BE, një miliard euro Ballkanit. Hahn: Infrastrukturë dhe energji

Ekonomia July 12, 2017 - 14:25

“Qëllimi i investimeve në Ballkan është ndërlidhja më e mirë dhe përgatitja e këtyre vendeve për anëtarësim në BE”, ka pohuar komisioneri europian i Zgjerimit, Johannes Hahn, në një intervistë për “Deutsche Welle”.

“Ka projekte konkrete”, sqaron zyrtari i lartë europian, duke treguar sesi “është përgatitur për nënshkrim një marrëveshje transporti”. Kjo do të thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërlidhen me ligjet e BE-së, që forcojnë edhe raportet ekonomike dhe i japin impulse të reja rajonit.

“Ne do të miratojmë një radhë projektesh në fushën e transportit dhe konkretisht energjisë, në vlerë prej rreth 200 milionë euro, të cilat në fund mund të rezultojnë me investime në vlerë prej rreth 540 milionë eurosh. E një rëndësie kyçe është të krijohet baza për rritjen ekonomike në rajon dhe për një tregti ndër rajonale, ku ka shumë potencial”, tha Hahn.

Komisioneri përcjell edhe bindjen e drejtuesve të tjerë të bllokut, kur thotë se vitet e ardhshme në rajon do të hapen rreth 80 mijë vende të reja pune. Problemet me Ballkanin, si gjithmonë mbeten afatet kohore të zbatimit. Premtime ka shumë, por implementimi është i ngadaltë, kujton Hahn. Ngërçin tjetër e përbëjnë hijet e konflikteve të shkuara. Zgjidhja nuk është e lehtë.

“Ne duam t’i bashkojmë të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nga niveli që kanë arritur në procesin e anëtarësimit të ardhshëm në BE. Konkretisht jemi duke zhvilluar negociata me Serbinë dhe Malin e Zi, me të tjerat jemi shumë larg. Por me përpjekjet tona, që këto vende - të cilat janë të rrethuara nga anëtarët e BE-së, - t’i fusim në infrastrukturën e BE-së në transport dhe në energji, krijohet një bazë për futjen e tyre në struktura të BE-së”, tha më tej Hahn.

Blloku është përgatitur konkretisht për 6 projekte të trafikut, që kanë të bëjnë me rrugët dhe hekurudhat. Projekti hekurudhor i njohur si “Korridori i 8” ndërlidh Lindjen me Perëndimin, e shkon  nga Bullgaria deri në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ndërsa më pas mund të vazhdojë edhe për në Shqipëri.

“Ne kemi parasysh edhe rrugët ujore mes Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë”, thotë Hahn. “Këtu bëhet fjalë në radhë të parë për ndërtimin e porteve. Edhe në sektorin e energjisë kemi financuar disa projekte, që duhet të ndërlidhin Malin e Zi me Italinë, por edhe Malin e Zi - përmes vendeve të Ballkanit - me Rumaninë”, vazhdon ai.

Në kuadër të samitit do të nënshkruhet dhe një marrëveshje për ndarjen e një buxheti prej 48 milionë eurosh, që mund t’u jepen si kredi rreth 6.000 sipërmarrjeve.