610 milionë euro depozita të siguruara me ligj

Ekonomia July 25, 2017 - 09:46

Violeta Arifi -Krasniqi, drejtoreshë menaxhuese e Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK), thotë se nga 2.8 milionë euro sa kanë qenë depozitat nëpër bankat komerciale të Kosovës deri në fund të vitit 2016, vetëm 610 milionë prej tyre janë të siguruara me ligj

Vetëm 610 milionë euro apo 21,4 për qind e depozitave të qytetarëve nëpër bankat komerciale në Kosovë janë të siguruara me ligj. Kështu thotë Violeta Arifi -Krasniqi, drejtoreshë menaxhuese e Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK), duke shtuar se në bazë të ligjit aktual më shumë se 850.860 qytetarë që kanë të depozituara nëpër banka nën 4 mijë euro, mjetet e tyre I kanë të siguruara me ligj. Ndërkaq 88.864 depozitues, të cilët nëpër llogaritë e tyre kanë mjete mbi këtë shumë, mjetet e tyre nuk sigurohen me ligj.

iBANK: Sa është shuma e përgjithshme e depozitave në sektorin bankar të Kosovës dhe sa prej tyre janë të garantuara me ligj?

Arifi -Krasniqi: Totali i depozitave në sektorin bankar të Kosovës më 31 dhjetor 2016 arriti në 2.844.052.000 euro, ndërsa vëllimi i depozitave të siguruara arriti në 610 milionë euro.

LIMITI I SIGURIMIT TË DEPOZITAVE DO TË RRITET NË 5000 EURO

iBANK: Aktualisht mbulimi i depozitave me ligj është 4000 euro. A parashihet rritje e kësaj shume?

Arifi -Krasniqi: FSDK-ja është themeluar me ligj për ta administruar Sistemin e Sigurimit të Depozitave në Kosovë. Mandat kryesor i FSDK-së është sigurimi i depozitave të personave fi zikë dhe juridikë në bankat anëtare dhe kompensimin e depozitorëve të siguruar deri në limitin e sigurimit brenda tridhjetë (30) ditëve në rast revokimit të licencës, sipas kritereve dhe limiteve të përcaktuara në ligj (përkatësisht LSD and LSDA). Limiti i tanishëm i sigurimit të depozitave është 4.000 euro për person për bankë, i paraparë të rritet në 5.000 euro nga 01.01.2018 në pajtim me LSDA-në.

iBANK: Në bazë të statistikave që i dispononi, sa për qind e depozituesve janë të vegjël dhe që mund të mbulohen nga Fondi dhe sa për qind janë depozitues të mëdhenj?

Arifi -Krasniqi: Vëllimi i përgjithshëm I depozitave të siguruara më 31 dhjetor 2016 ishte 610 milionë euro, ose 21,4% të shumës totale të depozitave të bankave anëtare. Raporti i numrit të depozituesve të siguruar ndaj numrit të përgjithshëm të depozituesve ishte 97,57 për qind. Depozituesit e siguruar me kërkesa neto deri në nivelin e sigurimit: kërkesa neto nën 4000 euro ishte në rreth 88,34 për qind, që do të thotë se 850.860 e depozituesve të siguruar kanë depozita deri në 4.000 euro. Ndërsa, depozituesit e siguruar me kërkesa neto mbi nivelin e sigurimit: kërkesa neto mbi 4000 euro ishte rreth 9,23%, apo 88.864 e depozituesve të siguruar kanë depozita mbi 4.000 euro.

iBANK: Nëse posedoni statistika, sa është numri i depozituesve (qytetarëve/ bizneseve) që kanë depozita në vlerë prej mbi 1 milion euro në sektorin bankar?

Arifi-Krasniqi: Nuk posedojmë statistika të tilla.

iBANK: Nëse bëjmë një krahasim me vendet e rajonit, si qëndron Kosova me sigurimin e depozitave, duke marrë për bazë aspektin ligjor?

Arifi -Krasniqi: Ju lutem që ta bëni dallimin në mes të “sigurisë së depozitave” me “sigurimin e depozitave”, që nënkupton skemë të garantimit të depozitave për t`iu përgjigjur kërkesave për kompensim në rast të ngjarjes së siguruar, e cila sipas Ligjit për Sigurimin e Depozitave është akti i revokimit të licencës nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Sistemi i Sigurimit të Depozitave është shtyllë e rëndësishme e rrjetit të sigurisë financiare dhe luan rol kyç në kontributin e stabilitetit të sistemit fi nanciar dhe mbrojtjen e depozituesve. Sistemi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë ka adoptuar praktikat më të mira ndërkombëtare, siç janë: pavarësia institucionale, anëtarësimi i detyrueshëm i të gjitha institucioneve që pranojnë depozita, financim “paraprak” (“ex-ante”) me lartësi të defi nuar të FSD-së, zbatimi i premiumit diferencues, mbulueshmëria e sigurimit me limit të caktuar dhe përfshirja në sigurim e personave fi zikë dhe juridikë. Prandaj, duke marrë për bazë aspektin ligjor, Sistemi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë në krahasim me vendet e rajonit qëndron mirë pasi që është themeluar mbi bazën e standardeve ndërkombëtare.

FONDI I SIGURIMIT, 30.5 MILIONË EURO

iBANK: Sa është vlera e përgjithshme e Fondit për Sigurimin e Depozitave dhe si është grumbulluar ky fond?

Arifi-Krasniqi: Më 31 dhjetor 2016 bilanci I përgjithshëm i FSD-së ishte 30.5 milionë euro, nga të cilat 17.5 milionë euro kontribute me kapital dhe 13.08 milionë euro surpluse të akumuluara, përkatësisht pjesa e kontributeve të bankave anëtare përmes pagesës së premiumeve në bilancin e përgjithshëm të FSD-së ka arritur nivelin prej 43%.

iBANK: Sa është vlera e depozitave në degët e bankave komerciale nga Serbia që operojnë në Kosovë dhe çfarë bashkëpunimi ka FSDK-ja me degët e bankave serbe?

Arifi -Krasniqi: Sipas ligjit, një degë e bankës së huaj, e licencuar për të pranuar depozita në Kosovë, është e obliguar që të bëhet anëtare e FSDK-së vetëm nëse vendi amë ofron sigurim të depozitave dhe atë me mbulesë më të ulët sesa e përshkruar në LSDA. Në këtë drejtim, depozitat e “Komercijalna Banka ad”, në Beograd, nuk janë të siguruara nga FSDK-ja, sepse agjencia në vendin amë ofron limit më të lartë të sigurimit të depozitave. Ky informacion është interpretuar nga ligjet e aplikueshme.

iBANK: Norma e interesit në depozita në Kosovë ka rënë dukshëm viteve të fundit. A është kjo për shkak të likuiditetit të madh të bankave apo për shkak të kërkesës së madhe të klientëve për të depozituar?

Arifi -Krasniqi: FSDK-ja nuk ka mandate për përgjigjeje në pyetjen e parashtruar.

iBANK: Para disa vitesh Banka Qendrore e Kosovës ia kishte tërhequr licencën Bankës Kreditore të Prishtinës. Sa janë kompensuar klientët nga FSDK-ja, përkatësisht sa është vlera e përgjithshme e kompensimit, si dhe sa klientë nuk janë kompensuar ende?

Arifi -Krasniqi: FSDK-ja nuk posedon informacione për përgjigje në pyetjen e parashtruar, sepse është themeluar në vitin 2011.

iBANK:  Para dy vjetësh është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në mes FSDK-së, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë (ASD) dhe Fondit Zviceran të Sigurimeve të Depozitave dhe agjentëve të Tregtimit të Letrave me Vlerë. Çka i obligon palët nënshkruese ky memorandum?

Arifi -Krasniqi: Memorandumi i Mirëkuptimit nuk është obligativ, por është dokument që shtjellon fushat e bashkëpunimit të siguruesve të depozitave me qëllim të ngritjes së kapaciteteve për përmbushje të standardeve ndërkombëtare në fushën e sigurimit të depozitave. Si pika kryesore të MOU-s me Agjencionin e Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë (ASD) dhe Agjencinë Zvicerane të Sigurimit të Depozitave (ESISUISSE) janë: shkëmbimin e informacioneve, dokumenteve dhe punonjësve me qëllim rritjen e kapaciteteve institucionale në fushën e sigurimit të depozitave, bashkëveprim në ndërmarrjen e simulimeve të përbashkëta apo asistencës teknike në rast të ngjarjes së kompensimit, zhvillimin e konsultimeve për çështje të zhvillimit institucional, fushës së sigurimit të depozitave me theks në procesin e kompensimit.

iBANK: Përveç këtyre dy shteteve, a keni nënshkruar memorandume tjera të ngjashme?

Arifi-Krasniqi: FSDK-ja ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me këto agjenci të vendeve tjera: Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kursimeve të Turqisë (TMSF), Korporatën Federale të Sigurimit të Depozitave (FDIC) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë (ASD).