Projekti 2.1-milionësh i BE-së, peng i Rakiqit

Ekonomia July 22, 2017 - 08:17

BE-ja ka investuar paralelisht në dy projekte në Mitrovicë për revitalizimin e urës kryesore të Ibrit 1.45 milion euro dhe për ndërtimin e zonës së këmbësorëve në veri të urës, në rrugën “Mbreti Peter I”, 2.13 milionë euro. Derisa projekti i parë është para përfundimit, punimet në projektin e dytë janë ndërprerë krejtësisht për shkak të obstruksioneve të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Bashkimi Evropian (BE) ka investuar një varg projektesh në Mitrovicë, në veri dhe në jug, por dy projekte, të cilat janë ekzistencialisht të rëndësishme për qytetarët e Mitrovicës, të pjesës jugore dhe të asaj veriore dhe të cilat synojnë bashkimin e qytetit të ndarë që nga paslufta, revitalizimi i urës kryesore të Ibrit dhe shndërrimi i rrugës “Mbreti Petër I” në veri të urës në zonë të këmbësorëve vazhdojnë të mbesin peng i obstruksioneve të autoriteteve komunale në veri, në veçanti të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

BE-ja ka investuar paralelisht në dy projekte në Mitrovicë, për revitalizimin e urës kryesore të Ibrit 1.45 milion euro dhe për ndërtimin e zonës së këmbësorëve në veri të urës, në rrugën “Mbreti Peter I”,  2.13 milionë euro.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, urën mbi lumin Ibër e ka quajtur simbol i bashkimi të dy komuniteteve, shqiptar e serb.

LEXO EDHE: I kemi votat për UNESCO dhe INTERPOL

Derisa projekti i parë (revitalizimi i urës) është para përfundimit, punimet në projektin e dytë (revitalizimi i rrugës “Mbreti Peter”) janë ndërprerë krejtësisht me një urdhër të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, me arsyetimin se për të punuar nuk ka siguri, shkruan tutuje "Zëri"

Urdhrin e tij për t’i ndërprerë punimet në revitalizimin e rrugës “Mbreti Petër I” për ta shndërruar në zone të këmbësore e ka mbështetur në disa incidente që kanë ndodhur, në të cilat kryesisht kanë pësuar të rinjtë shqiptarë dhe në të njëjtën kohë ka siguruar se punët nuk do të rifillojnë pa pasur garanci për sigurinë e qytetarëve.

Në Zyrën e BE-së në Prishtinë, Natalya Apostollova, përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovës, ka thënë pak ditë më parë se BE-ja pret që këto dy projekte të përfundojnë shpejt.

“Projekti i BE-së për revitalizimin e urës, në vlerë 1.45 milionë euro, i filluar në vitin 2016, ka përparuar. Një projekt tjetër që ka dalë nga Marrëveshja e Brukselit është edhe projekti për zonën e këmbësorëve në rrugën ‘Mbreti  Peter’  në veri të Mitrovicës. BE-ja pret që të dyja projektet të përfundojnë dhe inaugurohen së shpejti”, ka thënë Apostollova, e cila ka precizuar se projekti për ndërtimin e zonës së këmbësorëve ka koston prej 2.13 milionë euro dhe financohet nga BE-ja.

BE-ja, projekti është duke përparuar

Ndonëse përfaqësuesit e BE-së në Prishtinë nuk e thonë dhe insistojnë që ka përparime dhe se të dyja projektet do të përfundojë shpejt, tashmë është e qartë se ai që pengon realizimin e këtyre projekte është pikërisht Goran Rakiq.

Në muajin prill, Rakiq, pas një vargu të incidenteve që kishin ndodhur në hapësirën rreth urës, kishte urdhëruar  ndërprerjen e punimeve.

Ai pati kërkuar nga organet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë që të krijojnë ambient të sigurt për qytetarët, në mënyrë që punimet të vazhdojnë.

Në anën tjetër Dinka Zhival, zëdhënëse e Bashkimit Evropian në Kosovë, u ka thënë medieve lokale serbe në veri të Mitrovicës se projekti i BE-së për revitalizimin e urës kryesore në Mitrovicë në pjesën më të madhe të realizimit është duke përparuar.

“Ky është edhe një rezultat i marrëveshjes në kuadër të dialogut në Bruksel, që parasheh shndërrimin e rrugës ‘Mbreti Petër’ në zonë të këmbësorëve. Bashkimi evropian pret që të dyja projektet të realizohen së shpejti”, ka thënë Zhival, ndërsa Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Kosovës në veri, ka thënë se prioritet i qeverisjes lokale në veri është siguria për të gjithë qytetarët që jetojnë aty. Sipas saj, komuna veriore ka bërë kërkesë konkrete në BE, EULEX-i dhe në të gjitha institucionet që merren me sigurinë, që ta rrisin praninë e forcave të sigurisë në afërsi të urës.

“Arsyeja e vetme pse komuna veriore ka insistuar që të ndërpriten punimet në urën kryesore është mungesa e sigurisë, si dhe disa incidente që kanë ndodhur në këtë rajon. Është e pakuptueshme që nuk kemi marrë mbështetje konkrete nga ana e institucioneve relevante, kur bëhet fjalë për rritjen e pranisë së atyre institucioneve që do të duhej të merren me sigurinë, EULEX-i, Policia e Kosovës dhe KFOR-i”, ka thënë Hoxhiq.

Ajo pranon, duke iu referuar edhe informacioneve të Policisë së Kosovës në veri, se në kohë të fundit nuk janë evidentuar incidente, por, sipas saj, incidente ka pasur gjatë kohës sa zhvilloheshin punimet në urë dhe se ato janë ndërprerë atëherë kur janë ndërprerë edhe punimet.

Ajo shtoi se qeverisja lokale nuk është e interesuar që ta marrë mbi vete përgjegjësinë për incidentet eventuale, në mënyrë që punimet në urë të vazhdojnë me çdo çmim.

Simiq përkrah Rakiqin

Në anën tjetër, qytetarët serbë të pjesës veriore shprehen të pakënaqur me ndërprerjen e punimeve, pasi që pikërisht për këtë shkak është vështirësuar qarkullimi dhe lëvizja e njerëzve përgjatë rrugës “Mbreti Peter”.

Desimir Simonoviq, student, thotë se ndërprerja e punimeve nuk kontribuon asgjë për të mirë dhe sipas tij, punimet duhet të përfundojnë.

Por Igor Simiq nga Lista Serbe përkrah pa rezervë urdhëresën e Rakiqit për ndërprerjen e punimeve.

“Ata që kanë insistuar për ta hapur urën nuk kanë gjetur forcë të garantojnë siguri për qytetarët në momentin kur ura të hapet. Për këtë arsye, absolutisht e përkrah vendimin e kryetarit Rakiq që t’i ndalojë punimet në revitalizimin e urës nga pjesa veriore dhe në ndërtimin e sheshit. Brukseli nuk garanton siguri për qytetarët e veriut të Mitrovicës, pasi të hapet ura”, ka thënë Simiq, i cili ka shtuar se sa u përket punimeve në revitalizimin e urës përgjegjësia bie tek përfaqësuesit e BE-së.

“Në momentin që do të vendoset edhe minimumi i sigurisë për qytetarët, atëherë do të vazhdojnë punimet dhe do të përfundojnë shpejt”, ka siguruar ai.

Ndërkaq Halit Barani, kryetar i QR-së së KMDLNJ-së në Mitrovicë, në një reagim të tij rreth incidentit të fundit, kur dy të rinj shqiptarë janë rrahur në rrugën “Mbreti Peter” nga disa të rinj serbë, ka thënë se prej fillimit të vitit në urë dhe matanë urës në pjesën veriore të Mitrovicës kanë ndodhur 19 incidente, në të cilat viktima kanë qenë të rinjtë shqiptarë.

Sipas tij, incidentet i krijojnë pjesëtarët e dy organizatave ekstremiste serbe “KM-firm 028” dhe “Mosto – klinci”, të cilët zëvendësojnë “Rojat e Urës”. Sipas Baranit, këto dy organizata janë formuar pas shpërbërjes së “Rojave të Urës” dhe ‘Mbrojtës Civile’”.

“Se në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës veprojnë institucionet paralele serbe, apo institucionet e Beogradit, flet fakti se këto dy grupe janë formuar nga institucionet paralele serbe matanë urës. Është ky rasti i 19-ë i keqtrajtimeve fizike të shqiptarëve nga këto banda. Deri më sot asnjë rast i vetëm nuk është zbardhur, asnjë nga autorët nuk është marrë në pyetje edhe pse të gjithë ata që veprojnë në dy grupet e lartpërmendura dihen me emra dhe me mbiemra nga ata që i kanë krijuar këto grupe e për të cilat janë shumë mirë të njoftuar edhe Policia e Kosovës”, ka thënë mes tjerash Barani.