Mafia e Shipitullës (Dokument)

Ekonomia August 09, 2017 - 08:16

Për më pak se një vit 138 ndërtime të egra kanë ndodhur në fshatin Shipitullë të Obiliqit, duke e rritur kështu vlerën e shpronësimeve nga buxheti i shtetit nga 4.5 milionë euro në 15.5 milionë euro. Gazeta “Zëri” ua sjell faktet se si ka ndodhur kaosi me ndërtime për një kohë të shkurtër dhe emrat e familjeve që presin të përfitojnë miliona nga shpronësimet. Madje disa familje që kanë prona aty kurrë më parë nuk kanë jetuar në këtë fshat, transmeton zeri.info.

Për më pak se një vit janë ndërtuar 138 objekte të reja banimi në kundërshtim me ligjin në fshatin Shipitullë të komunës së Obiliqit, ndonëse me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte e shpallur Zonë me Interes të Veçantë Ekonomik dhe ndërtimet e as mbindërtimet nuk do të duhej të lejoheshin.

Në Shipitullë institucionet e vendit ka kohë që kanë planifikuar zgjerimin e mihjeve në mënyrë që të mos rrezikohej furnizimi i qytetarëve me energji elektrike.
Por, ndërtimet kanë ndodhur në mënyrë të egër, në kundërshtim me ligjin, transmeton zeri.info.

“Të fortit” e Shipitullës kanë ndërtuar në kundërshtim me ligjin, ku para tyre janë “gjunjëzuar” autoritetet lokale dhe qendrore.Image

Gazeta “Zëri” pas një hulumtimi disajavor ka arritur ta sigurojë një dosje të madhe me dokumente, fotografi e raporte financiare, ku shihet se si pronat në Shipitullë po arrinin vlerë më të lartë se pronat përballë hotelit “Grand” në Prishtinë.

Para se të ndodhte ky kaos me ndërtime, sipas këtyre dokumenteve të siguruara nga “Zëri”, vlera e shpronësime ishte vetëm 4.5 milionë euro, ndërsa për më pak se një vit vlera është trefishuar, duke arritur në 15.5 milionë euro.

Në dëshmitë që ka arritur t’i sigurojë gazeta “Zëri” shihet se në listën e personave që presin të përfitojnë miliona nga shpronësimet janë disa familje me mbiemrin Çitaku, e Makolli, e që në realitet familje me mbiemra të tillë nuk ka pasur asnjëherë në këtë fshat.

Por, dyshohet se kanë blerë prona për të përfituar në situata të tilla, pasi që kanë pasur informacione për hartën zonale të zgjerimit të mihjes.
Të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, zyrtarë të KEK-ut konfirmojnë për gazetën “Zëri” se në kohen kur KEK-u ka bërë vlerësimin numri i objekteve të ligjshme ishte 99 e ku vlera e përafërt e shpronësimit ishte rreth 4.5 milionë euro.

“Aktualisht në atë zonë tash janë 237 objekte dhe në bazë të vlerësimeve kostoja e shpronësimit tash është 15.5 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut dërguar gazetës “Zëri”.

Gjukaj kishte njoftuar Qeverinë për ndërtimet ilegale

Në korrik të vitit 2014, përmes një shkrese urgjente që ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”, shihet se drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ia kishte dërguar në atë kohë një shkresë ministrit të Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Fadil Ismajlit dhe ish-ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) Dardan Gashit, ku thuhet se është tejet shqetësues rritja e ndërtimeve ilegale në zonën, e cila me vendim të Qeverisë ishte Zonë e Interesit të veçantë.

“Për informimin tuaj ndërtimet tani që po bëhen janë të shtrira në zonën, e cila është iniciuar nga KEK-u për shpronësim-zhvendosje, përkatësisht lagjet Bërbatovci dhe Krasniqi në zonën kadastrale Shipitullë dhe në lagjen “Mireneve”, të zonës kadastrale Hade. Edhe një herë përmes shkresave ju kemi informuar për ndërtimet ilegale, por edhe përkundër obligimeve që dalin nga vendimet përkatëse nuk janë ndërmarrë veprimet për ndalimin e tyre nga organet e theksuara në vendime”, thuhet në letrën e Gjukajt drejtuar me urgjencë në atë kohë ministrit Ismajli, ministrit Gashi, por edhe komitetit ndërministror.

Aty më tutje thuhet se me vendim të Qeverisë së Kosovës, numër 4/119, të datës 3 nëntor 2004, pika një, shpall këtë zonë me Interes të Veçantë Ekonomik, pra fusha “Mihja e Re”, kurse me pikën 2 të vendimit përcaktohet qartë se është obligim i MMPH-së dhe i Komunës së Obiliqit që ta zbatojë pikën 1 të vendimit për t’i ndalur ndërtimet apo mbi ndërtimet e reja në zonat me interes të veçantë ekonomik.

“Pavarësisht këtij përcaktimi, ne kemi vërejtur shqetësim të madh me ndërtimin e shtëpive të reja në lagjen “Krasniqi” e “Bërbatovci” të fshatit Shipitullë dhe në lagjen “Mirena” të fshatit Hade, lokacione këto që shtrihen brenda zonës me interes të veçantë ekonomik. KEK-u ka tentuar t’i njoftojë pronarët, ndërtuesit në fjalë, se aktivitetet e tyre janë të jashtëligjshme dhe nuk do të vlerësohen dhe kompensohen edhe përkundër se tashmë hapësira në fjalë është proceduar për shpronësim si pjesë e zgjerimit të mihjes së re. Përpjekjet e KEK-ut nuk kanë dhënë rezultate dhe aktiviteti i tyre ilegal rreth ndërtimeve më qëllim përfitimi ka vazhduar dhe po vazhdon akoma. KEK-u është i shqetësuar me trendin e ndërtimeve. Në këto rrethana kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, respektivisht ministrisë së autorizuar dhe nga Komuna e Obiliqit që të marrin masa për t’i parandaluar ndërtimet ilegale”, thuhet në letrën e Gjukajt. Aty më tutje thuhet se toka e cila i nënshtrohet shpronësimit sipas projektelebatoratit të KEK-ut duhet të jetë në dispozicion të operimeve të mihjes së KEK-ut jo më vonë se fundi i vitit 2014, përkatësisht fillimi i vitit 2015.

“Mosndërmarrja e veprimeve për pengimin e ndërtimeve ilegale do ta zvarrisë procedurën e shpronësimit-zhvendosjen nga zona e  propozuar për shpronësim dhe do ta pengojë hyrjen e KEK-ut në posedim, me çka do të dëmtohet seriozisht zhvillimi i mihjes së Sibovcit në jugperëndimor dhe më ketë edhe vazhdimësia e furnizimit të rregullt dhe stabil të termocentraleve”, thuhet në fund të letrës, e cila më 11 korrik të vitit 2014 i është drejtuar ministrit të MZHE-së, Fadil Ismajlit, ministrit të MMPH-së, Dardan Gashit, komitetit ndërministror, kryesuesit të bordit të KEK-ut, Berat Rukiqit, kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashit, drejtorit të inspkesionit në këtë Komunë, Avdi Mjekut, drejtorit të Urbanizimit, Fatmir Bërbatovcit, si dhe menaxherit vendor të Bankës Botërore, Jan Peter Olters, e të cilën ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”.

 MMPH-ja padit Komunën e Obiliqit

Po ashtu një letër të ngjashme si kjo e Gjukajt personave të njëjtë ua kishte dërguar edhe më 10 qershor të vitit 2016, ku pas një jave atij i ishte kthyer një përgjigje nga sekretari i MMPH-së, Arben Çitakut. Në letrën e Çitakut, të cilën e posedon gazeta “Zëri”, thuhet se jo vetëm për këtë shpresë, por edhe për shkresa tjera të ngjashme në të kaluarën ne si inspektorat i MMPH-së kemi dhënë vlerësimin tonë në bazë ligjore, ku përmes disa inspektimeve dhe shkresave tjera përcjellëse është vënë në dijeni Komuna e Obiliqit, por edhe KEK-u, për probleme që kanë ndodhur dhe aktualisht janë duke ndodhur e që ekskluzivisht janë kompetencë e Komunës, përkatësisht Inspektoratit Komunal. “Pikërisht për shkak të moskryerjes së obligimeve ligjore nga niveli komunal ju rikujtojmë se Inspektorati i MMPH-së ka ngritur padi gjyqësore ndaj Komunës së Obiliqit, respektivisht Inspektoratit të Ndërtimit, që nga data 01.06.2015, prandaj nga kjo rrjedh se adresimin e çështjes duhet ta bëni në organin kompetent, që në këtë rast është Komuna e Obiliqit”, thuhet në letrën e Çitakut drejtuar Gjukajt.

Gashi: Organet kompetente janë duke i hetuar të gjitha rastet

Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se për çështjen e vlerësimit të aseteve që janë në atë zonë kemi kontraktuar një kompani për vlerësim, ndërsa sa u përket ndërtimeve Komuna, sipas tij, nuk ka lëshuar leje ndërtimi në atë zonë edhe nuk lëshon leje ndërtimi.

“Në Kosovë, sipas informatave, janë përmbi 370 mijë ndërtime pa leje, që nuk kanë mundur t’i ndalë askush dhe nuk ndalen kurrë, mirëpo ne nuk kemi dhënë leje për ndërtim”, ka thënë Gashi për gazetën “Zëri”. Ndërkaq sa u përket dyshimeve të personave të huaj që kanë ndërtuar në këtë fshat, Gashi tha se janë organet kompetente që duhet ta hetojnë rastin.

“Janë organet kompetente të cilat janë duke i hetuar të gjitha rastet edhe besoj do të japin sqarime të mëtutjeshme”, ka thënë ai.

 Shala: Ka qenë përgjegjësi e KEK-ut që të merret vesh me banorët

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, e shpjegon në detaje gjithë këtë proces. Ai thotë se ka qenë përgjegjësi e KEK-ut që të merret vesh me banorët për shpronësimin e pronave të tyre. Por, sipas tij, KEK-u ka dështuar ta bëjë këtë gjë.

Për më tepër KEK-u rezulton ta ketë njoftuar Ministrinë shumë vonë se s’po mund të ketë ujdi me banorët, në mënyrë që t’i hapet rrugë zbatimit të Ligjit për Shpronësime. Shala hedh poshtë çdo mundësi që MMPH-ja ka dështuar t’i përmbushë detyrimet e veta në raport me këtë çështje. Bile ai thotë se edhe KEK-u ka ende hapësirë që ta shmangë krizën energjetike. “MMPH-ja ka miratuar vendimin e parë në Qeveri për shpronësim, ka caktuar dëgjimin publik dhe pas datës 10 gusht do t’ia propozojë Qeverisë miratimin e vendimit preliminar. Ndërsa pasi Ministria e Financave ta kryejë vlerësimin e pronës MMPH-ja do t’ia propozojë Qeverisë miratimin e vendimit përfundimtar më të cilin mbyllet procedura e shpronësimit. KEK-u deri në miratimin e vendimit përfundimtar ka hapësirë t’i bindë banorët të nënshkruajnë marrëveshje. Çdo përgjegjësi e MMPH-së është duke u kryer brenda afatit ligjor”, ka thënë ai për “Aktivpress”.

Mustafa: Vonesa shkaktoi humbje të mëdha

Kurse kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e fundit të Qeverisë kishte paralajmëruar humbjet që do t’ia shkaktonte Kosovës mosshpronësimi i banorëve. Mustafa kishte thënë se për shkak të vonesave të shpronësimit nga çmimi rreth 5 milionë euro tani llogaritet se do t’i kushtojë KEK-ut rreth 15 milionë ose 20 milionë euro. “Do të dëmtohemi materialisht, sepse ka pasur vonesa të mëdha dhe në vend që neve shpronësimi atje të na kushtojë rreth 5 milionë euro, tani për tani llogaritet se do t’i kushtojë KEK-ut rreth 15 ose 20 milionë euro, për arsye se janë lejuar ndërtime pa leje në atë pjesë të shumë shtëpive që s’jeton askush, por çështjet do të zgjidhen nga ata që merren me drejtësi dhe nga ne nga procedurat ligjore, sepse jashtë tyre nuk mund të veprojmë”, kishte deklaruar kryeministri Mustafa. Image