Ekonomia

Zjarri përfshin sipërfaqe pyjesh,Vushtrria me masa emergjente

Zjarri përfshin sipërfaqe pyjesh,Vushtrria me masa emergjente
05 gusht 2017 • 09 : 10 • autori: Kajtaz Gecaj / Vushtrri

Zjarret kanë përfshirë shumë sipërfaqe të pyjeve dhe të kullosave në rajonin e Mitrovicës dhe të komunave të saj, si dhe në Drenas. Në Mitrovicë zjarret kanë shpërthyer dhe nuk janë shuar në Shupkovc dhe në Kçiq të Madh, në Vushtrri janë djegur pishat në Taragjë, ndërsa në Drenas dhjetëra hektarë pyje te “Guri i Plakës” në Godanc, shkruan sot, gazeta Zeri.

Temperaturat tropikale që kanë përfshirë gjithë vendin kanë shkaktuar zjarre në disa pyje dhe kullosa të komunave të Mitrovicës, Vushtrri dhe Drenas. Në Mitrovicë zjarret kanë shpërthyer dhe nuk janë shuar në Shupkovc dhe në Kçiq të Madh, në Vushtrri janë djegur pishat në Taragjë, ndërsa në Drenas dhjetëra hektarë pyje në te “Guri i Plakës” në Godanc.

Në Vushtrri janë përfshirë nga zjarret edhe sipërfaqet me pisha dhe kullosat, ndërsa në komunën e Mitrovicës në fshatrat Shupkovc dhe Kçiq i Madh sipërfaqe të mëdha të pyjeve janë përfshirë nga zjarret dhe me gjithë përpjekjet e mëdha të ekipeve të zjarrfikësve edhe gjatë gjithë natës së mbrëmshme (e enjte) zjarret nuk janë shuar.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, duke qenë i bindur për rrezikun nga zjarret që kanë shpërthyer në këto vatra, në Shupkovc dhe në Kçiq të Madh, ka qëndruar deri pasmesnate, të enjten, në zonat e përfshira nga zjarret.

Nëpërmes “Facebook”-u, kryetari i Mitrovicës ka treguar se zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha. Sipas tij, zjarri që ka shpërthyer në zonën e fshatrave Shupkovc e Kçiq të Mitrovicës, pavarësisht përpjekjeve të mëdha të zjarrfikësve kanë qenë aktive edhe pasmesnate.

“Zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha në fshatrat Kçiq dhe Shupkovc. Deri në këto momente isha krahas zjarrfikësve, të cilët po e bëjnë të pamundurën për fikjen e vatrave të zjarrit”, ka shkruar Bahtiri, ndërsa gazeta ka mësuar në ndërkohë se zjarri është shuar në zonën e përfshirë nga zjarret në Shupkovc, ndërsa në Kçiq të Madh ende ka zjarre. Zjarret që kanë shpërthyer në këtë fshat kanë rrezikuar t’i përfshijnë edhe disa shtëpi në afërsi.

Edhe në komunën e Drenasit disa sipërfaqe me pyje janë përfshirë nga zjarret. Në Godanc të kësaj komune dhjetëra hektarë me pyje janë përfshirë nga zjarret që janë shkaktuar nga temperaturat e larta. Policia, e ndihmuar edhe nga zjarrfikësit e Drenasit dhe ata të Skenderajt nuk kanë arritur të depërtojnë deri te vatra e zjarri me makina, por kanë qenë të detyruar që te vendi i përfshirë nga flakët të shkojnë me çanta krahu. Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ftuar qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos i djegin hamulloret (sernishtat) pasi zjarri depërton te pyjet e rrezikon edhe shtëpitë e banorëve.

Në anën tjetër, Komuna e Vushtrrisë ka ngritur gatishmërinë emergjente për shkak të zjarreve. Kryetari i Komunës, Bajram Mulaku, duke marrë në konsideratë situatën e krijuar gjatë ditëve të fundit të shkaktuar prej zjarreve, ka marrë vendim për ngritjen e gatishmërisë emergjente. Konform këtij vendimi të kryetarit Mulaku tani janë ngritur  gatishmëri emergjente dhe aktivizohet Qendra Lokale Emergjente me qëllim të tejkalimit të situatës së krijuar. Në krye të këtij trupi është vendosur Nezir Klinaku, drejtor i Drejtorisë së Emergjencave në komunën e Vushtrrisë.

Në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim janë aktivizuar në gatishmëri të plotë përfaqësues të institucioneve të komunale, ekipet e zjarrfikësve, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, Policia e Kosovës, KEDS-i, kompania rajonale e ujësjellësit “Mitrovica”, Njësia në Vushtrri, Kryqi i Kuq dhe shumë subjekte të tjera.

“Për rregullat për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në pyje dhe në kullota, si dhe për krijimin e njësive vullnetare të shuarjes së zjarreve është vënë në gatishmëri të plotë e gjithë baza materiale dhe logjistike ekzistuese”, thuhet në mes tjerash në njoftimin e Komunës së Vushtrrisë.

 

 

 

 

 

 

 

 

© zëri.info