Çdo e katërta makinë është e pasiguruar

Ekonomia August 01, 2017 - 08:46

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” thotë se sipas informatave të pranuara nga Byroja Kosovare e Sigurimit vlerësohet se rreth 25% të makinave që qarkullojnë në rrugët e Kosovës janë të pasiguruara.

Sipas tij, këto automjete çdo ditë e më shumë rrezikojnë jetët e qytetarëve të Kosovës.

Zëri: Si është situata aktuale në sektorin e sigurimeve?

Mehmeti: Duke u bazuar në të dhënat e raportuara nga kompanitë e sigurimeve në BQK, gjithsej shuma e primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimeve për tremujorin e dytë të vitit 2017 është në shumë prej 42.7 milionë eurosh ose 3,4% më shumë në krahasim me periudhën paraprake (qershor 2016 – 41.3 milionë euro). Ky trend i rritjes se primeve të shkruara bruto u shënua në sektorin e sigurimeve “Jojetë”, të cilat në krahasim me periudhën paraprake shënuan rritje prej 2,9%, ndërsa sektori i sigurimeve “Jetë” shënoi rritje në masën prej 18,4%. Primet e shkruara bruto në sigurimin e jetës gjatë tremujorit të dytë të vitit 2017, krahasuar me periudhën paraprake, shënuan një rritje prej 18,4%, duke arritur në shumën prej 1.6 milion eurosh, nga 1.4 milion sa ishin në tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Nga gjithsej bruto primet e shkruara, afër 96,3% e primeve përbëhet nga produktet e sigurimit “Jojetë”, ndërsa vetëm 3,7% e primeve përbëhet nga sigurimet “Jetë”. Nga gjithsej shuma e primeve të shkruara bruto nga sigurimet “Jojetë”, rreth 60,6% përbëhej nga sigurimet e detyrueshme, ndërsa 39,4% përbëhej nga sigurimet vullnetare. Edhe pse është shënuar një rritje e lehtë e pjesëmarrjes së sigurimeve vullnetare gjatë vitit 2017 megjithatë ky trend i rritjes së produkteve vullnetare nuk mjaftoi që këto produkte të rrisin pjesëmarrjen e tyre në një masë më të madhe në treg. Megjithatë, vlen të theksohet se produktet e sigurimeve vullnetare akoma mbeten produktet me potencial për rritje dhe zhvillim të tregut të sigurimeve në përgjithësi.

Zëri: Duke u bazuar në të dhënat e publikuara nga BQK-ja shihet se tregu i sigurimeve gjatë vitit 2016 ka operuar me humbje rreth 25 milionë euro. Për çfarë humbje bëhet fjalë?

Mehmeti: Sektori i sigurimeve gjatë vitit 2016 regjistroi humbje prej 25.6 milionë eurosh (humbje prej 8.9 milionë eurosh në dhjetor 2015). Thellimi i humbjes i atribuohet kryesisht humbjes së shënuar në kuadër të sigurimit “Jojetë” (humbje prej 25.9 milionë eurosh), përderisa performanca financiare e sigurimit “Jetë” ishte pozitive (fitim në vlerë prej 351.4 mijë eurosh). Humbja financiare në tregun e sigurimeve është ndikuar nga rivlerësimi aktual i provizioneve teknike të disa kompanive të sigurimeve “Jojetë”, të cilat me vite të tëra kishin nënvlerësuar provizionet teknike, përkatësisht provizionet për dëmet pezull. Si rezultat i kësaj, rivlerësimi i këtyre provizioneve gjatë vitit 2016 kishte shënuar rritje të theksuar, rritje kjo e cila më pas ndikoi në performancën e tregut në tërësi. Për shkak të nënvlerësimit të provizioneve teknike të disa kompanive të sigurimit nga vitet e kaluara, humbja e bartur nga nënvlerësimi i provizioneve teknike nga mosprezantimi i drejtë i këtyre rezervave për dëme të viteve të kaluara (2002-2015), është në shumë prej 15,955,258 eurosh. Kjo do të thotë që duke u bazuar në kërkesën e BQK-së për prezantim të drejtë të provizioneve teknike dhe pasqyrave financiare, humbjet e viteve paraprake janë bartur në vitin 2016. Kjo ka ndikuar që edhe kompanitë e tjera të rishikojnë, të rivlerësojnë dhe të pasqyrojnë drejt provizionet teknike, ku si rezultat i kësaj provizionet teknike të sektorit të sigurimeve në përgjithësi janë rritur për 28 milionë euro krahasuar me vitin paraprak. Njëkohësisht, si faktor tjetër me rëndësi në rritjen e humbjeve të sektorit të sigurimeve, e cila e ka ngarkuar edhe më tepër humbjen, është mënyra e tatimit të sektorit të sigurimeve në Kosovë. Pavarësisht humbjes së realizuar, të përmendur më sipër, shuma e paguar e tatimit në qarkullim për sektorin e sigurimeve ishte në shumë prej 4 milionë euro. Kjo do të thotë që forma e tanishme e tatimit të sektorit të sigurimeve, d.m.th. tatimi në qarkullim (shitje) është praktikë e vetme e pagesës së tatimit në Kosovë dhe nuk është e aplikueshme në asnjë vend të regjionit. Përveç tatimit në qarkullim, faktor tjetër i cili po kontribuon në humbjet e sektorit të sigurimeve janë pagesat e kompanive të sigurimit për Fondin e Kompensimit (humbje këto të shkaktuara nga makinat e pasiguruara). Pagesat (e me këtë rast edhe shpenzimet) për Fondin e Kompensimit, i cili Fond është i krijuar për mbulimin e aksidenteve të shkaktuar nga makinat e pasiguruara në Kosovë gjatë vitit 2016 (por edhe gjatë viteve të mëparshme) janë në shumë mbi 4 milionë euro.

Zëri: Ka pasur ankesa nga kompanitë e sigurimit lidhur me përcaktimin e kritereve të vlerësimit të dëmeve jomateriale? A ka ndërmarrë BQK-ja ndonjë veprim lidhur me këtë çështje?

Mehmeti: Gjatë vitit 2015 BQK-ja ka qenë e përfshirë në draftimin e Projektligjit për Sigurimet, ku BQK-ja pas draftimit final të këtij Projektligji e ka dërguar te Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë për rishikim nëse është në pajtueshmëri me Direktivat e Bashkimit Evropian. Pas rishikimit dhe pranimit të konfirmimit pozitiv lidhur me pajtueshmërinë e Projektligjit me Direktivat e Bashkimit Evropian, ligji është dërguar për procedim të mëtejmë. Në muajin dhjetor 2015 ky Projektligj është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës (Ligji nr. 05/L-045 për Sigurimet). Duke u bazuar në kërkesat e Ligjit të ri për Sigurimet, BQK-ja sipas mandatit të saj mbikëqyrës ka filluar me draftimin dhe në aprovimin e legjislacionit sekondar, ku gjatë vitit 2016 dhe 2017 janë aprovuar rreth 18 rregullore të ndryshme që rregullojnë çështjet e sigurimeve në Kosovë. Nga këto rregullore, është adresuar edhe çështja e rregullores së përmendur nga ju, e cila i ka munguar sektorit të sigurimeve që nga fillimi i aktivitetit të saj: “Rregullorja për përcaktimin e kritereve për vlerësimin e dëmeve jomateriale nga autopërgjegjësia” e aprovuar nga Bordi i BQK-së më 31 gusht 2016. Me këtë Rregullore janë përcaktuar kriteret unike të kompensimit të dëmeve jomateriale dhe dëmeve të tjera, që rrjedhin nga dëmet jomateriale si pasojë e aksidenteve të trafikut, që janë objekt i sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia. Kjo Rregullore është aprovuar duke pasur parasysh kërkesat e vazhdueshme të sektorit të sigurimeve, si dhe mungesën që nga fillimi i aktivitetit të kompanive të sigurimit, andaj BQK-ja në bashkëpunim me institucionet relevante shtetërore dhe me industrinë e sigurimeve kemi përpiluar dhe kemi aprovuar këtë rregullore. Para aprovimit të kësaj Rregulloreje, kompanitë e sigurimit kanë vlerësuar dëmet (me këtë rast edhe provizionet teknike) sipas gjykimit të tyre, duke mos pasur ndonjë kriter për vlerësimin e tyre. Për këtë arsye edhe vlerësimi i dëmeve dhe provizioneve teknike ka ndodhur të jetë joadekuat. Me hyrjen në fuqi të kësaj Rregulloreje janë përcaktuar kriteret unike të kompensimit të dëmeve jomateriale dhe dëmeve të tjera, që rrjedhin nga dëmet jomateriale për të gjithë siguruesit që operojnë në Republikën e Kosovës. Siç e përmenda më sipër, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, BQK-ja ka aprovuar edhe rregullore të tjera, me qëllim të kompletimit të legjislacionit sekondar që lidhen me fushën e sigurimeve, prej të cilave do të përmendja disa më të rëndësishmet: Rregullorja për solvencën, për Investimin e aseteve në mbulim të provizioneve teknike, për Risigurimin, për Aktuarët e sigurimeve, për Kontrollet e brendshme dhe auditimin e brendshëm, për Provizionet teknike, Publikim të informacionit, për Auditorët e jashtëm dhe shumë rregullore të tjera, të cilat rregullojnë aktivitetin e kompanive të sigurimit në Kosovë. Megjithatë, përpos këtyre rregulloreve të aprovuara, BQK-ja është në proces të finalizimit edhe të rregulloreve të tjera të rëndësishme për sektorin e sigurimeve.

Zëri: Kompanitë e sigurimeve dyshohet se po rrisin shpenzimet për ta ulur fitimin. A jeni në dijeni për një veprim të tillë, nëse po a keni ndërmarrë masa deri më tash?

Mehmeti: Me kërkesë dhe ftesë të BQK-së gjatë vitit 2016 ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë vlerësuar tregun e sigurimeve në Kosovë. Ky raport vlerëson lart punën e BQK-së në aspektin legjislativ, të mbikëqyrjes, por sigurisht se ka edhe rekomandime që duhet të zbatohen për përmirësim të tregut të sigurimeve në Kosovë. Ekspertë të FMN-së gjatë punës së tyre kanë pranuar informatat nga BQK-ja, kompanitë e sigurimeve dhe kompanitë audituese lidhur me tregun e sigurimeve. Nga takimet me të gjithë këto palë kanë arritur në disa konkluzione, ku një prej tyre dhe e cila ka kërkuar veprim konkret nga BQK-ja, ka qenë trajtimi i shpenzimeve të larta të kompanive të sigurimeve e në veçanti shpenzimet e shpërndarjes, respektivisht të komisioneve. Duke u baazuar në këtë, BQK-ja ka nxjerrë “Rregulloren për shitjen e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia dhe menaxhimin e shpenzimeve të siguruesve”, me të cilën rregullohet çështja e shpenzimeve të komisioneve dhe shpenzimeve të kompanive të sigurimeve. Me këtë Rregullore janë kufizuar shpenzimet e shpërndarjes (komisioneve) së kompanive të sigurimit, si dhe janë kufizuar edhe shpenzimet e përgjithshme të tyre. Aprovimi i kësaj Rregulloreje ka dhënë efektet e para, ku gjatë tremujorit të parë të këtij viti sektori i sigurimeve në Kosovë ka performuar me rezultat financiar pozitiv mbi 800 mijë euro. Ndërlidhur me këtë, BQK-ja pret që këtë vit sektori i sigurimeve të mbyllë vitin me rezultat financiar pozitiv. Po ashtu vlen të theksohet se, përveç rezultatit financiar pozitiv në tregun e sigurimeve në Kosovë, gjithsej dëmet e paguara ndaj policëmbajtësve kanë shënuar rritje prej afër 45% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, gjë që tregon një korrektësi më të lartë të siguruesve karshi policëmbajtësve. Vlen të theksohet se roli dhe funksioni primari i BQK-së është që me anë të mjeteve ligjore të mbrojë interesin e përgjithshëm të policëmbajtësve aktivë dhe atyre potencialë të siguruesve. Prandaj, edhe nxjerrja ligjeve dhe rregulloreve bëhet gjithnjë në kontribut të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe stabilitetit të sektorit të sigurimeve në përgjithësi. 

Zëri: Si e shpjegoni faktin se bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës kur vijnë në Kosovë detyrohen të paguajnë polica sigurimi?

Mehmeti: Sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, përkatësisht Nenet 16 dhe 17, kanë të përcaktuara kërkesat për sigurimin kufitar. Pasi që Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Byrove kartoni i gjelbër nuk mbulon territorin e Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, secili person i cili hyn në territorin e Republikës së Kosovës me mjetin motorik të regjistruar jashtë Kosovës, që në këtë rast janë bashkatdhetarët tanë, duhet të kenë dokument tjetër të vlefshëm sigurimi që garanton mbulesë sigurimi të autopërgjegjësisë. Përpjekjet e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Byrove ka qenë një proces i gjatë, i cili është karakterizuar me sfida të ndryshme. Fillimisht nga Këshilli i Byrove është kërkuar që Kosova duhet t’i plotësojë disa parakushte para se të fillojë procedurat e aplikimit të saj në Këshillin e Byrove, të cilat kushte janë plotësuar. Megjithatë, si çështje tjetër me rëndësi është edhe trajtimi i makinave të pasiguruara që qarkullojnë në Kosovë. Sipas informatave të pranuara nga Byroja Kosovare e Sigurimit, vlerësohet se rreth 25% të makinave që qarkullojnë në rrugët e Kosovës janë të pasiguruara. Automjetet e pasiguruara, të cilat qarkullojnë nëpër rrugët e Republikës së Kosovës, çdo ditë e më shumë rrezikojnë jetët e qytetarëve të Kosovës. Të dëmtuar në këto raste rezultojnë të jenë viktimat të cilat pësojnë aksidente në trafik, si dhe vetë shkaktarët e këtyre aksidenteve, të cilët me rastin e ndodhjes së aksidentit nuk kanë të kontraktuar sigurimin e përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara ndaj palëve të treta. Sipas statistikave rezulton se aksidentet me fatalitet më së shumti vijnë nga mjetet motorike të pasiguruara që në Kosovë barten vazhdimisht prej vitit në vit. Ulja e numrit të automjeteve të pasiguruara është një ndër kushtet të anëtarësimit në Këshillin e Byrove. Për këtë qëllim, në muajin korrik të vitit 2015 BQK-ja ka kërkuar nga organet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrë hapat e nevojshëm me qëllim të zvogëlimit të automjeteve të pasiguruara, e cila përpos ruajtjes së jetëve të qytetarëve, do të ndikonte edhe në zvogëlimin e shpenzimeve të sektorit të sigurimeve, përveç tjerash edhe të plotësimit të kushteve për anëtarësim në Këshillin e Byrove, si dhe në shtimin e atë hyrave të buxhetit të shtetit përmes rritjes së pagesës së tatimit nga kompanitë e sigurimit, si dhe të hyrave të siguruara nga kontrollet teknike për këto automjete.

Megjithatë, sipas përfaqësuesve të Këshillit të Byrove sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove në Bruksel tani për tani nuk mund të ndodhë për arsye të klauzolës në Kushtetutën e saj që Kosova të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara. Ketë e ka thënë edhe zonja Greet Flore në Konferencën e II Ndërkombëtare të Sigurimeve, të mbajtur në Prishtinë.

Zëri: A jeni në dijeni të Marrëveshjes së Konfidencialitetit Profesional, të aplikuar së fundmi nga Byroja Kosovare e Sigurimit për të punësuarit e saj, me të cilën janë paraparë gjoba duke filluar prej 30 mijë eurove?

Mehmeti: Byroja Kosovare e Sigurimit është institucion i themeluar me Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia dhe organizimi e funksionimi i Byrosë përcaktohet në statutin e saj. Sikurse çdo entitet tjetër, edhe Byroja i nënshtrohet kërkesave që dalin nga Ligji i Punës. Në këtë ligj janë të përcaktuara edhe elementet e kontratës së punës mes punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe çdo devijim nga kërkesat që rrjedhin nga Ligji i Punës janë të papranueshme dhe Byroja është e obliguar që t’i respektojë në përpikëri këto kërkesa.