Triesta bashkon Ballkanin

Ekonomia July 13, 2017 - 10:07

Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar Planin për Zonën Ekonomike Rajonale në Samitin e Triestes ditën e djeshme.

Kjo platformë është krijuar për të mundësuar rrjedhjen e lirë të mallrave, të shërbimeve, të kapitalit dhe të punësimit me kualifikim të lartë, duke e bërë rajonin më tërheqës për investime dhe tregti, përshpejtimin e konvergjencës me BE-në, duke sjellë prosperitet për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Veprimet e MAP-it janë të dizajnuara për të ndihmuar sektorin privat të korrin ekonomitë e shkallës së një tregu prej 20 milionë dollarësh dhe të rifokusohen në modelin e rritjes sa më të madhe dhe më afatgjatë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje, ndër të tjera janë:

1. Nxitjen e integrimit të mëtejshëm të tregtisë;

2. Futja e një hapësire investimi rajonale, dinamike;

3. Lehtësimi i lëvizshmërisë rajonale dhe

4. Krijimi i një agjende integruese digjitale. Sekretariati i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) është ngarkuar së bashku me CEFTA-n për Zonën e Tregtisë së Lirë, të informojë në mënyrë të rregullt mbi Samitin e procesit të Berlinit për progresin e arritur në veprimet e përcaktuara në MAP.

Kryeministri Mustafa ditën e djeshme edhe pse nuk ka treguar nëse ka pranuar këtë plan apo jo, ai ka thënë se takimi ka qenë i frytshëm.

Mustafa: Kërkova nga Serbia dhe Bosnja t’i eliminojnë barrierat për qytetarët dhe për mallrat

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas përfundimit të takimeve ditën e djeshme në Samitin e Triestes ka thënë se ka shprehur vendosmërinë e shtetit për bashkëpunim rajonal.

“Në takimin qendror, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Italisë, njëkohësisht organizatori i Samitit, Paolo Gentiloni, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës Emmanuel Macron, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini e personalitete të tjera, theksova përkushtimin e Republikës së Kosovës për rrugën integruese evropiane, si dhe i njoftova për zhvillimet aktuale dhe perspektivën e proceseve në Kosovë”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Më tutje Mustafa ka thënë se ka kërkuar edhe nga Serbia dhe Bosnja që t’i heqin barrierat në lëvizjen e qytetarëve dhe të mallrave.

“Njëkohësisht theksova vendosmërinë e Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal, duke kërkuar që Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina t’i eliminojnë barrierat në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mallrave, si dhe barrierat tjera të Serbisë në energjetikë e fusha të tjera”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Në fund ai ka treguar se është nënshkruar edhe Traktati i Komunitetit të Transportit.

“Nënshkruam edhe Traktatin e Komunitetit të Transportit, marrëveshje me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, si dhe në raport me BE-në dhe shtetet e saj”, ka thënë ai.

Kryeministri në detyrë në fund ka vlerësuar se Samiti i Triestes, që po mbledh liderët në këtë samit, është një rëndësi e veçantë për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne dëshirojmë të bashkëpunojmë ndërmjet vete, por pa e cenuar sovranitetin e një vendi. Duhet të kemi një lidhje infrastrukturore, por edhe masa të buta të zgjidhjeve të problemeve. Konsideroj se vazhdimi i takimeve të tilla që kanë filluar në Berlin janë mundësi e mirë që t’i zgjidhim problemet e trashëguara në këtë pjesë të Evropës”, tha ai.

BE-ja, një miliard euro Ballkanit. Hahn: Infrastrukturë dhe energji

“Qëllimi i investimeve në Ballkan është ndërlidhja më e mirë dhe përgatitja e këtyre vendeve për anëtarësim në BE”, ka pohuar komisionari evropian i Zgjerimit, Johannes Hahn.

“Ka projekte konkrete”, sqaron zyrtari i lartë evropian, duke treguar sesi “është përgatitur për nënshkrim një marrëveshje transporti”. Kjo do të thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërlidhen me ligjet e BE-së, që forcojnë edhe raportet ekonomike dhe i japin impulse të reja rajonit.

“Ne do të miratojmë një radhë projektesh në fushën e transportit dhe konkretisht energjisë, në vlerë prej rreth 200 milionë eurosh, të cilat në fund mund të rezultojnë me investime në vlerë prej rreth 540 milionë eurosh. E një rëndësie kyç është të krijohet baza për rritjen ekonomike në rajon dhe për një tregti ndërrajonale, ku ka shumë potencial”, tha Hahn.

Komisionari përcjell edhe bindjen e drejtuesve të tjerë të Bllokut, kur thotë se vitet e ardhshme në rajon do të hapen rreth 80 mijë vende të reja pune. Problemet me Ballkanin si gjithmonë mbeten afatet kohore të zbatimit. Premtime ka shumë, por implementimi është i ngadaltë, kujton Hahn.

Ngërçin tjetër e përbëjnë hijet e konflikteve të shkuara. Zgjidhja nuk është e lehtë.

“Ne duam t’i bashkojmë të 6-të vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nga niveli që kanë arritur në procesin e anëtarësimit të ardhshëm në BE. Konkretisht jemi duke zhvilluar negociata me Serbinë dhe me Malin e Zi, me të tjerat jemi shumë larg. Por me përpjekjet tona që këto vende, të cilat janë të rrethuara nga anëtarët e BE-së, t’i fusim në infrastrukturën e BE-së, në transport dhe në energji, krijohet një bazë për futjen e tyre në struktura të BE-së”, tha më tej Hahn.

Blloku është përgatitur konkretisht për 6 projekte të trafikut, që kanë të bëjnë me rrugët dhe me hekurudhat. Projekti hekurudhor i njohur si “Korridori i 8-të” ndërlidh Lindjen me Perëndimin, e shkon nga Bullgaria deri në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ndërsa më pas mund të vazhdojë edhe për në Shqipëri.

“Ne kemi parasysh edhe rrugët ujore mes Bosnjë Hercegovinës dhe Serbisë”, thotë Hahn.

“Këtu bëhet fjalë në radhë të parë për ndërtimin e porteve. Edhe në sektorin e energjisë kemi financuar disa projekte, që duhet të ndërlidhin Malin e Zi me Italinë, por edhe Malin e Zi, përmes vendeve të Ballkanit, me Rumaninë”, vazhdon ai.

Në kuadër të Samitit do të nënshkruhet dhe një marrëveshje për ndarjen e një buxheti prej 48 milionë eurosh, që mund t’u jepen si kredi rreth 6.000 sipërmarrjeve.

Mbështesim Zonën Ekonomike Rajonale

Shqipëria do të mbështesë krijimin e një zone ekonomike të përbashkët rajonale dhe Edi Rama ka mbrojtur këtë qëndrim edhe në Samitin e Triestes, ku përveç liderëve të Ballkanit morën pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron.

“Do të jetë një mundësi jo vetëm për të diskutuar mbi rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe për t’i mbyllur plagët e së shkuarës për t’u bërë bashkë rreth një ideje dhe më e rëndësishmja, për të krijuar një platformë për rritjen ekonomike. Midis të tjerave, do të na kërkohet që të mbështesim krijimin e një zone ekonomike rajonale. Unë do të argumentoj pro saj. Këtë javë në Itali do të mbështes fuqimisht krijimin e Zonës Rajonale Ekonomike, si një gur themeli që do të lehtësojë procesin e anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian. Ekzistojnë disa dyshime mbi këtë plan. Disa prej kolegëve të mi të Ballkanit Perëndimor i frikësohen idesë se kjo Zonë Ekonomike Rajonale mund të jetë një rrugë pa krye, një stacion në të cilin Brukseli do të na braktisë”, ka thënë Rama.

Kryeministri shqiptar ka argumentuar idenë e tij duke kujtuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe përfitimet nga një platformë e tillë e përbashkët:

“Përfitimet e një zone ekonomike rajonale janë të menjëhershme. Tregu i Ballkanit Perëndimor prej 20 milionë banorësh është më tërheqës për tregtinë dhe për investitorët sesa tregu shqiptar me më pak se katër milionë banorë. Kjo është e rëndësishme për qeverinë time. Ne duam që të çlirojmë potencialin e plotë të kapaciteteve tona kombëtare dhe të inkurajojmë krijimin e më shumë vendeve të punës dhe të prodhimit. Ndaj, do të bëjmë më të mirën për t’i bindur fqinjët tanë për të mbështetur këtë plan. Ne kemi disa ide që do t’i shprehim për t’i siguruar ata për qëllimet e mira të BE-së dhe jam i sigurt se Johannes Hahn, komisionari evropian për Zgjerimin, do të bëjë të njëjtën gjë”, ka përfunduar ai.

Liderët e Ballkanit në Trieste miratojnë Zonën e Ekonomike Rajonale

Në këtë Samit, gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor (BP6) miratuan planin shumëvjeçar të veprimit në një zonë ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor (MAP). MAP-i është krijuar për të mundësuar rrjedhjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punësimit me kualifikim të lartë, duke e bërë rajonin më tërheqës për investime dhe tregti, përshpejtimin e konvergjencës me BE-në duke sjellë prosperitet për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Veprimet e MAP-it janë të dizajnuara për të ndihmuar sektorin privat të korrin ekonomitë e shkallës së një tregu prej 20 milionë dollarësh dhe të rifokusohen në modelin e rritjes sa më të madhe dhe më afatgjatë.

Pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje, ndër të tjera janë:

1. Nxitjen e integrimit të mëtejshëm të tregtisë;

2. Futja e një hapësire investimi rajonale, dinamike,

3. Lehtësimi i lëvizshmërisë rajonale dhe

4. Krijimi i një agjende integruese digjitale. Sekretariati i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) është ngarkuar0 së bashku me CEFTA-n për Zonën e Tregtisë së Lirë, të informojë në mënyrë të rregullt mbi Samitin e procesit të Berlinit për progresin e arritur në veprimet e përcaktuara në MAP.

"Ne në RCC jemi krenarë për t'u ngarkuar nga udhëheqësit rajonalë dhe nga BE-ja për të përgatitur këtë plan ambicioz. Ajo shërben si një gur i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor për t'u integruar më mirë në zinxhirët e vlerave evropiane dhe globale ", ka thënë sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Goran Svilanoviç.

"Gjashtë drejtuesit e Ballkanit Perëndimor shprehën angazhimin e tyre të plotë për zbatimin e MAP-it. Kjo do të ofrojë shtysë të rëndësishme për shtigjet e pranimit në BE, duke u bazuar në meritat individuale, përshpejtimin e pajtueshmërisë së plotë me kriteret ekonomike të Kopenhagës dhe lëshimin e potencialeve më të mëdha ekonomike. MAP-i rrjedh nga angazhimet e ndërmarra në kuadrin e Strategjisë së Evropës Juglindore 2020 dhe Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore. Ajo bazohet në rregullat dhe parimet e BE-së siç pasqyrohen në Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit ", ka përfunduar Svilanoviq. /ZËRI/