Kontratat sekrete

Ekonomia July 19, 2017 - 08:32

Qasja në Kontratat Publike edhe më tutje vazhdon të jetë e kufizuar, edhe pse me ligj ato duhet të jenë publike. Kështu u tha të martën në Prishtinë, në tryezën e organizuar nga lëvizja “Fol”, ku u publikua raporti “S’ka tatim pa informim” dhe “Transparenca në Prokurimin Publik”. Jeton Zulfaj, nga kjo Organizatë, tha se duke pasur për bazë se korniza e tashme ligjore në Kosovë ofron transparencë të kufizuar mbi shpenzimet publike, kjo po pamundëson identifikimin e aferave korruptive.

“Prokurimi Publik është një prej aktiviteteve të Qeverisë, që është më i prekshëm nga korrupsioni. Për shkak të natyrës së fshehtë është vështirë të matet korrupsioni. Kontratat Publike rrinë të fshehura prej publikut. Korniza e tashme Ligjore ofron transparencë të kufizuar për shpenzimet publike. Ligji për Qasje në Dokumente Publike ofron transparencë bazuar në rregullin ‘nëse nuk pyet, nuk është i hapur’.

Ligji për Shoqëri Tregtare ofron transparencë të kufizuar lidhur me pronarët e bizneseve, menaxhmentin dhe përfituesit. Ligji për Prokurim Publik kufizon qasje në dokumente publike. Gjatë hapjes së tenderëve publikë shoqëria civile nuk është e pranishme”, ka thënë Zulfaj. Ai më tutje shton se përderisa në vendet tjera qasja në informacione dhe të dhëna për menaxherët e kompanive të caktuara është publike, në vendin tonë këto informata, sipas tij, janë të kufizuara. Por, raportin e lëvizjes “Fol” për Prokurimin Publik e sheh ndryshe Safet Hoxha nga KRPP-ja.

Sipas tij, edhe pse ka probleme, ky institucion ka pasur edhe ngritje. “Transparenca në Kosovë bëhet në 5 faza, kështu që edhe synimi ynë është që të kemi transparencë sa më të mirë. Besoj që ne jemi duke ndërtuar një transparencë të mirë. Ne mund të ju themi se e publikojmë çdo raport ose aktivitet, i cili kap shumën mbi 1000 mijë euro dhe jemi shembull në rajon për ketë aspekt, publikojmë çdo ndryshim, çdo vendim të OBSH-së, dhe ju garantojmë qasje në çdo tender, me përjashtim në ato ku nuk na lejon ligji. Dhe them që sfidat me të cilat përballet Kosova në Prokurimin Publik, përballen edhe vendet e tjera të BE-së”, ka thënë ai. Hoxha ka shtuar se sikur në çdo vend, edhe këtu tek ne mund të ketë pakënaqësi në këtë aspekt.

Ndërsa Stephen Carpenter, nga USAID-i, tha se janë duke punuar në nivelet komunale për ta përmirësuar transparencën ndaj dokumenteve publike. “Kosova po shënon progres në këtë fushë, por ende ka mangësi në këtë drejtim. Unë së bashku me ekip jemi të angazhuar në nivelet komunale. Aktualisht ekipi ynë është nëpër komuna dhe do t’i trajtojë zyrtarët e prokurimit dhe të auditorit për ketë problem. Ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë mbështetje shoqërisë civile, të cilët punojnë kundër korrupsionit dhe monitorojnë prokurimin nëpër Kosovë”, ka thënë ai.

Edhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, tha se kanë hasur në disa shkelje ligjore të kësaj natyre. Sipas tij, është shqetësuese se si “x-personat”, të cilët kanë kallëzime penale, nuk janë në listën e zezë, por janë të lirë që të jenë në krye të bizneseve. Në ketë debat u kërkua që të ketë më shumë transparencë ndaj qasjes në dokumente publike me qëllim të identifikimit të aferave të mundshme korruptive.