Pesë ditë pa asnjë pikë ujë

Ekonomia August 21, 2017 - 08:43

Komuna jugore dhe ajo veriore e Mitrovicës, Zveçani, Skenderaj dhe Vushtrria, kanë mbetur pa ujë të pijes prej të mërkurës pasdite për shkak të një defekti elektrik në Fabrikën për Përpunimin e Ujit në Shipol. KEDS-i nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta sanuar gjendjen, ndërkohë situata në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit përshkruhet alarmante, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Janë bërë pesë ditë që Mitrovica Jugore dhe ajo Veriore dhe komunat e rajonit, Skenderaj, Vushtrria dhe Zveçani, nuk kanë asnjë pikë ujë për pije.

Kjo gjendje, e cila përshkruhet tejet alarmante, ka goditur qytetarët e këtyre komunave në këto ditë tepër të nxehta.

Më së rëndi e përjetojnë këtë situatë familjet nëpër banesa të ndërtesave shumëkatëshe në Mitrovicë, Skenderaj e Vushtrri, si dhe në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan.

LEXO EDHE: Materniteti në Podujevë pa mjek kujdestar

Menaxhmenti i kompanisë ujësjellësi rajonal “Mitrovica” në jug dhe ujësjellësi “Ibar” në veri të Mitrovicës, që furnizohet me ujë të pijes nga jugu, e fajësojnë KEDS-in për shkak se, siç kanë thënë zyrtarët e këtyre dy kompanive, nuk e ka sanuar një defekt të energjisë elektrike që lidh fabrikën e ujit në Shipol, që sipas tyre është shkaktuar nga goditja e rrufesë, shkruan tutje "Zëri".

Në disa pjesë të Mitrovicës dhe në Skenderaj mungesa e ujit ka krijuar radhë të gjata të qytetarëve, duke pritur nëpër puse për t’i mbushur bidonët, enë të ndryshme dhe cisternat.

LEXO EDHE: Bankat, 45.6 milionë euro fitim për 6 muaj

Misim Geci, një banor i lagjes “Azem Bejta” në qytetin e Skenderajt, ka thënë se nuk mban mend që uji ka pikuar në krojet e shtëpisë së tij, ndërsa tani kur i gjithë qyteti dhe fshatrat që janë të kyçur në ujësjellësin rajonal “Mitrovica”, nuk kanë ujë, situata është vështirësuar edhe me furnizimin me ujë nëpër puse.

“As nëpër bunarë nuk po mund të marrim ujë, krijohen radhë të gjata, duhet pritur edhe me ka 2-3 orë, kështu që tani jemi në gjendje të rendë. Ne jemi në një pjesë ku edhe kur ka ujë nuk na vjen, ndonëse disa pjesë të qytetit pas ndërrimit të gypit kryesor janë furnizuar shumë më mirë me ujë”, ka thënë ai. 

Në qytetin e Mitrovicës më së keqi është gjendja e banorëve që jetojnë në ndërtesa të larta.

Ata ankohen se nuk mund të rrinë në banesa për shkak të erës së madhe që vjen nga tualetet dhe banjat, të cilat nuk mund të pastrohen në mungesë të ujit, ndërsa domosdoshmërisht duhet të përdoren për shkak të nevojave biologjike.

Njëri prej banorëve të njërës prej ndërtesave më të larta në qytetin e Mitrovicës, Sefedin Shahini, i tha “Zërit” se ai dhe e gjithë familja e tij nuk ka gjetur rrugë tjetër përveç të zhvendoset në fshat, prej nga është shpërngulur para shumë vjetësh.

“Nuk kam gjetur rrugëdalje tjetër, më është dashur ta marr gruan e fëmijët e të kthehem në fshat. Atje një kushëri e ka shtëpinë dhe do të rri aty derisa të përmirësohet gjendja. Kjo situatë është e padurueshme. Njerëzve u ka ardhur shpirti në fut, papërgjegjësia është e madhe dhe askush nuk merr masa. Kështu është kur shteti nuk funksionon”, është shprehur ai me mllef. 

Edhe qyteti i Vushtrrisë ka problem të mëdha me furnizimin me ujë të pijes, ndonëse është funksionale fabrika për përpunimin e ujit në Balincë, për të cilin janë investuar 8 milionë euro. Banorët e Vushtrrisë thonë se reduktimet e gjata e kanë vështirësuar jetën e qytetarëve të Vushtrrisë, të cilët detyrohen t’u qasen bunarëve, edhe atyre të vjetra që nuk janë shfrytëzuar për shumë kohë.

Shemsedin Preteni, zëdhënës i Komunës së Vushtrrisë, i tha “Zërit” të dielën se Vushtrria vazhdon të ketë mungesë të madhe të ujit të pijes, por edhe po përballet me mungesë të energjisë elektrike. 

“Vushtrria nuk ka ujë nga 6-7 orë në ditë, reduktimet janë të gjata dhe kanë vështirësuar jetën e qytetarëve. Vushtrria me fshatrat e saj vazhdon të jetë në mesin e rajoneve që më së shumti po përballet me terrin, që po i servohet nga KEDS-i. Tash e disa ditë në këtë komunë KEDS-i po aplikon reduktime të shpeshta dhe jo vetëm në orët e mbrëmjes, kur shpenzimi është më i lartë, por gjatë tërë ditës. Pasojat e reduktimeve të shpeshta të rrymës po i vuajnë jo vetëm ekonomitë familjare, por edhe bizneset”, ka thënë Preteni. 

Në kompaninë ujësjellësin rajonal “Mitrovica” i kanë thënë  “Zërit” se problemi nuk është tek ata, por tek KEDS-i, për shkak se nuk po e eviton një defekt elektrik aty ku është kyçur në rrjetin elektrik fabrika e ujit në Shipol.

Niman Baliu, zyrtar për informim në kompaninë ujësjellësi rajonal “Mitrovica” tha se KEK-u është përgjegjës për situatën e krijuar.

“Arsyeja e mungesës së ujit nuk janë problemet e ujësjellësit, por problemet e KEDS-it me rrymë. Mungesa e rrymës pamundëson edhe furnizimin me ujë të pijshëm, por se problemet e tanishme janë brenda kompetencave të KEK-ut dhe pritet që ata t’i sanojnë këto probleme”, ka thënë Baliu.

Në anën tjetër në kompaninë ujësjellësi “Ibar” në veri të Mitrovicës kanë thënë se rrufeja  ka goditur tensionin e lartë të energjisë elektrike në Shipol të Mitrovicës, aty ku ndodhet fabrika për përpunimin e ujit dhe për pasojë gjithë Mitrovica, edhe veriu edhe jugu, kanë mbetur pa ujë.

Drejtori i kësaj kompanie, Miodrag Raliq, tha se ende nuk dihet se në çfarë mase është defekti, por ka sqaruar se ekipet e KEDS-it janë duke punuar për ta evituar defektin.

“Ata janë duke punuar, kanë arritur që herë pas herë ta evitojnë defektin, uji vinte, por përsëritej defekti. Në dy raste është evituar defekti, por përsëri ka ndodhur prishja. Uji vinte nga 3-4 orë, kryesisht natën vonë, ndërsa ndërpritej në orët e mëngjesit dhe nuk vinte më gjatë gjithë ditës. Kjo gjendja është edhe tani”, ka thënë Raliq, i cili ka shtuar se as ai nuk ka informacione të plota për situatën. Raliq tha se ka informacione që do të vijnë ekipet e KEDS-it dhe do ta evitojnë defektin.

“Që nga mëngjesi jam duke bërë përpjekje që të kontaktojë me kolegët nga jugu, në mënyrë që të marrë informata për atë se a kanë dalë ekipet në terren, sa është defekti i madh dhe se kur pritet që të evitohet defekti, por nuk kam arritur të kontaktoj me askënd”, ka thënë Raliq, të dielën. Ai pret që furnizimi me ujë në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan të normalizohet pasditen e së dielës.

“Kam një informatë se ekipet janë duke punuar dhe po e evitojnë defektin që ka ardhur si pasojë e motit të keq që ka mbretëruar e që rrufeja ka goditur telat e energjisë elektrike aty ku kyçen në fabrikën për përpunimin e ujit në Shipol”, ka thënë mes tjerash Raliq.