Për 6 muaj, 500 mijë kërkesa për rimburësim në ATK

Ekonomia August 22, 2017 - 08:14

Gjatë gjashtë majave të parë të këtij viti 490.677 aplikacione janë dorëzuar për rimburësim në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Sipas të dhënave zyrtare, gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë qenë 354.215 aplikacione, derisa gjatë tremujorit të dytë kanë qenë dukshëm më pak, 136.462 aplikacione, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Numri i aplikacioneve që qytetarët janë duke i dorëzuar për rimburësim në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) edhe më tutje vazhdon të mbetet i lartë, pavarësisht ndryshimit të formës së rimburësimit.

Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti 490.677 aplikacione janë dorëzuar për rimburësim në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë qenë 354.215 aplikacione, derisa gjatë tremujorit të dytë kanë qenë dukshëm më pak, 136.462 aplikacione, shkruan tutje "Zëri".

Zyrtarë të ATK-së thonë se pas ndryshimit të formës se kompensimit ka rënë numri, por, sipas tyre, edhe më tutje mbetet i kënaqshëm.

LEXO EDHE: 30 mijë euro pagesë jashtë llogarisë së kompanisë kontraktuese

“Duke pasur parasysh se ka qenë periudha e parë pas ndërrimit të formës së rimburësimit, lirisht mund të themi se interesimi ka qenë i kënaqshëm. Ashtu siç e dini, për TM2 2017 kanë aplikuar 136.462 qytetarë, që nëse e krahasojmë me periudhën e parë kur ka filluar kampanja kemi diku 4-5 herë më shumë aplikime. Ndërsa për TM1 2017 numri i qytetarëve që kanë aplikuar ka qenë 354.215”, tha Valentina Bytyqi - Sefa, nga Zyra për Komunikim me Publikun në ATK.

Edhe me modelin e ri të rimburësimit ATK-ja pret nga qytetarët ta rrisin interesimin e tyre për të kërkuar kuponë fiskalë pas çdo blerjeje.

“Qëllimi i kampanjës, ashtu siç e dimë, është që të rritet interesimi i qytetarëve për të kërkuar kuponë fiskalë pas çdo blerjeje. Pritjet tona janë të fokusuara shumë në gjithëpërfshirjen e procesit të fiskalizimit”, shtoi ajo.

Shumë qytetarë të Kosovës mendojnë që forma e re e rimburësimit pritet të ndikojë negativisht në gatishmërinë e tyre që t’i mbledhin kuponët fiskalë.

Por, ATK-ja beson që forma e re është më praktike, pasi që nuk ka nevojë për shpenzime në dorëzimin e plikos dhe mundësia e fitimit është më e madhe.

“Interesimi i qytetarëve për t’u bërë pjesë e kampanjës besoj që do të rritet pasi që forma e re është shumë më praktike se ajo paraprake, ku qytetarët nuk kanë nevojë për të shpenzuar për dorëzimin e plikos, gjithashtu mundësia e përfitimit është shumë më e madhe”, tha Valentina Bytyqi – Sefa, nga Zyra për Komunikim me Publikun në ATK.

Administrata Tatimore e Kosovës vlerëson se kampanja për rimburësim ka ndikuar edhe në krijimin e një rregulli dhe kulture në kërkim të kuponit fiskal nga qytetarët.

ATK-ja njofton qytetarët se kjo kampanjë do të jetë aktuale për një kohë sa konsiderohet e nevojshme dhe ATK-ja do të punojë në vazhdimësi në përshtatshmërinë e kampanjës për qytetarët, në mënyrë që nxitja të jetë sa më gjithëpërfshirëse.

Në anën tjetër Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike e Kosovës, thotë se mbështet çdo iniciativë që ka të bëjë me motivimin e qytetarëve për të kërkuar kuponë fiskalë.

Sipas OEK-së, mbledhja e kuponëve fiskalë ka efekte pozitive në ekonominë e vendit, që nënkupton jo vetëm grumbullim të buxhetit, por edhe luftë kundër informalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar. Sa i përket modelit të ri të rimburësimit, ata mendojnë se forma paraprake ka qenë më motivuese.

“Jemi të mendimit se forma paraprake ka qenë më motivuese dhe në këtë drejtim kemi pasur një interesim të rritur edhe të konsumatorëve, por edhe të vetë bizneseve, që të vazhdojnë këtë formë të garës, e cila vërehet se ka pasur efekte pozitive”, tha thënë ai.

Ai apelon që bizneset ta vazhdojnë punën dhe obligimin e tyre për lëshimin e kuponëve fiskalë.

“Si gjithherë bizneset janë duke bërë punën e tyre dhe obligimi i tyre është lëshimi i kuponëve për qytetarët, duke dëshmuar transparencë, por edhe përmirësim të imazhit të ndërmarrësisë kosovare”.

Vlera e rimburësimeve për kuponët fiskalë deri në fund të vitit 2016 ishte 15.5 milionë euro.

Nëse krahasojmë tre muajt e parë të vitit 2016 dhe 2017, këtë vit gjatë TM1 numri i aplikuesve është dyfish më i madh se në vitin 2016.

Në tremujorin e parë të 2016-ës kanë aplikuar 171.436 qytetarë, ndërsa në tremujorin e dytë të vitit kishte 215.342 aplikime.