AKP-ja shet prona pa certifikata pronësore (Dokumente)

Ekonomia August 20, 2017 - 15:08

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në shpalljen për shitjen e aseteve të ndërmarrjeve në likuidim në valën e 35-të që do të mbahet në shtator, ka paraparë edhe privatizimin e objektit “Gërmia” lokali nr.168 në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Ndërsa, në ofertën e publikuar nga vet kjo Agjenci, thuhet se AKP nuk posedon dokumente që e dëshmojnë pronësinë e objektit.

Në shpalljen për shitje të AKP-së, thuhet se ekziston marrëveshja për bartjen e të drejtës për ndërtimin e objektit, e datës 29. 03. 1978 e nënshkruar nga Ndërmarrja Publike Banesore për tokë ndërtimore dhe NSh “Gërmia. Gjithashtu, në këtë shpallje thuhet se nuk ka tokë që do t’i bartet blerësit të ri.

Mirëpo, Vlora Konushevci zyrtare e lartë për Marrëdhënie me Publiku dhe Media në AKP për KosovaPress ka thënë se pavarësisht se AKP nuk ka dokumente të bollshme, posedojnë një marrëveshje me shkrim me Ndërmarrjen Banesore Ndërtimore (BVI) të vitin 1978, ku dëshmohet se prej asaj kohe e deri më sot ky aset është në pronësi të ndërmarrjes “Gërmia”.

Ajo ka shtuar se AKP sa herë të vendosë ndonjë aset në shitje, i ka disa mekanizma dhe disa hapa që i ndërmerr për t’u siguruar që aseti është në rregull.

“Ne veprojmë vetëm sipas mandatin tonë. Nëse komuna kishte me pasur ndonjë pretendim pronësor mbi atë tokë, deri tash ishte dashur me na njoftuar, por nuk ka pasur, kështu që ne kemi pasur kësi rate edhe më herët dhe blerësit nuk kanë pasur telashe për sa di me i vendosur ato asete në emër të tyre”, theksoi ajo.

Konushevci ka siguruar se AKP nuk shet asete pa dokumente bazë. Ajo ka arsyetuar marrëveshjen me Ndërmarrjen Banesore, sepse në atë kohë marrëdhëniet pronësore juridike kanë lejuar që një ndërmarrje shoqërore të ndërtojë një aset në tokë të ndërmarrjes publike, siç është rasti me asetin në fjalë.

Ajo ndër të tjera ka deklaruar se objekti i NSH “Gërmia”, është shfrytëzuar me qira nga Banka ProCredit deri në vitet e fundit, e cila ka paguar qira të rregullt mujore AKP-së.

Kjo shitje ofron objektin me sipërfaqe të përgjithshme prej 600 metra katror. Objekti përbëhet nga bodrumi me sipërfaqe prej 140 metra katror, përdhesa me sipërfaqe prej 320 metra katror dhe galeria me sipërfaqe prej 140 metra katror.

Aseti gjendet në Lagjen Ulpiana, rr. Dëshmorët e Kombit, afër Tregut të Ulpianës, përballë ndërtesës së PTK-së në Prishtinë. Prona aktualisht nuk shfrytëzohet nga askush. AKP në ofertën e saj ka vënë kriterin për depozitën e ofertës 100 mijë euro.

Image
Image

Image