Komuna nuk planifikon të hyra nga lejet e ndërtimit

Ekonomia July 20, 2017 - 08:33

Gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Komunën e Klinës Auditori ka gjetur se ajo nuk kishte planifikuar të hyra nga lejet e ndërtimit dhe nga taksat për regjistrimin e automjeteve gjersa inkason mjete nga këto lloje të të hyrave, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur shkelje gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2016 edhe në Komunën e Istogut dhe në atë të Klinës.

Sipas raporteve të auditimit, shkeljet më të mëdha janë bërë në Komunën e Klinës, ndërsa në Istog shkeljet janë bërë kryesisht për dhënien e tokës komunale në shfrytëzim me qira.

Komuna e Istogut ka dhënë me qira tokën komunale bujqësore për shfrytëzim nga fermerët, ndërsa dhënia e tokës me qira është bërë në kundërshtim me Rregulloren  23/2013 për Përcaktimin e Procedurave të Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës, duke anashkaluar ankandin publik, rrjedhimisht konkurrencën dhe duke përcaktuar çmimin pa u bazuar në ndonjë rregullore, por në mënyrë paushall, shkruan "Zëri".

“Në planin e prokurimit të dorëzuar në AQP-ja, Komuna nuk kishte përfshirë kontratën 3-vjeçare ‘Shërbimet e telefonisë mobile për institucionet komunale’ në vlerë të parashikuar 54.640 euro. Po ashtu, kjo kontratë është nënshkruar pa zotim të mjeteve në SIMFK-së. Komuna kishte paraparë furnizim me 186 tituj të rinj të librave, me gjithsej 472 sosh në vlerë të parashikuar të kontratës 3.000 euro. Oferta më e lirë ishte 4.471 euro apo 1.471 euro më e lartë sesa vlera e parashikuar e kontratës, çka i bën të gjitha ofertat më të larta se vlera e parashikuar. Ky proces është dashur të anulohet dhe të ritenderohet, ndërsa Komuna kishte zvogëluar sasinë e kontraktuar për të arritur vlerën 3.000 euro dhe kishte nënshkruar kontratë”, ka vlerësuar Auditori.

LEXO EDHE: 10 punëtorë të vdekur në vendin e punës

Në anën tjetër Komuna e Klinës nuk kishte planifikuar të hyra nga lejet e ndërtimit dhe nga taksat për regjistrimin e automjeteve gjersa inkason mjete nga këto lloje të të hyrave.

“Në të gjitha rastet qytetarët ishin ngarkuar me tarifë mujore nga 25 euro për dërgimin e fëmijëve në çerdhe. Kjo vlerë është në kundërshtim me Rregulloren për Tarifa, e cila përcakton se pagesa duhet të jetë 20 euro për një muaj. Për vitin 2016 qytetarët kishin paguar në total 13.825 euro apo 2.765 euro më tepër sesa parashihet me Rregulloren e Komunës. Në kontratën e nënshkruar ‘Furnizimi me artikuj ushqimorë të konsumit të përditshëm për çerdhe dhe institucione në varësi të Komunës’, në vlerë 43.996 euro operatori fitues kishte ofertuar me çmime jonormalisht të ulëta për dy artikuj. Artikujt me çmime jonormalisht të ulëta janë: 25 kilogramë miell me çmim 0.40 euro dhe 1 kg kafe me çmim 1 euro. Komuna nuk ka kërkuar nga operatori ekonomik sqarim shtesë në lidhje me çmimet e ofruara për këta artikujt”, thuhet në raportin e Auditorit. 

Sipas raportit, në kontratën për “Servisim dhe mirëmbajtje të automjeteve zyrtare” çmimi për ndërrimin e pjesëve është paraparë 5 deri 15 për qind mbi çmimin blerës të artikullit me të cilin është furnizuar operatori ekonomik.

Për pagesën në vlerë 1.313 euro Auditori nuk ka gjetur dëshmitë e çmimeve me të cilat është furnizuar operatori ekonomik.

“Te kontrata ‘Ndërtimi i kanalizimit në Budisalc’ kishte vonesa në realizimin e punimeve nga kontraktuesi, por organi mbikëqyrës apo dhe menaxheri i projektit nuk i kishte raportuar vonesat prej 18 muajve te zyrtari i prokurimit në mënyrë që të mundësohet aplikimi i penaleve për çdo ditë të vonuar sipas kushteve të kontratës. Në 4 raste kemi vërejtur që situatat e pranuara nga organi mbikëqyrës ishin pa datë të pranimit, për këtë arsye është e pamundur të dihet se a janë kryer punimet sipas afatit të paraparë në kontratë. Gjatë testimit të dymbëdhjetë pagesave në vlerë 266.905 euro kemi vërejtur se urdhërpagesat ishin nënshkruar nga zyrtarët jokompetentë. Zyrtari certifikues dhe zyrtari shpenzues kishin zëvendësuar njëri-tjetrin gjatë shfrytëzimit të pushimit vjetor pa ndonjë autorizim të veçantë nga zyrtari kryesor administrativ, por vetëm duke përdorur llogarinë elektronike të njëri-tjetrit, që është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave nr. 02/2009 mbi Delegimin e Menaxhimit të Shpenzimeve të Organizatave Buxhetore”, precizohet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Sipas tij, Komuna në PFV për vitin 2016 ka deklaruar llogaritë e arkëtueshme nga tatimi në pronë 1.182.000 euro, ndërsa sipas raportit të pranimeve dhe të pagesave nga tatimi në pronë vlera e të arkëtueshmeve është 1.197.690 euro, që do të thotë se ka një nënvlerësim prej 15.690 eurosh.

“Te kontrata për qiradhënie ‘Shfrytëzimi i lokalit afarist’ ne kemi vërejtur se edhe këtë vit vazhdon shfrytëzimi i pronës komunale nga qiramarrësi, edhe pse ai nuk i ka përmbushur obligimet financiare ndaj Komunës në vlerë 15.490 euro. Gjatë vitit 2016 janë paguar 304.289 euro obligime të viteve paraprake, derisa faturat e papaguara të prezantuara në fund të vitit 2015 kanë qenë 293.064 euro. Duke u bazuar në këtë Komuna nuk ka prezantuar drejt obligimet për 11.225 euro”, ka vërejtur Auditori.