Komuna ia jep tenderin kompanisë më të shtrenjtë për 124 mijë euro

Ekonomia July 19, 2017 - 08:35

Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë auditimit të pasqyrave financiare të Komunës së Drenasit për vitin 2016 ka gjetur një varg shkeljes, pothuajse në të gjitha fushat. Auditori i Përgjithshëm në raportin për Komunën e Drenasit për vitin 2016 ka precizuar të gjitha të gjeturat dhe ka rekomanduar që të përmirësohen. Sipas raportit, edhe gjatë vitit 2016 Komuna e Drenasit kishte angazhuar një numër punonjësish (mësimdhënës) si zëvendësues në sektorin e arsimit, por për ta nuk kishte buxhet të aprovuar e as nuk kishte mundësi t’i përfshijë në lista të pagave. Kjo çështje, sipas Auditorit, është duke u trashëguar nga vitet e mëhershme dhe ka vazhduar të ndodhë edhe në vitin 2016.

“Si pasojë e mospagesës me kohë për punonjësit zëvendësues të arsimit, nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve janë paguar 61.848 € nga vendimet gjyqësore dhe në bazë të Nenit 39.2 LMFPP, të cilët Komuna nuk kishte arritur t’i fusë në lista ta pagave. Një formë e tillë e angazhimit të stafit arsimor në mungesë të buxhetit, rrjedhimisht mosfutja në listë të pagave, kanë rezultuar në padi gjyqësore dhe në ekzekutime direkte nga Thesari, dhe kanë shkaktuar implikime buxhetore për Komunën, duke ekspozuar Komunën para një rreziku mjaft të madh në financimin e operacioneve të rregullta”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas tij, për operatorët ekonomikë në emër të shërbimeve të kryera për bartjen e nxënësve në shkolla nga ana e Thesarit janë ekzekutuar pagesa në shumën prej 8.629 eurosh, katër muaj pas skadimit të kontratës.

“Ne nuk kemi gjetur dëshmi që Komuna ka kërkuar këto shërbime, mirëpo drejtorët e shkollave përkatëse kishin nënshkruar raport për pranimin e këtyre shërbimeve. Operatori ekonomik kishte dërguar lëndën (faturat dhe raportet) tek përmbaruesi privat. Përmbaruesi, pas urdhrit për përmbarim, kishte dërguar lëndën për ekzekutim në Thesar. Kryerja e shërbimeve pas skadimit të kontratës mund të rezultojë me pagesat e parregullta, çmime jashtë konkurrencës së tregut, humbje financiare për Komunën dhe vlerë të dobët për para”, thuhet më tutje në raport.

Ndërkaq, për kontratën “Hartimi i projekteve teknike” auditori ka krahasuar ofertën fituese me ofertat e operatorëve tjerë ekonomikë, të cilët janë vlerësuar si të përgjegjshëm gjatë procesit të prokurimit.

“Gjatë zbatimit të kontratës ne kemi vërejtur se në tri pagesat e realizuara në vlerë prej 44.680 eurosh, operatori ekonomik fitues ishte më i shtrenjtë për 21.994 euro sesa ofertuesi tjetër, që ishte i eliminuar. Gjatë analizimit të faturave të paguara kemi vërejtur se shkaqet kryesore pse oferta fituese kishte dalë më e shtrenjtë se ofertat tjera pas fillimit të zbatimit të kontratës kanë qenë: vlerësimi jo i duhur i nevojave nga Komuna, Komuna kishte lidhur kontratë me çmim për njësi, pa sasi të parashikuar, nga 84 pozicione të kontraktuara operatori ekonomik kishte faturuar në vetëm 5 prej tyre, ndërsa në 79 pozicionet në të cilat OE-ja nuk kishte faturuar asnjëherë ishin ato në të cilat kishte ofruar çmime normalisht të ulëta.

Po ashtu, edhe tek kontrata “Rregullimi i stadiumit – faza e dytë”, ne kemi krahasuar ofertën fituese me ofertat tjera të operatorëve ekonomikë, të cilët kanë qenë të përgjegjshëm gjatë procesit të prokurimit. Edhe në këtë rast kemi vërejtur se gjatë zbatimit të kontratës, konkretisht në dy pagesat e realizuara në vlerë prej 257.294 eurosh, kompania fitues ishte më e shtrenjtë për 124.088 euro sesa ofertuesi tjetër që ishte në konkurrencë.

Për më tepër, kryetari i Komunës na njoftoi se në këtë projekt kishin dalë edhe disa punë të paparashikuara, siç janë rrethojat e stadiumit, të cilat nuk ishin paraparë nga hartuesi i projektit. Në tri kontrata të prokurimit kemi vërejtur se operatorët gjatë zbatimit të kontratave në disa pozicione kanë tejkaluar sasitë e kontraktuara e në disa pozicione nuk kishin realizuar sasitë e parashikuara në kontrata. Organi mbikëqyrës i kontraktuar nga Komuna nëpër ato situacione kishte bërë thyerjen e këtyre pozicioneve për të mos pasur tejkalime në total të kontratës. Ne vërejtëm se vlera e punëve të pakryera ishte dukshëm më e lartë sesa kostoja e parashikuar me kontratë.

Në një pagesë për investime kapitale kemi vërejtur se janë tejkaluar pozicionet e kontraktura, duke mos u vërejtur nga organi mbikëqyrës i Komunës. Vlera e tejkalimit në këtë pagesë ishte 5.440 euro. Komuna nuk ka paraqitur saktë vlerën e obligimeve pasi që nuk ishin paraqitur obligimet nga kategoria e pagave për punëtorët zëvendësues të arsimit, në vlerë 8.298 euro”, precizohet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për gjetjet gjatë audimtimit të pasqyrave financiare të Komunës së Drenasit për vitin 2016.