Kosova duhet të krijojë institucione stabile

Ekonomia July 17, 2017 - 16:04

Plani për një hapësirë të përbashkët rajonale në Ballkan, që u miratua në Samitin e Triestes, as në formë e as në përmbajtje nuk krijon strukturë të re as politike e as ekonomike dhe si e tillë përfundimisht është një “dush i ftohtë” për ambiciet e vendeve fqinje për “kuazi” lidership rajonal.

Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike.

Sipas tij, ky Plan Veprimi është vetëm një version i zbutur i propozimeve të Sarajevës, ku insistohej për krijimin e superstrukturave rajonale në formë të Unionit Doganor, por që pas mospajtimeve të Kosovës dhe të Malit të Zi Komisioni Evropian dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal para Samitit të Triestes erdhën me një version, që në formë dhe në përmbajtje nuk është më as treg i përbashkët, as Union Doganor e as përmbushje e ambicieve për Jugosllavi të re.

Më tutje, Rukiqi gjatë intervistës ka thënë se për Kosovën është hap pozitiv pranimi i këtij plani, pasi që kostoja e mospërfshirjes në iniciativa të bashkëpunimit rajonal mund të rezultojë me izolim ekonomik.

Zëri: Ka paqartësi rreth asaj se çfarë u prezantua, çfarë u fol dhe çfarë u nënshkrua në Samitin e Triestes? A mund të na tregoni në pika të shkurtra se cila është rëndësia e këtij Samiti?

Rukiqi: Në fakt nuk do të duhej të kishte paqartësi pasi nikoqiri, në këtë rast qeveria italiane, ka lëshuar deklaratë pas përfundimit të Samitit dhe aty përmblidhen pikat kryesore të diskutimeve dhe dokumentet e nënshkruara. Samiti i Triestes është në vazhdën e samiteve të tjera të rëndësishme, të organizuara nën ombrellën e të ashtuquajturit “Proces i Berlinit”. Ky Proces ka rëndësi shumëdimensionale, pasi siguron një mekanizëm të mirë të dialogut dhe të ofrimit të projekteve konkrete për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe Kosovën. Serioziteti i Procesit, duke përfshirë zotimet për bashkëpunim dhe projektet vërtetohet me pjesëmarrjen e liderëve nga shtetet më të fuqishme evropiane dhe atyre nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këtë vit në Trieste ndër dy-tri rezultatet kryesore të Samitit janë: a) nënshkrimi i Traktatit për Transport, një mundësi e mirë edhe për Kosovën për lidhje pa barriera në korridoret më të rëndësishme të transportit, si dhe një mundësi e mirë që rajonit t'i ofrojmë lidership në këtë fushë, duke u angazhuar që të sigurojmë udhëheqjen e Sekretariatit, i cili duhet të krijohet sipas kësaj marrëveshjeje; b) miratimi i Planit të Veprimit për Hapësirën Regjionale Ekonomike; si dhe c) Përkrahja e zotuar për projektet e sektorit privat, duke përfshirë edhe bashkëpunimet e avancuara në mes odave ekonomike, përmes Forumit Investiv të odave ekonomike, që do të jetë mekanizëm monitorues, por edhe zbatues në disa raste i veprimeve për Hapësirën Ekonomike Regjionale.

Zëri: Në bazë të një deklarate të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal thuhet se gjashtë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë miratuar Planin për një Zonë Rajonale Ekonomike. A është e vërtetë kjo dhe a përfiton apo humb Kosova nga ky Plan?

Rukiqi: Po, ka një pajtim për të ashtuquajturën Hapësirë Ekonomike Regjionale, përkatësisht me unanimitet është miratuar një plan veprimi, i cili tashmë është publik për krijimin e kësaj hapësire, që në këtë rast është version i zbutur i propozimeve të Sarajevës, ku insistohej për krijimin e superstrukturave rajonale ne formë të Unionit Doganor fillimisht. Pas mospajtimeve nga Kosova dhe nga Mali i Zi Komisioni Evropian dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal para Samitit të Triestes erdhën me një version, që në forme dhe në përmbajtje nuk është më as treg i përbashkët, as Union Doganor e as përmbushje e ambicieve për Jugosllavi të re. Si i tillë, me ndryshime përmbajtjesore pashmangshëm është pranuar edhe nga Kosova, ashtu siç e kam paralajmëruar në disa prononcime të mëhershme. Vlerësoj që është hap pozitiv pranimi i këtij Plani, pasi që kostoja e mospërfshirjes në iniciativa të bashkëpunimit rajonal mund të rezultojë me izolim ekonomik, mirëpo në anën tjetër vonesat tona në krijimin e një bazë për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm mund të na sfidojnë seriozisht në zbatimin e këtij Plani të Veprimit dhe të projekteve të tjera nga Procesi i Berlinit.

Zëri: Si do të zhvillohet ky Plan për një zonë ekonomike rajonale dhe cila duhet të jetë qasja e Kosovës ndaj tij?

Rukiqi: Plani ka një listë veprimesh që në masë të madhe adresojnë atë që nuk e ka arritur CEFTA me eliminimin e barrierave për tregti. Në fakt është një CEFTA e avancuar, duke përfshirë komponentin e shërbimeve, eliminimin e barrierave jotarifore, komponentin e nxitjes së investimeve, me masa konkrete lehtësuese, si dhe komponentin e bashkëpunimit në fushën digjitale si një mundësi e mirë për nxitje investimesh, aftësim të fuqisë punëtore dhe rritjes së punësimit të të rinjve në këtë fushë. Kosova duhet të krijojë institucione stabile, të gatshme për vendimmarrje dhe ofrim të politikave që vendin tonë e bëjnë atraktiv dhe konkurrues brenda një tregu apo një hapësire ekonomike me 20 milionë banorë. Plani i Veprimit i adreson edhe barrierat banale në mes vendeve, veçanërisht ato që lidhen me lëvizjen e lirë të personave dhe barrierat në transport dhe nëse kemi parasysh problemet tona me Serbinë dhe me Bosnjën, zbatimi i përpiktë i Planit të Veprimit për Krijimin e Hapësirës Ekonomike Regjionale do të na mundësonte tejkalimin e këtyre barrierave të frymëzuara nga politika e mbrapshtë. Për më shumë Kosova politikisht trajtohet si e barabartë brenda këtij Plani, gjë që e forcon subjektivitetin politik të vendit tonë.

Zëri: A e afron rajonin me BE-në një zonë ekonomike rajonale apo kjo nuk qëndron?

Rukiqi: Unë mendoj që e afron, pasi një iniciativë e tillë e forcon bashkëpunimin rajonal dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal është parakusht për anëtarësim në BE. Gjithashtu edhe shumë masa të parapara për zbatim në kuadër të Planit të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale janë të lidhura ngushtë me Procesin e Stabilizim-Asociimit, gjë që e garanton se kjo Hapësirë nuk është alternativë e anëtarësimit në BE, por në fakt nëse zbatohet si duhet do të përshpejtojë anëtarësimin në BE.

Zëri: Në këtë Samit po ashtu pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit kanë përfituar fonde për projekte të ndryshme. Në një intervistë që patëm me ambasadoren e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ajo tha se është për keqardhje që vetëm Kosova nuk kishte asnjë projekt të prezantuar. Si e komentoni këtë, a po i humb Kosova rastet e saj?

Rukiqi: Kosova këtë vit nuk ka përfituar nga ndonjë projekt që për hir të vërtetës nuk është që financohet menjëherë, por së paku hyn në "pipeline" për financim. Nuk e di procesin e përgatitjeve si ka shkuar deri më tani, por e di që jostabiliteti politik dhe mungesa e profesionalizmit në shumë fusha po na kushton në mbajtjen e fokusit në pjesë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, duke përfshirë edhe përfitimet nga Procesi i Berlinit.

Zëri: Një tjetër gjë e cila është komentuar shumë së fundmi, kjo marrëveshje në Samitin e Triestes po thuhet se ka krijuar “Jugosllavinë e re”. A qëndron kjo?

Rukiqi: E thashë edhe në përgjigjet tjera që ky Plan as në forme e as në përmbajtje nuk krijon strukturë të re as politike e as ekonomike dhe si i tillë definitivisht është "dush i ftohtë" për ambiciet e vendeve fqinje për "kuazi" lidership rajonal.

Zëri: A besoni realisht se ky Plan do të jetësohet apo kjo është vetëm për konsum të brendshëm politik dhe një “premtim” që po i bëhet BE-së nga Ballkani derisa procesi i integrimit dhe zgjerimit të përfundojë?

Rukiqi: Plani nuk është i vështirë të realizohet, por në anën tjetër BE-ja duhet të jetë konkrete në ofrimin e mekanizmave stimulues për vendet e Ballkanit dhe t’i trajtojë barabartë të gjitha këto vende. Kur kemi kriza të brendshme në BE, jemi dëshmitarë të mungesës së fokusit për këtë pjesë të botës dhe shpeshherë dëgjojmë shumë frazeologji boshe. Samiti i Triestes ishte momentum i mirë për të ofruar edhe zotime konkrete, pasi që kemi kahe të re në lidershipin e shumë vendeve të fuqishme evropiane dhe të cilët së paku gojarisht kanë një orientim të qartë për forcimin e projektit evropian.