Pësojnë rënie Ndërmarrjet Ekonomike të regjistruara në vend

Ekonomia August 01, 2017 - 11:40

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vendin tonë kanë pësuar rënie Ndërmarrjet Ekonomike të regjistruara, në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti dhe me të njëjtën periudhe të vitit 2016, transmeton “Zeri.info”.

Në tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2017 janë regjistruar gjithsej 2 237 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM1 2017), në këtë tremujor (TM2) ka pasur një rënie prej 21.5% të ndërmarrjeve të regjistruara. Po ashtu, rënie për 20.1% të ndërmarrjeve të regjistruara vërehet edhe nëse e krahasojmë me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM2 2016).

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 623 ndërmarrje të regjistruara (28.0%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 278 ndërmarrje të regjistruara (12.0%); prodhimi me 234 ndërmarrje të regjistruara (10.0%); ndërtimtaria me 202 ndërmarrje të regjistruara (9.0%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike 189 ndërmarrje të regjistruara (8.0%); si dhe aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Prishtina me 613 ndërmarrje të regjistruara (27.4%); Ferizaj me 202 ndërmarrje të regjistruara (9.0%); Prizreni me 175 ndërmarrje të regjistruara (7.8%); Peja me 139 ndërmarrje të regjistruara (6.2%); Gjilani me 135 ndërmarrje të regjistruara (6.0%); Gjakova me 105 ndërmarrje të regjistruara (4.7%); ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor./Zeri/.