Mitrovica bëhet me 'deti'

Ekonomia July 20, 2017 - 08:42

Liqeni artificial në Suhadoll të Mitrovicës, përgjatë të cilit janë ndërtuar dy plazhe për ata që duan t’i kalojnë pushimet në Mitrovicë, është jetësuar. Në ditët e para vërehen pushues të shumtë jo vetëm nga Mitrovica, por edhe nga diaspora. Projekti 4.5-milionësh është duke u realizuar, ndërsa deri më tani janë investuar 3 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Qytetarët e komunës së Mitrovicës dhe të komunave të rajonit, por edhe ata të Kosovës, të cilët kanë buxhet familjar të vogël, që nga kjo verë mund t’i kryejnë pushimet verore në liqenin akumulues të Mitrovicës pa pasur nevojë që të shkojnë në bregdet.

Është parashikuar që përveç ujit, pushuesit mitrovicas ta kenë mundësinë t’i shijojnë edhe plazhet, pushimoret, shëtitoret, madje edhe restorantet dhe kafenetë, të cilat tashmë kanë filluar të ndërtohen.

Kjo pasi është jetësuar projekti për liqenin artificial të Mitrovicës, për të cilin investohen 4.5 milionë euro, shkruan "Zëri".

Liqeni artificial në Suhadoll të Mitrovicës, përgjatë të cilit janë ndërtuar dy plazhe për ata që duan t’i kalojnë pushimet në Mitrovicë, ka tërhequr interesimin e kosovarëve, fillimisht të qytetarëve të Mitrovicës, si dhe të vegimtarëve, të cilët kanë mbushur dy plazhet që kanë përfunduar deri më tani.

LEXO EDHE: Komuna nuk planifikon të hyra nga lejet e ndërtimit

Projekti 4.5-milionësh është duke u realizuar, ndërsa deri më tani janë investuar 3 milionë euro.

Kur do të përfundojë i gjithë projekti, me një infrastrukturë të rregulluar mirë, do të ofrojë pamje jashtëzakonisht të bukur, ndërsa njëkohësisht do të jetë pikë turistike që do të tërheqë numër të madh të vizitorëve.

Pushuesit kosovarë nga vera e sivjetme mund t’i shijojnë plazhet, pushimoret, shëtitoret, madje edhe restorantet e kafenetë, ndërkohë që do të riaktualizohet edhe sporti i lundrimit, i cili dikur ishte një prej sporteve kryesore në qytetin buzë Ibrit.

Projekti është duke u realizuar dhe ai pritet të përfundojë së shpejti, ndërkohë që tani për tani janë dy plazhe, të cilat do t’i shfrytëzojnë pushuesit.

Dy plazhe të shfrytëzueshme

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, dukshëm i entuziazmuar me fillimin e funksionalizimit të plazheve buzë liqenit artificial në Suhadoll të Mitrovicës, tha se aktualisht janë dy plazhe të cilat janë të shfrytëzueshme për mitrovicasit, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët tani “detin” do ta kenë në Mitrovicë dhe nuk kanë nevojë që të shkojnë në bregdetin shqiptar, në Ulqin e në vende të tjera, pasi edhe Mitrovica ofron kushte të mira për pushuesit.

“Me ndërtimin e liqenit akumulues rrjedhës dhe të plazheve, të pushimoreve e të shëtitoreve qytetarët mitrovicas, por edhe ata të komunave të rajonit të Mitrovicës e të Kosovës do të kenë kushte jashtëzakonisht të mira për të pushuar, për t’u freskuar gjatë ditëve të verës dhe për të bërë plazh pa shpenzuar shumë buxhetin familjar”, ka vlerësuar kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Enver Ismajli, student, tha se ka ende punë për të bërë në mënyrë që projekti të kryhet ashtu siç është planifikuar, por siguroi se edhe kështu në këto ditë tropikale dy plazhet që janë ndërtuar deri më tani ofrojnë kushte të mira për të pushuar.

“Me rëndësi është që qytetarët kanë ku të freskohen në këto ditë tepër të nxehta. Brenda pak kohësh Mitrovica do të jetë qendër e rëndësishme turistike e Kosovës, ndërsa mitrovicasit, të cilët në Kosovë njihen me xhepin e cekët, ‘detin’ do ta kenë këtu në qytetin e tyre”, ka thënë ai.

4.5 milionë euro investime

Projekti i ndërtimit të liqenit në Suhadoll financohet nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor me 4.5 milionë euro.

Liqeni ka gjatësi prej 1.8 kilometrash, gjerësi deri në 150 metra dhe thellësi deri në 3 metra. 

Agim Radoniqi, drejtor i DPH-së, ka thënë se liqeni i cili është ndërtuar do t’ua mundësojë qytetarëve të komunës së Mitrovicës, por edhe atyre të rajonit gjatë ditëve me vapë të verës të gjejnë freski aty.

Liqeni artificial i Mitrovicës do të shfrytëzohet edhe për aktivitete të tjera.

“Nëse më parë nuk ka qenë e mundur të shëtitej me varka në këtë lumë, kjo do të bëhet e mundur nga tani, ngase punimet në shndërrimin e një pjese të lumit Ibër në një liqen akumulues rrjedhës tashmë kanë përfunduar. Me liqenin Mitrovica ka planifikuar që qytetarëve të saj t’u ofrojë diçka të re dhe diçka më ndryshe”, thotë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili siguron se që tani liqeni akumulues rrjedhës u ofron qytetarëve plazhe e pas pak ditëve edhe pushimore, edhe shëtitore përgjatë lumit Ibër në të dyja brigjet e tij.

Liqeni akumulues shtrihet në hapësirën nga Suhadolli përgjatë rrjedhës së lumit Ibër, nëpër Zhabar e deri në Gushavc e Vinarc. 

Ai është i tipit rrjedhës dhe në shtratin e tij janë të vendosura goma në lartësi prej 3 metrash, ku uji do të rrjedhë mbi to dhe liqeni pothuajse në çdo kohë sa i përket ujit do të jetë i pastër.

“Ka pasur degradime të brigjeve të lumenjve, por tash është bërë rregullimi i tyre. Do të bëhen edhe dy liqene që nga ura e Ibrit deri në fshatin Koshtovë”, kanë thënë në Komunën e Mitrovicës, duke siguruar se së shpejti Mitrovica do të jetë qendër e rëndësishme turistike.