Shqipëria heq barrierat për patatet nga Kosova

Ekonomia July 12, 2017 - 13:28

 Shqipëria nuk do të zbatojë vendimet e marra ditë më parë për prodhuesit e patates nga Kosova. Këtë e kanë bërë të ditur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Ministri Memli Krasniqi, i cili tash e disa ditë ka qenë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet në Shqipëri për të eliminuar këto barriera, ka thënë se që nga sot prodhuesit e patates mund të eksportojnë prodhimet  e tyre drejt Shqipërisë pa llogaritjen e çmimit referent të përcaktuar më herët nga autoritetet në Shqipëri. 

“Kemi marrë një sqarim të vendimit të Doganave të Shqipërisë, sipas të cilit nuk do të implementohet çmimi referent i paralajmëruar më parë dhe ne besojmë te ky përkushtim i Qeverisë Shqiptare por edhe i organeve relevante që të vazhdohet me praktikën e kaluar, ku janë pranuar dokumentacionet  e transaksioneve bankare ndërmjet eksportuesve nga Kosova dhe importuesve nga Shqipëria”, ka thënë ministri Krasniqi, duke shtuar se të dy qeveritë në vitet e fundit kanë dhënë shembuj jashtëzakonisht të mirë të bashkëpunimit veçanërisht në fushën e bujqësisë.

Sipas tij, Kosova ka qenë tregu ku Shqipëria në vazhdimësi i ka rritur eksportet e veta bujqësore, por ku edhe Kosova ka arritur që të ketë një rritje të ndjeshme të eksportit bujqësor në përgjithësi, duke përfshirë edhe Shqipërinë. “Ne e kemi një bujqësi komplementare, sezonat tona nuk janë konkurruesve njëra me tjetrën dhe në këtë drejtim edhe me homologun tim por edhe me gjithë zyrtarët e Qeverisë së Shqipërisë ne kemi pasur një pajtueshmëri që të ketë një qasje të ndihmesës së njëri-tjetrit dhe në asnjë mënyrë të pengesës ndaj njëri tjetrit. Dhe unë shpreh vullnetin tim për një bashkëpunim të mëtejmë deri te një unifikim i tregut, ashtu siç është dhënë  zotimi edhe nga udhëheqësit e dy qeverive edhe në të kaluarën”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, lidhur me vendosjen e çmimit referent për pataten kosovare,  ka thënë se ka qenë një ndalesë e pa studiuar dhe e pamotivuar në asnjë mënyrë, as në planin ekonomik dhe as më gjerë dhe sipas tij kjo situatë e shkurtër që ka penguar produktet e patates që të shkojnë drejt tregjeve të Shqipërisë, ka përfunduar.

“Duke marrë shkas nga ky rast unë sigurojë gjithë prodhuesit e patates nga Kosova se barrierat disa ditëshe në tregun shqiptar janë thyer dhe mendoj se sasitë e planifikuara nga prodhuesit e Kosovës për t’u eksportuar drejt Shqipërisë do të shkojnë më një intensitet më të madh gjatë këtyre ditëve dhe gjitha institucionet janë të interesuara që ky proces të vazhdohet më një ritëm më të lartë në mënyrë që mos të krijohet asnjë mungesë  në të ardhurat e  planifikuara të prodhuesve kosovarë të fushës së patates”, ka thënë ambasadori Minxhozi.

Ndryshe, ministri Krasniqi dhe ambasadori Minxhozi kanë shprehur gatishmërinë e tyre për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, në mënyrë që fenomenet e tilla si kjo të mos përsëriten më.