30 mijë euro pagesë jashtë llogarisë së kompanisë kontraktuese

Ekonomia August 22, 2017 - 08:07

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Ferizajt në një rast ka paguar 30 mijë euro jo në llogari të kompanisë me të cilin kishte kontratë për kryerje të punëve, por në llogari të një kompanie tjetër, me të cilën Komuna nuk kishte asnjë lloj marrëveshjeje, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shkelje të shumta janë evidentuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Ferizajt për vitin që lamë pas.

Në një rast Auditori ka gjetur se fatura në shumën 30.000 euro nuk ishte paguar në llogari të operatorit ekonomik fitues, por në një llogari të një kompanie tjetër.

Sipas zyrtarit të prokurimit, kjo është bërë ngase operatori i njëjtë i ka dy kompani, shkruan tutje "Zëri".

Por, sipas rregullave financiare, pagesa duhet të ekzekutohet në llogarinë e prezantuar nga kontraktuesi kur kontrata është nënshkruar.

“Pagesat e tilla mund të rezultojnë me manipulim të mundshëm të parasë publike. Mungesa e kontrolleve ka pasur si rezultat mosekzekutimin e pagesës në llogarinë përkatëse të operatorit ekonomik. Kjo mënyrë e pagesës mund të ketë si rrezik potencial që të bëhen pagesa të dyfishta për të njëjtën punë. Kryetari duhet ta shqyrtojë pse pagesa e tillë ka ndodhur dhe të sigurojë se zyrtari certifikues nuk certifikon asnjë pagesë në llogari jopërkatëse, apo që nuk është pjesë e kontratës dhe se raste të tilla nuk përsëriten”, thuhet në Raportin e Auditorit.

LEXO EDHE: Zgjedhjet e reja, kandidatët e vjetër

Po ashtu në këtë Komunë auditori ka hasur në raste të ndryshimit të mëvonshëm të kërkesave për aftësi ekonomike dhe teknike.

Për tenderin “Zgjerimi i rrugës Komogllavë - Tërstenik Komuna kishte bërë njoftimin për kontratë më 20.07.2016.

Të njëjtin tender më 10.08.2016 Komuna e kishte anuluar me arsyen që janë bërë gabime në paramasë.

Sipas ZKA-së, anulimi ishte bërë para hapjes së ofertave, sipas Nenit 62 të LPP-së.

“Më 17.08.2016 ishte bërë njoftimi për ritender. Me rastin e krahasimit të dokumentacionit teknik të tenderit të parë dhe ritenderimit kemi vërejtur se paramasat ishin identike dhe nuk vërehet ndonjë ndryshim. Por, ndryshimet ishin bërë në rritjen e kërkesave të kapacitetit ekonomik dhe financiar dhe kapacitetit teknik dhe profesional. Kërkesa për kapacitetin ekonomik dhe financiar fillimisht ishte që OE-ja të ketë qarkullim financiar jo më pak se 1.500,000 euro për tre vjetët e fundit, ndërsa ritenderi ishte rritur në jo më pak se 2.000.000 euro. Ndërsa kërkesat për kapacitetin teknik dhe profesional në tenderin fillestar ishin së paku tri projekte të ngjashme në tre vjetët e fundit, të cilave në ritender u ishte caktuar edhe vlera 1.500.000 euro”, thuhet në raport.

Por, sipas ZKA-së, anulimi i tenderit me arsyen e gabimeve në paramasa dhe ndryshimet e bëra në elementet tjera të kushteve dhe kritereve të dosjes së tenderit tregon për paqartësi të procesit dhe rrit rrezikun që si pasojë e këtyre ndryshimeve operatorët ekonomikë të diskualifikohen, e rrjedhimisht konkurrenca të zvogëlohet.

“Kryetari duhet të sigurojë se shërbimi i prokurimit do t’u përmbahet në mënyrë strikte kërkesave të LPP-së dhe jo t’i ndryshojë kushtet dhe kriteret e dosjes së tenderit, të cilat me rastin e anulimit të tenderit të parë nuk ishin theksuar si arsye për anulimin e procesit. Kryetari duhet të vendosë kontrolle të forta në fushën e prokurimit dhe ta mundësojë një proces transparent dhe konkurrues të prokurimit në mënyrë që ta maksimizojë vlerën për para”, thuhet më tutje në raport.

43 mijë euro për dreka zyrtare

Më tutje në raportin e ZKA-së thuhet se sipas analizës kemi vërejtur se shpenzimet për dreka zyrtare për vitin 2016 janë 43.060 € apo 97% më shumë se në vitin paraprak.

Gjatë testimit të tri (3) pagesave, gjithsej me vlerë 6.150 euro, ZKA-ja ka vërejtur se këto fatura i takonin viteve 2012, 2014 dhe 2015. Sipas ZKA-së, njëra nga faturat në vlerë 2.491 euro në emër të shpenzimeve të reprezentacionit për Drejtorinë për Kulturë nuk kishte të specifikuar qëllimin e darkës. Auditori më tutje ka konstatuar se nuk është e qartë pse këto fatura kanë qëndruar të papaguara për kaq shumë kohë.

“Shpenzimet për dreka zyrtare pa arsyetim të qartë të organizimit shtojnë rrezikun që Komuna të paguajë për aktivitete që nuk përkojnë me objektivat e saj apo që nuk janë kryer fare dhe fondet publike të shpenzohen në mënyrë joracionale. Për më tepër, pagesat e kryera disa vite më vonë ngrenë dyshime serioze që ato të jenë fiktive dhe të mos kenë ndodhur fare. Kryetari duhet t’i forcojë kontrollet me rastin e shpenzimeve për dreka zyrtare. Të gjitha shpenzimet për dreka zyrtare duhet të jenë në funksion të mirëfilltë të përfaqësimit dhe shërbejnë për arritjen e objektivave të Komunës. Po ashtu duhet të sigurohet se obligimet paguhen brenda 30 ditëve”, thuhet më tutje në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Mungojnë raportet për shpenzimet e naftës

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit më tutje thuhet se më datën 22.02.2016 ishin paguar 6.464 euro shpenzime të karburantit për vetura të Komunës.

Kjo pagesë ka përfshirë shtatë (7) faturat e vitit 2015. Me rastin e rishikimit të faturës së datës 31.08.2015 ZKA-ja ka vërejtur se Brigada e Zjarrfikësve kishte harxhuar 1.565 litra për një muaj apo 52 litra në ditë.

Sipas një parallogaritje kemi vërejtur se vetëm automjeti i ashtuquajtur “Volvo” është furnizuar për këtë muaj 450 litra.

“Ne nuk kemi gjetur ndonjë përshkrim për aktivitetin e këtij automjeti. Mungesa e raporteve për aktivitetet e kryera për çka ishin shpenzuar derivatet e naftës mund të ketë si rrezik që shpenzimet e ndodhura të mos justifikohen me shërbimet e ofruara”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, kryetari duhet të sigurojë se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës do të përgatisë raporte mujore për të gjitha aktivitetet e kryera në mënyrë që shpenzimet e ndodhura të jenë të justifikueshme me shërbimet e kryera.

Furnizim me çmime të larta

Sipas ZKA-së, më datën 17.11.2016 është pagur shuma prej 5.007 euro në emër të furnizimit me material për zyre.

“Ne kemi rishikuar gjashtë fatura të paguara në vitin 2016, prej të cilave një faturë ishte e vitit 2015. Sipas analizës së artikujve të furnizuar, në gjashtë faturat e testuara kemi vërejtur se Komuna ishte furnizuar vetëm me tetë (8) artikuj, nga 80 që ishin pjesë e kontratës. Këta 8 artikuj ishin të dallueshëm me çmim, ndërsa artikujt e pafurnizuar ishin me çmime 0.01 euro apo 0.02 euro. Mungesa e kontrolleve ka bërë që Komuna ta përgatisë specifikacionin teknik me shumicën e artikujve të panevojshëm dhe të mundësojë që operatorët të konkurrojnë me çmime jo të arsyeshme dhe jo sipas tregut. Specifikimi i artikujve me të cilët Komuna nuk furnizohet asnjëherë rrit mundësinë e manipulimit me çmime, të cilat janë determinuese për fitimin e kontratave”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, kryetari duhet të sigurojë se para fillimit të procedurave të prokurimit zyrtarët përgjegjës marrin parasysh kërkesat dhe nevojat reale të Komunës, pasi që artikujt të cilët nuk do të jenë subjekt furnizimi nuk duhet të përfshihen në dosjen e tenderit.

Mosarkëtimi i qirasë nga prona publike

Po ashtu Zyra Kombëtare e Auditimit ka hasur në parregullsi edhe në rastin e mosarkëtimit të qirasë nga prona publike.

“Për testimin e të hyrave nga qiraja kemi marrë 13 mostra në shumën 24.710 €. Rast specifik nga mostrat e testuara ishte qiramarrësi i parkingjeve “Shoqata e dalë nga lufta”, e cila për çdo muaj ngarkohet nga Komuna me 3.000 €, derisa qiramarrësi nuk ka paguar asnjë cent për vitin 2016 e as në vitin paraprak. Komuna nuk ka marrë ndonjë veprim as në vitin e kaluar, as në këtë periudhë të auditimit. Faturat për këtë qiramarrës nuk shpërndahen apo nuk dorëzohen në zyrën e shoqatës. Komuna nuk ka ndonjë strategji për arkëtimin e qirasë nga shfrytëzimi i pronës publike”, thuhet në raport.

Sipas auditorit, menaxhimi i dobët i kontratave në lidhje me pronat e dhëna me qira si dhe mosgatishmëria për të ndërmarrë masa efikase për inkasimin e të hyrave rrisin rrezikun e keqpërdorimit të pronës publike.

ZKA-ja më tutje ka konstatuar se vetëm për këtë periudhë raportuese Komuna ka humbje financiare prej 36.000 euro për vitin 2016, derisa shuma totale e paarkëtuar nga qiramarrësi në fjalë ishte 202.560 euro.

Sipas auditorit, kryetari i Komunës duhet ta shqyrtojë rastin pse qiraja e kontraktuar nuk po paguhet, si dhe ta informojë Kuvendin për problemet eventuale me qiramarrësin.

Pasi ta sigurojë një analizë të detajuar, t’i propozojë masat e duhura, duke mos i përjashtuar edhe masat gjyqësore dhe ato administrative.