3 miliardë euro depozita në banka

Ekonomia July 24, 2017 - 14:41

Depozitat e qytetarëve të Kosovës në sistemin bankar të vendit i janë ofruar shifrës rekorde prej 3 miliardë eurosh. Nga kjo shumë e përgjithshme si depozitë e ekonomive familjare janë 2.1 miliardë euro 

Rreth 3 miliardë euro ka arritur shuma e përgjithshme e depozitave në bankat komerciale të Kosovës, prej të cilave mbi 2.1 miliardë euro janë të ekonomive familjare. Depozitat në sektorin bankar po shënojnë rritje të vazhdueshme, madje me rritje vjetore prej rreth 10 për qind. Zhvillimi i vazhdueshëm i sektorit bankar me futjen në treg të bankave të fuqishme nga shtete të Evropës, por edhe më larg, ka rritur besimin e qytetarëve që mjetet të cilat ata kanë kursyer nga puna e tyre t’i depozitojnë nëpër bankat komerciale në vend, pasi që sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se 88,8 për qind të pronësisë së bankave në Kosovë janë me kapital të huaj, raporton iBANK. Njëkohësisht bankat komerciale në vazhdimësi po e theksojnë rolin e kursimeve te klientët e tyre, pasi që, sipas drejtuesve të bankave, kursimet janë një faktor i rëndësishëm që klientëve t’u sigurohet stabiliteti financiar.

DEPOZITAT U RRITËN PËR 9,2%

Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) kanë bërë të ditur se vlera e përgjithshme e depozitave në bankat komerciale më 31 mars 2017 ka qenë 2.9 miliardë euro. Sipas tyre, nga muaji mars 2017 rritja e depozitave ishte 9,2 për qind në raport me të njëjtën periudhë kohore të vitit 2016. Më tutje zyrtarë të BQK-së kanë bërë të ditur se depozitat e qytetarëve nëpër bankat komerciale janë tejet të sigurta. Arianita Munishi, zyrtare për marrëdhënie me jashtë në BQK, ka thënë se bankat që operojnë në Kosovë janë anëtare të Fondit për Sigurimin e Depozitave, institucion i cili u siguron depozitarëve mbulesë deri në 4 mijë euro për llogari bankare. “Për më tepër, Banka Qendrore e Kosovës monitoron për së afërmi operacionet e bankave komerciale përmes raportimeve të rregullta

dhe ekzaminimeve në vend me qëllim që të sigurohet mbrojtja e depozitarëve në pajtueshmëri me rregullativën në fuqi. FSDK-ja bën përpjekje të vazhdueshme për të rritur fondin për mbulueshmëri sa më të lartë të depozitave”, ka thënë ajo për IBANK. Munishi ka bërë të ditur se në bazë të të dhënave që disponojnë ekonomitë familjare dominojnë me rreth 72 për qind të totalit të depozitave apo rreth 2.1 miliardë euro, ndërsa korporatat  jofinanciare me rreth 0.5 miliard euro. Sipas saj, rreth 24 për qind e totalit të depozitave janë të afatizuar, derisa pjesa tjetër prej 76% janë depozita në llogari rrjedhëse ose në llogari të kursimeve, por që nuk janë të afatizuara.

OBJEKTIV KRYESOR I BQK-SË - STABILITETI I SEKTORIT BANKAR

Fehmi Mehmeti, zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës, ka thënë se objektiv kryesor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) është stabiliteti i sektorit bankar e fi nanciar e me këtë edhe mbrojtja e depozitarëve. Sipas tij, në këtë kontekst, BQKja vazhdimisht ka lëvizur drejt parimeve dhe standardeve ndërkombëtare me qëllim të arritjes së objektivave të saj. Mehmeti ka shtuar se ndër angazhimet më domethënëse në këtë drejtim është pa dyshim edhe roli i përbashkët i BQK-së me institucionet tjera në themelimin e Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK).

“Duke u ndalur fillimisht në kontekst retrospektiv, me përkrahje edhe të KfW-së gjermane, FSDK-ja është iniciuar si projekt strategjik nga ana e BQK-së si projekt i rëndësishëm zhvillimor, duke filluar me hartimin e Ligjit për Themelimin e Sistemit për Sigurimin e Depozitave për Institucionet Financiare, që pranojnë depozita në Kosovë. Në këtë ligj, i miratuar në fund të vitit 2010, janë adoptuar praktikat më të mira ndërkombëtare, si: pavarësia institucionale, zbatimi i premiumit diferencues dhe mbulueshmëria e sigurimit me limit të caktuar, e cila përfshin personat fizikë dhe juridikë”, ka thënë ai. Sipas tij, funksionimi stabil dhe i qëndrueshëm i FSDK-së konsiderohet si vital për stabilitetin e sektorit bankar e financiar, raporton iBANK.

PROCREDIT”-I MBI 677 MILIONË EURO DEPOZITA

Albena Çarkaxhiu, zyrtare për media në “ProCredit Bank”, ka thënë se deri në mars

të vitit 2017 portofoli i përgjithshëm i depozitave në bankën “ProCredit” ka kaluar shumën prej 677 milionë eurosh. Sipas saj, kjo dëshmon besueshmërinë e fituar nga klientët, duke u bazuar në qëndrueshmërinë e depozitave, pavarësisht strukturës së tyre, qofshin ato në depozita me afat, kursime apo edhe në llogari rrjedhëse. “Në anën tjetër, banka jonë rregullisht vazhdon të theksojë rolin e kursimeve, pasi ato janë një faktor i rëndësishëm për t’u ofruar klientëve tanë stabilitet financiar. Edukimi financiar në këtë aspekt vazhdon qoft ë përmes këshillimit të rregullt nga këshilltarët tanë për klientë, qoftë përmes takimeve të rregullta me grupe më të vogla klientësh”, ka thënë Çarkaxhiu.

Sipas saj, sa i përket sigurisë së depozitave të klientëve kjo lidhet ngushtë me menaxhimin e likuiditetit të bankës. Çarkaxhiu tregon se kontrollimi dhe zvogëlimi i rrezikut të likuiditetit mbështetet nga modeli i biznesit të bankës. “Portofoli i kredisë karakterizohet nga një numër i madh i ekspozimeve afatshkurtra dhe afatmesme për klientët, raporton iBANK. Shumica e kredive kanë plane kthimi në formë anuiteti dhe kanë cilësi të lartë. Nga këndvështrimi i rrezikut të likuiditetit kjo ndihmon në menaxhimin e saj pasi rrjedhat hyrëse të parasë janë më të parashikueshme. Duke qenë bankë komerciale e orientuar në zhvillim banka ‘ProCredit’ ka një përkushtim të veçantë në zhvillimin e bashkëpunimit me biznese të vogla dhe të mesme, kompani këto që kanë stabilitet financiar në treg”, ka thënë ajo.

RRITJA E DEPOZITAVE NË PËRPUTHJE ME PARASHIKIMET E BANKËS

Çarkaxhiu tregon se financimi i klientëve të biznesit dhe gjithashtu individëve private bëhet në bazë të disa parimeve të kreditimit të klientëve. Sipas saj, këto parime përfshijnë analizimin intensiv të kapacitetit financiar, shmangia e mbingarkimit të klientëve me borxhe, monitorimi dhe menaxhimi i ekspozimeve kreditore, raporton iBANK. “Si rrjedhojë, përgjatë viteve banka ka arritur që të ruajë likuiditetin dhe kualitetin e portofolit kreditor”, ka thënë ajo. Sipas saj, rritja e portofolit të depozitave është e lehtë, stabile dhe në përputhje me parashikimet strategjike të bankës. “Qëndrueshmëria e portofolit përgjatë viteve dëshmon stabilitetin e bankës në treg dhe në këtë mënyrë lehtëson zgjedhjen e qytetarëve për të kursyer me bankën tonë”, ka thënë ajo.

REXHEPI: NUK KA RREZIK TË DREJTPËRDREJTË

Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se aktualisht nuk ka ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë për depozitat e qytetarëve në banka. Sipas tij, rritja e tyre e vazhdueshme tregon se depozituesit nuk kanë ndonjë shqetësim rreth sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit bankar apo të ndonjë banke. Po ashtu, zhvillimet e tjera në sistemin bankar flasin për stabilitet, meqenëse ato janë mjaft kapital, ndërsa nuk janë të kërcënuara as nga kthimi i kredive “Mirëpo nuk ka mekanizëm që në mënyrë direkte ofron garanci për depozitat E tëra varet nga efikasiteti i BQK-së në mbikëqyrjen e sistemit, si edhe ndërmarrjen e masave preventive që të mos ndodhë më e keqja. Fondi për Sigurimin e Depozitave është në fuqizim e sipër dhe ofron siguri që mbulon një përqindje të madhe të depozituesve, por jo edhe shumën e përgjithshme të depozitave”, ka thënë ai. Sipas tij, siguria e depozitave tash varet vetëm nga mekanizmi vetëkontrollues i bankave dhe efikasiteti i BQK-së, raporton iBANK

Image

KATEGORITË E PËRJASHTUARA NGA SIGURIMI I DEPOZITAVE

Në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, kategoritë në vijim janë përjashtuar nga sistemi i sigurimit të depozitave d.m.th. ata nuk kanë të drejtë për kompensim në rast të revokimit të licencës dhe të mbylljes së bankës:

1. Depozitat e llogarive të paidentifikuar

2. Depozitat e ndërlidhura me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit

3. Depozitat e drejtorëve dhe menaxherëve të lartë të bankave, si dhe depozitat e familjeve të tyre dhe palëve të tjera të ndërlidhura

4. Depozitat e personave fizikë me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në kapitalin e bankës ose me të drejtë të votës që rrjedhin nga të paktën pesë për qind (5%) të aksioneve në kapitalin e bankës, familjet e tyre dhe palët e ndërlidhura

5. Depozitat e personave juridikë dhe aksionarë te këtyre personave juridikë me shumicë

votash nga pesëdhjetë përqind(50%) ose më shumë në kapitalin e bankës ose me të drejtë të votës që rrjedhin nga të paktën pesë për qind (5%) të aksioneve në kapitalin e bankës, familjet e tyre dhe palët e ndërlidhura, siç është e zbatueshme

6. Personat përgjegjës për kryerjen e auditimit të jashtëm të pasqyrave

financiare të institucionit gjatë tre vjetëve të fundit përpara fillimit të procedurave të likuidimit

7. Depozitat e bankave dhe të institucioneve financiare

8. Depozitat e kompanive të sigurimit dhe sipërmarrjet për investim kolektiv

9. Depozitat e pensioneve dhe të fondeve të pensionimit

10. Depozitat e pushtetit local dhe qendror dhe të autoriteteve administrative

11. Depozitat e mbajtura në degët e bankave kosovare që operojnë jashtë vendit