurat për ndarjen e subvencioneve.

Sipas ZKA-së, në 11 mostrat e testuara, në vlerë 70.847 €, për dhënien e subvencioneve nuk është vërejtur ndonjë kriter për mënyrën e dhënies dhe shfrytëzimit të atyre mjeteve.

“Nga të gjitha mostrat e rishikuara kemi gjetur se përfituesit e subvencioneve në asnjë rast nuk kanë dërguar raporte kthyese për mënyrën e shfrytëzimit të atyre mjeteve. Mungesa e rregullores për subvencione rrit rrezikun që subvencionet të ndahen pa kritere dhe përbën edhe rrezik për vlerë të dobët të parave dhe mosshfrytëzim të mjeteve financiare për çfarë fondet janë destinuar. Kryetari duhet të sigurojë që një draft-rregullore për ndarjen e subvencioneve do të përgatitet deri në fund të vitit 2017, e cila do t’i dorëzohet Kuvendit Komunal për aprovim. Në këtë rregullore duhet të përcaktohen qartë kriteret për dhënien e subvencioneve dhe mekanizmat se si do të monitorohen dhe menaxhohen ato”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.