Qeveria s’i kompenson fermerët

Ekonomia July 22, 2017 - 08:35

Gjatë vitit 2016 mbi 1520 kafshë kanë ngordhur si pasojë e sëmundjes gungore, por deri më tash asnjeri prej pronarëve të lopëve të ngordhura nuk ka marrë kompensim nga Qeveria e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ministria e Bujqësisë nuk po i kompenson fermerët, të cilëve gjatë vitit që lamë pas u kishin ngordhur lopët si pasojë e sëmundjes gungore.

Zyrtarë të Ministrisë në vazhdimësi kishin premtuar se do t’i kompensojnë bujqit, por deri më tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Njëra ndër komunat më të prekura nga sëmundja gungore e kafshëve ka qenë komuna e Malishevës.

Si pasojë e kësaj sëmundjeje, gjatë vitit 2016 në këtë komunë kanë ngordhur mbi 80 krerë lopë, ndërsa vlera totale e dëmit shkon mbi 100 mijë euro.

Drejtori i Bujqësisë në Malishevë, Murat Hoxha, thotë së deri tash fermerët nuk kanë marrë asnjë kompensim nga Ministria e Bujqësisë, ani pse kjo u ishte premtuar.

LEXO EDHE: Projekti 2.1-milionësh i BE-së, peng i Rakiqit

“Mbi 80 raste janë në vendin tonë që kanë ngordhur si pasojë e sëmundjeve gungore. Kemi pasur takim me shefin e AVUK-ut, por asnjëherë nuk është kthye asnjë përgjigje dhe nuk është kompensuar ende asnjë rast. Nuk e di si do të fillojmë me vaksinimin e lopëve kur ende nuk u janë kompensuar asnjë prej dëmeve. Vlera e një krye lope ka qenë nga 800 deri në 1500 euro, po t’i llogarisim të gjitha, vlera totale e dëmeve në komunën tonë del të jetë mbi 100 mijë euro. Ministria e Bujqësisë na ka kërkuar që t’i dërgojmë llogaritë bankare dhe numrin e krerëve në Agjencinë e Veterinës për t’u kompensuar, por që asnjëherë nuk është kthyer një përgjigje”, ka thënë ai. 

Tutje, Hoxha shpreh drojën se reagimi i fermerëve gjatë këtyre ditëve do të jetë i ashpër, kur pritet të fillojë vaksinimi i gjedheve kundër kësaj sëmundjeje, shkruan "Zëri".

Ai shton se tashmë atyre u ka humbur besimi në institucione.

“Fermerët edhe para se të fillojë vaksinimi janë duke ardhur vazhdimisht në komunë dhe po kërkojë kompensimin e dëmeve, ndërsa tash kur po fillon vaksinimi i lopëve nuk e di si do të presin pasi që shumë fermerë të dëmtuar nuk janë duke besuar më në institucione, përgjigjja e tyre është se me çka do t’i vaksinojnë kur deri tash nuk është kompensuar as një i dëmtuar. Ndaj dhe kam dyshime që fermerët do ta kenë një reagim të ashpër tash kur pritet të fillojë fushata e vaksinimit. Ne si komunë i kemi kryer obligimet tona dhe i kemi dërguar të gjitha të dhënat për fermerët e dëmtuar dhe është nën përgjegjësinë e Agjencinë dhe Ministrisë për kompensimin e fermerëve të dëmtuar”, ka thënë ai.

Nga kjo sëmundje, sipas statistikave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, në vitin 2016 kanë ngordhur gjithsej 1523 krerë lope.

Zyrtarja për Informim nga kjo Agjenci, Jehona Murati, ka bërë të ditur së komuna më e prekur është ajo e Istogut.

“Gjatë vitit 2016 në territorin e Republikës së Kosovës kanë ngordhur gjithsej 1523 gjedhe, si pasoj e kësaj sëmundjeje, ndërsa gjatë vitit 2017 nuk kemi asnjë rast të raportuar të ngordhjes së kafshëve nga sëmundja gungore e lëkurës. Komuna më e prekur, tek e cila ka pasur më shumë ngordhje të kafshëve, është komuna e Istogut, ndërsa pas saj vinë Malisheva, Kamenica e Kaçaniku”, ka thënë ajo.

E lidhur me moskompensimin e fermerëve ndaj dëmeve që u janë shkaktuar, Murati është përgjigjur: Sa i përket kompensimit të dëmit për fermerët, kjo do të realizohet menjëherë pas ndarjes së buxhetit nga Qeveria e Kosovës”, tha ajo.

Ajo tutje ka shtuar se duke parë rrezikun që kjo sëmundje mund të përhapet përsëri në vendin tonë, AVUK-u ka filluar më vaksinimin e gjedheve.

“Duke qenë se jemi të ekspozuar ndaj një risku të lartë të paraqitjes së kësaj sëmundjeje në vendin tonë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me kohë ka marrë masat në realizimin e procesit të vaksinimit të gjedheve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Vaksinimi ka filluar më 19 korrik dhe do të vazhdojë edhe ditëve në vijim”, ka përfunduar Murati.

Përndryshe, sëmundja gungore e lëkurës është sëmundje virale e gjedhit, me karakteristikë tipike të nodulave ose gungave në lëkurë.

Nga kjo sëmundje mund të preken më shumë se 50% e fermave blegtorale, ndërsa më shumë se 10% e kafshëve të prekura ngordhin.

Humbjet tjera janë reduktim i prodhimit të qumështit dhe ulje e fertilitetit.