Ekonomia

S’ka Jugosllavi të re, marrëveshja e Triestes e favorshme për Kosovën

S’ka Jugosllavi të re, marrëveshja e Triestes e favorshme për Kosovën
13 korrik 2017 • 18 : 16

Sokol Havolli, Këshilltari i Kryeministrit në largim të Kosovës Isa Mustafës, në një bisedë për Gazetën Express ka folur për planin e veprimit për hapësirën ekonomike rajonale të miratuar nga BE dhe gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Triestes.

 Ai thotë se ideja e Serbisë për union doganor dhe treg të përbashkët e mbështetur nga Serbia, që në mediat e huaja portretohej si krijimi i një “Jugosllavie të re” tashmë  ka vdekur. \

"Tashmë nuk flitet as për një treg të përbashkët as për një union doganor, por flitet për një hapësirë rajonale ekonomike që nënkupton se në disa politika siç janë politikat tregtare, politikat që kanë të bëjnë me tregti me mallra  dhe në shërbime rolin kryesor do ta ketë CEFTA, ashtu siç ka qenë deri tash. Sa i përket lëvizjes së lirë janë disa praktika që i konvenojnë Kosovës dhe si të tilla natyrisht që kanë qenë të pranueshme sepse dihet se ne kemi probleme serioze sa i përket certifikatave, të njohjes të kualifikimeve profesionale, edhe me Bosnjë Hercegovinën sa i përket edhe lëvizjes pa viza", ka thënë Havolli për gazetënexpress. 

Në pyetjen se a përbën plani një tendencë për rikthimin e një Jugosllavie të re ku do të dominonte Serbia, Havolli ka thënë jo. "Egoja e disa shteteve për ta dominuar rajonin, qoftë edhe përmes rrezikimit të qëndrueshmërisë ekonomike të vendeve siç është Kosova, pra vende më të vogla, që të shtrijnë ndikimin e tyre në rajon dhe të cilin ne e kemi refuzuar dhe kemi pasur sukses sepse kanë qenë argumentet tona fuqishëm mjaftueshëm saqë i kanë bindur institucionet e BE’së se një union i tillë nuk do të ishte i dobishëm për rajonin"ka thënë ai./gazetaexpress/

© zëri.info