Arbitrazhi, shpresa e fundit për investitorët e huaj

Ekonomia July 27, 2017 - 08:11

Behgjet Pacolli, pronar i kompanisë “Mabetex”, për rastin e privatizimit të hotelit “Grand” në Prishtinë i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit të Bankës Botërore në Uashington. Aktualisht Gjykatat e Arbitrazhit është shpresa e fundit për të kërkuar drejtësi për shkak të mospërmbushjes së kontratave mes atyre dhe institucioneve të vendit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kosova edhe më tutje vazhdon të humbë shuma të konsiderueshme të mjeteve për shkak të mospërmbushjes së kontratave në mes të institucioneve vendore dhe kompanive të huaja, që kanë ardhur për të investuar apo edhe për të bërë biznes në vendin tonë.

Biznesmeni Behgjet Pacolli kohë më parë kishte dhënë një shumë të konsiderueshme të mjeteve për privatizimin e hotelit “Grand”, por edhe pse janë paguar ato ai asnjëherë nuk ka arritur të bëhet pronar i saj.

Për të kërkuar drejtësi Pacolli së fundmi i është drejtuar Arbitrazhit Ndërkombëtar të Bankës Botërore në Uashington, shkruan tutje "Zëri".

Pacolli, në një status në rrjetin social “Facebook”, ka konfirmuar se rasti i hotelit “Grand” do të trajtohet në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Bankës Botërore në Uashington.

Sipas tij, ky rast udhëhiqet direkt nga qendra e “Mabetex”-it në Lugano, pasi që investimi mbi 5.1 milionë euro ka ardhur nga kjo qendër.

“Për mua si idealist i një Kosove civilizuese, ku sundon ligji dhe e drejta, ky rast më shqetëson goxha shumë. Nuk pati rrugëzgjidhje tjetër këtu në Kosovë, përveçse të dërgohet lënda në Arbitrazh Ndërkombëtar. Më poshtë do ta kuptoni në detaje se nuk ka pasur rrugë tjetër. Jam koshient se këto ditë do të dëgjoni spekulime se Behgjet Pacolli ka për qëllim ta dëmtojë buxhetin e Kosovës dhe se do t’i marrë para shtetit tonë. E gjithë e kaluara ime dhe e ardhmja e kanë dëshmuar dhe do ta dëshmojnë se unë i kam dhënë, i jap dhe do t’i jap këtij shteti dhe se ky veprim ka vetëm një qëllim: t’i identifikojë të gjithë matrapazët që na kanë varfëruar dhe na kanë pamundësuar që të bëhen investime në Republikën tonë”, ka thënë Pacolli.

Zëvendëskryeministrit i është kërkuar haraç

Sipas tij, drejtësinë në këtë rast nuk e meriton vetëm kompania të cilën ai e ka krijuar, por e meriton qytetari i Kosovës, pasi që, sipas tij, një zëvendëskryeministër i saj ka denoncuar se i është kërkuar haraç.

“E meriton shteti ynë, sepse nuk mund të lejojmë që askush të sillet në këtë mënyrë ndaj një investitori. E meriton ekonomia jonë dhe hoteli ‘Grand’. Jam koshient se ka shumë thashetheme dhe mite, por e vërteta është kjo dhe do të vërtetohet edhe në Uashington: Në këtë rast një palë është e dëmtuar që ka paguar mjetet, ndërsa nga gjykatësit dhe grupet e korruptuara mafioze është e privuar nga e drejta e vet. Për hir të informimit të drejtë të opinionit, situata qëndron kështu: Paratë për blerjen e hotelit ‘Grand’ janë paguar nga llogaria e ‘Mabco Construction’ në Zvicër dhe nëpërmjet bankës më të madhe zvicerane UBS janë paguar për blerjen e 40 për qind të aksioneve të këtij objekti. Gjithashtu është dorëzuar projekti i detajizuara për investimet dhe për këto ‘Mabco’ ofroi garancitë bankare për 39 milionë euro investime, investim ky i cili përveçse do t’i jepte shkëlqim Prishtinës, do të punësonte gjithashtu punësimin e qindra qytetarëve”, ka thënë Pacolli.

Sipas tij, punët është dashur të fillojnë me përpikëri sipas kontratës me “Spin OFF”-in gjatë vitit 2007.

Por sipas tij, grupet mafioze në Kosovë të mbështetur edhe nga politika, nëpërmjet mekanizmave që i kishin instaluar vetë bllokuan çdo gjë, nga ana tjetër duke inkasuar paratë që ishin paguar nga “Mabetex”-i nëpërmjet rrugëve legale bankare. Pacolli më tej ka shtuar se këta mekanizma të mbështetur nga politika ndikuan direkt edhe tek AKM-ja e atëhershme që ajo të heshtë dhe të mos lëkundet në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështjeje.

I kërkuan 3.6 milionë euro ryshfet

Më tutje Pacolli ka shtuar se ndërmarrja e grupit “Mabetex-Mabco Construction, në verën e 2007-s duke mos pasur asnjë rrugëzgjidhje dhe as qasje në ambientet e “Grand”-it, hapi proces gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku e mori verdiktin e drejtë të kësaj Gjykatë që t’i kthehet e drejta e pronësisë kësaj kompanie dhe të fillojnë punët.

Por, sipas tij, grupet e lartpërmendura u ankuan në Apel dhe një gjykatës shumë mirë i njohur me emër dhe mbiemër, në mënyrë të pakuptueshme, duke mos përfillur asgjë e kthen lëndën në shkallën e parë për rigjykim.

“Asnjëherë kjo instancë nuk e rigjykoi këtë çështje. Bile, grupet e përmendura kishin bërë edhe një delikt tjetër dhe në mënyrë ilegale kishin arritur që pronën ta kthejnë në emrin e tyre në Kadastrën e Komunës së Prishtinës, në të njëjtën kohë kur duhej të gjykohej kjo lëndë. Pavarësisht shumë ankesave dhe insistimeve nëpërmjet rrugëve ligjore, kjo lëndë asnjëherë nuk u rigjykua. Në vitin 2012 AKP-ja avancon dhe i kërkon ‘Mabco’-s që të përgatisë një plan të ri të investimeve dhe në një afat të caktuar të prezantojë pos tjerash edhe planin e punëve, projektin dhe garancinë bankare mbi 20 milionë euro si parakusht që ‘Mabco’-s përfundimisht t’i njihet statusi i blerësit legal të aksioneve dhe implementuesit të kontratës. Në kohë të duhur ‘Mabco’-ja përgatit krejt këtë dokumentacion dhe ia prezanton AKP-së ashtu siç e kishte kërkuar”, ka shtuar Pacolli.

Ai më tutje në statusin e tij në rrjetin social “Facebook” ka sqaruar se në këtë kohë rasti mori përmasa aq të mëdha sa dikush, derisa ai ishte në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, në shtëpinë e tij kërkonte ryshfet prej 3.6 milionë eurosh, që çështja e “Grand”-it të zgjidhej në mënyrë “legjitime” për kompaninë.

“Këtë unë e refuzova dhe e denoncova tek organet e EULEX-it. Ky denoncim mori një bujë mediatik dhe duke mos marrë parasysh asgjë që ishte bërë dhe ishte thënë AKP-ja tërheq aksionet e ‘Grand’-it në mënyrë arbitrare. ‘Mabco’-ja e Zvicrës për këtë ka informuar institucionet e Kosovës nëpërmjet letrave zyrtare, Presidencën, Kryeministrinë, kryetarin e Kuvendit dhe Ministrinë e Drejtësisë, pa marrë asnjëherë përgjigje.

Kompanisë përfundimisht i ngeli vetëm drejtimi te Gjykata Kushtetuese, e cila me një vendim kontrovers i jep të drejtë AKP-së, duke amnistuar të gjitha lëshimet e gjykatave kosovare dhe duke mohuar të drejtën e qytetarëve mbi pronën.

Të gjitha këto veprime i bënë sepse ishin zotuar që ‘Grand’-in nuk do t’ia lejojnë askujt, pavarësisht faktit që paratë u paguan, plani zhvillimor u prezantua dhe ajo gërmadhë që vazhdon të ngelet midis Prishtinës do të shndërrohej në një impuls zhvillimi për ekonominë”, ka thënë Pacolli.

Instancat gjyqësore të mos ndikohen nga grupet mafioze

Sipas tij, pas gjithë këtyre zhvillimeve “Mabco”-s i mbeti që të drejtën e vet ta kërkojë nëpër institucione kredibile ndërkombëtare, në këtë rast në Gjykatën e Arbitrazhit të Bankës Botërore në Uashington.

“Unë besoj fuqishëm që trajtimi i këtij rasti nga Arbitrazhi Ndërkombëtar në Uashington i kontribuon Kosovës, ndërtimit dhe funksionalizimit të shtetit ligjor në vend. Instancat gjyqësore në Kosovë duhet ta kuptojnë se duhet të gjykojnë vetëm në bazë të ligjit dhe të së drejtës pa marrë parasysh kush janë palët dhe të mos ndikohen nga grupet mafioze dhe politike sepse qytetarët e Kosovës pretendojnë se jetojnë në një sistem demokratik, ku sundon e drejta dhe ligji i njëjtë për të gjithë. Ne jetojmë sipas rregullave civilizuese perëndimore, andaj askush (as këta të fortit që abuzuan deri më tash) nuk mund të tallen me djersën e dikujt dhe as me qytetarët në përgjithësi”, ka shkruar Pacolli.

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, thotë se bordet politike në masë të madhe kanë shkatërruar ekonominë edhe ashtu të lodhur në vendin tonë. Sipas tij, shteti duhet t’i respektojë kontrata që lidh me palët.

“Pa dashur të futem direkt në rastin e privatizimit të hotelit ‘Grand’, por nëse biznesmeni Pacolli arrin ta fitojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit, atëherë atij duhet t’i kompensohen edhe mjetet në emër të interesit-fitimit të humbur e kështu që buxheti po humb mjete për shkak të një dështimi të një bordi, i cili ka marrë vendime në bazë të interesave të grupeve të caktuara”, ka thënë Shatri për gazetën “Zëri”.

Deri më tash Kosova ka humbur dy raste të mëdha në gjykata të arbitrazhit, ku në njërin rast shteti është dashur të kompensojë prej më shumë se një milion euro kompaninë austriake për shkak të mosrespektimit të kontratës.

Po ashtu rasti dytë ka të bëjë me Telekomin e Kosovës, ku operatori virtual “Z-Mobile” kishte fituar rastin dhe shteti është dashur të kompensojë prej dhjetëra miliona eurosh atë. Por, këta të fundit në momentet e fundit kanë hequr dorë nga kompensimi.