Bankat, 45.6 milionë euro fitim për 6 muaj

Ekonomia August 21, 2017 - 08:29

Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti 10 banka komerciale, sa operojnë në Kosovë, kanë arritur ta krijojnë një profit neto prej hiç më pak se 45.6 milionë eurosh. Në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak bankat kanë rritur profitin neto për 7.9 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Bankat komerciale në Kosovë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kanë arritur ta krijojnë një profit të pastër prej hiç më pak se 45,6 milionë eurosh e ku në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak bankat kanë rritur profitin neto për 7.9 milionë euro.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se gjatë 6-mujorit të parë të hyrat e bankave në Kosovë kanë qenë 119.7 milionë euro e derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ato kanë qenë 113,7 milionë euro.

LEXO EDHE: Prokuroria hesht karshi skandalit 15-milionësh (DOKUMENT)

Sivjet sipas raportit të BQK-së shihet se të hyrat nga interesi kanë arritur në 86.8 milionë euro, derisa shpenzimet kanë arritur në 74.1 milionë euro, ku nga kjo shumë 8.4 milionë euro janë shpenzime të interesit derisa 50.6 milionë euro janë shpenzime administrative, shkruan tutje "Zëri".

Gjatë kësaj periudhe kohore sipas të dhënave të BQK-së shihet se vlera e kredive është rritur për 10% duke arritur në 2.3 miliardë euro, derisa vlera e depozitave është rritur për 7.2 për qind duke arritur në 2.8 miliardë euro.

Gjatë kësaj periudhe kohore, gjithnjë duke iu referuar të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se norma mesatare e interesit në kredi ka rënë në 6.8 për qind e ku për ekonomi familjare norma mesatare është 7.1 për qind, derisa për ndërmarrje 6.6 për qind.

LEXO EDHE: Votat për PAN-in, AKR-ja e përçarë

Po ashtu edhe norma e interesit në depozita ka rënë në nivelin më të ulët të mundshëm në 1.1 për qind e ku për ekonomi familjare ajo është 0.9 për qind, derisa për ndërmarrje është 1.7 për qind.

Sipas të dhënave të BQK-së, 88.3 për qind e pronësisë së sektorit bankar është e huaj, derisa pjesa tjetër prej 11.7 për qind u përket biznesmenëve vendorë.

Mikrofinancat, 3.9 milionë euro fitim

Po ashtu edhe institucionet mikrofinanciare në vend viteve të fundit janë duke punuar me afarizëm pozitiv e ku vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti ato kanë arritur të krijojnë një fitim të pastër prej 3.9 milionë eurosh.

Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së, shihet se në Kosovë operojnë 17 institucione financiare, ku të gjitha së bashku gjatë 6 muajve të parë të vitit që lamë pas kanë pasur të hyra prej 14.9 milionë eurosh e ku 12.5 milionë euro janë të hyra nga interesi.

Gjatë kësaj periudhe kohore shpenzimet e institucioneve mikrofinanciare në Kosovë kanë arritur në 11.1 milionë euro.

Gjithnjë duke u  bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet qartë se 95,2 për qind e pronësisë së institucioneve mikrofinanciare është me kapital të huaj, derisa pjesa tjetër prej 4,8 për qind është me kapital vendor.

Edhe sigurimet 2.1 milionë euro fitim

Edhe kompanitë e sigurimeve sivjet janë duke punuar me afarizëm pozitiv, derisa vitin e kaluar ato kishin mbyllur me një humbje prej më shumë se 10 milionë eurosh.

Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së, shihet se të hyrat e kompanive të sigurimit në Kosovë gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti kanë arritur 38.1 milionë euro.

Gjatë kësaj periudhe kohore dëmet e ndodhura kanë qenë 15.2 milionë euro, shpenzimet 20.8 milionë euro, derisa profiti neto ka arritur në 2.1 milionë euro.

Edhe në këto kompani të sigurimeve 55,4 për qind e pronësisë është me kapital të huaj.