Mbi 200 milionë euro për trajtime jashtë vendit

Ekonomia August 11, 2017 - 08:56

Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, thotë se kosovarët për çdo vit shpenzojnë mbi 200 milionë euro për trajtime shëndetësore jashtë vendit. Për këtë qëllim sivjet Ministria e Shëndetësisë ka ndarë vetëm 5.8 milionë euro, shkruan sot, gazeta Zeri.

Shuma të mëdha parash të qytetarëve të Kosovës edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen për trajtime shëndetësore në shtete të ndryshme të Evropës, por edhe më larg.

Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, thotë se kosovarët për çdo vit shpenzojnë mbi 200 milionë euro për trajtime shëndetësore jashtë vendit. Për këtë qëllim sivjet Ministria e Shëndetësisë ka ndarë vetëm 5.8 milionë euro.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur se për këtë vit për trajtime shëndetësore jashtë shtetit ka ndarë buxhet prej 5.8 milionë eurosh, e që sipas tyre vetëm gjatë këtyre gjashtë muajve në Ministri kanë aplikuar 964 persona.

“Sipas Raportit të Zyrës së Trajtimit Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike të MSH-së, në periudhën janar- qershor 2017 ka pasur 964 aplikime, nga të cilat përfitues janë 681 (prej tyre rreth 100 nga viti i kaluar 2016). Deri në fund të vitit parashihet që numri i përfituesve të kalojë mbi 1000. Numri i aplikimeve sipas sëmundjeve është nga fusha e Kardiologjisë 289, Oftalmologjisë 169, Ortopedisë 120, por ka edhe nga fushat e tjera.

Vitin e kaluar ka pasur 1.030 raste të trajtuara. Procedurat e aplikimit dhe të realizimit të mbështetjes financiare janë të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, ndërsa prioritet janë fëmijët”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

 Investime në aparatura

Për kryetarin e Sindikatës së Shëndetësi në Kosovë, Blerim Syla, do të ishte më mirë që një pjesë e buxhetit Ministria ta investonte në aparatura në vend dhe t’i përmirësonte kushtet. Ai ka shtuar së në bazë të statistikave të Bankës Botërore mbi 200 milionë euro shpenzohen jashtë vendit për trajtim të sëmundjeve të ndryshme. “Do të ishte shumë më mirë që të investohet në aparatura si dhe të investohet në mjekë. Është e paimagjinueshme se si në vitin 2017 po ia japim vetes një luks t’i rrisim fondet për trajtim jashtë Kosovës”, ka thënë ai. Syla ka shtuar se ministria nuk ka bërë asnjë investim kohëve të fundit në Shëndetësi, ndërsa thekson se aparatura që e kanë është e stërvjetruar.

“Kjo ministri duhet që çdo vit të shikojë se cilët pacientë po shkojnë jashtë, a ka kushte që të trajtohen dhe të krijohen kushte këtu në Kosovë dhe të tejkalohen problemet. Investime në shëndetësi nuk ka kohët e fundit, sepse aparaturat në QKUK janë të stërvjetruara. Unë them se me investime nga Ministria e Shëndetësisë ka mundësi që shumica e rasteve të trajtohen në Kosovë, pasi ka kushte”, ka thënë ai.

Mbi 55 fëmijë të sëmurë nga leukemia trajtohen jashtë shtetit 

Çdo vit vetëm nga reparti i Pediatrisë në Kosovë mbi 55 fëmijë të sëmurë nga leukemia dërgohen për ta marrë trajtimin e duhur në vendet e ndryshme të Evropës, kryesisht në Turqi. Drejtori i këtij reparti, Muharrem Avdiu, thotë se fëmijët dërgohen për shërim jashtë vendit atëherë kur sëmundja mbërrin fazën e fundit dhe nuk mund të intervenohet këtu. “Në secilin repart të Klinikës së Pediatrisë i kemi nga 2 mjekë të cilët punojnë vazhdimisht. Vetëm brenda vitit 2016 kanë qenë mbi 55 raste të fëmijëve me leukemi që janë dërguar jashtë vendit për trajtim, kjo shifër është pothuajse e njëjtë nga viti në vit. Këto raste marrin trajtimin fillestar këtu, por që me avancimin e sëmundjes ose në raste të përkeqësimit të gjendjes atëherë ato dërgohen përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe komisionit përkatës në vazhdimin e trajtimin jashtë vendit”, ka thënë ai.